Sulmet e mëdha brenda Rusisë ndër vite

Ekipet emergjente shihen në zonën e sulmit në Krasnogorsk, në periferi të Moskës, në orët e para të 23 marsit.

Reuters

Një nga sulmet më vdekjeprurëse në 25 vjetët e fundit në Rusi ndodhi më 22 mars, kur persona të armatosur sulmuan një sallë koncertesh pranë Moskës, duke vrarë së paku 133 njerëz.

Nga viti 1999 e këndej, brenda Rusisë ndodhën disa sulme të mëdha:

1999 - Bombat shkatërruan blloqe apartamentesh në Moskë, Bujnaksk dhe Volgodonsk. Më shumë se 200 njerëz u vranë. Moska fajësoi çeçenët, kurse këta të fundit fajësuan shërbimet sekrete ruse.

Ekipet e shpëtimit shihen duke bartur trupin e një viktime pasi sulmi me makinë-bombë ka rezultuar me shkatërrim të një ndërtese në Volgodonsk. Fotografi e vitit 1999.

2002 - Rebelët çeçenë morën peng 700 persona në një teatër në Moskë. Forcat speciale ruse sulmuan ndërtesën dhe 129 pengje dhe 41 luftëtarë çeçenë humbën jetën - shumica e tyre nga efektet e gazit narkotik që forcat ruse përdorën për t’i nënshtruar sulmuesit.

Një grua shihet duke i kujtuar viktimat e sulmit të vitit 2002.

2003 - Një shpërthim goditi një tren udhëtarësh jashtë stacionit Jesentuki në Rusinë jugore. Dyzet e gjashtë persona u vranë dhe 160 u plagosën.

2004 - Një sulm vetëvrasës në një tren nëntokësor në Moskë la së paku 39 njerëz të vrarë dhe më shumë se 100 të plagosur. Autoritetet fajësuan separatistët çeçenë.

2004 - Dy aeroplanë rusë pasagjerësh u hodhën në erë pothuajse njëkohësisht nga kamikaze gra, duke vrarë 90 persona. I pari, Tu-134, teksa fluturonte për në Volgograd, u rrëzua në jug të Moskës. Pak minuta më vonë, Tu-154, në fluturim drejt Soçit, u rrëzua pranë Rostovit mbi Don.

2004 - Më shumë se 300 pengje - gjysma e tyre fëmijë - humbën jetën në shkollën Nr.1 në qytetin e Beslanit, në Osetinë e Veriut, pasi ajo u kap nga rebelët që kërkonin pavarësinë e Çeçenisë dhe përfundimin e menjëhershëm të luftës atje.

2006 - Dhjetë njerëz u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një bombe në një treg në periferi të Moskës.

2009 - Shpërthimi i një bombe nxori nga shinat trenin Nevsky Express midis Moskës dhe Shën Petersburgut, që kishte rreth 700 persona në bord. Së paku 26 persona humbën jetën dhe 100 u plagosën. Rebelët çeçenë morën përgjegjësinë.

Treni i shkatërruar pas sulmit.

2010 - Së paku dy shpërthime goditën stacionet e metrosë në Moskë, duke vrarë 40 njerëz.

2011 - Më shumë se 30 njerëz u vranë dhe rreth 130 u plagosën në një sulm vetëvrasës në Aeroportin Domodedovo të Moskës.

2013 - Dy sulmues vetëvrasës vranë 34 persona në një stacion hekurudhor në qytetin e Volgogradit, më pak se dy muaj para se të fillonin Lojërat Olimpike Dimërore 2014, në Soçi.

2017 – Gjashtëmbëdhjetë njerëz, përfshirë një sulmues të dyshuar, u vranë kur një shpërthim goditi një vagon treni në një tunel metroje, në qytetin e Shën Petersburgut.

Përgatiti: Valona Tela