Së paku 51 njerëz janë vrarë dhe 219 të tjerë janë plagosur më 3 shtator në njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse të Rusisë prej se e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thanë se dy raketa goditën objektin e Institutit e Komunikimeve në Poltava, në Ukrainën Qendrore, në sulmin e mëngjesit.
Ata thanë se dy sulme raketore u kryen pak pas lëshimit të alarmit për sulme ajrore, prandaj njerëzit që ishin brenda institutit nuk kishin kohë që të evakuoheshin në një strehimore për bomba.
"Një nga ndërtesat e Institutit të Komunikimeve u shkatërrua pjesërisht. Njerëzit u gjendën nën rrënoja. Shumë u shpëtuan," tha Zelensky.
Guvernatori rajonal i Poltavës, Filip Pronin, tha në televizionin ukrainas se rreth 15 njerëz mund të jenë nën rrënoja, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po e vazhdojnë punën në vendin e ngjarjes.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se ka nisur një hetim dhe tregoi se numri i të vdekurve ka arritur në 51.
Zelensky dhe Pronin e përshkruan institutin si një strukturë "edukative". Identiteti i viktimave nuk u bë i ditur menjëherë.
"Kam urdhëruar një hetim të plotë dhe të shpejtë për të gjitha rrethanat e asaj që ndodhi," tha Zelensky më herët.
"Të gjitha shërbimet e nevojshme janë të përfshira në operacionin e shpëtimit".
Ky besohet të jetë sulmi më vdekjeprurës që nga maji i vitit 2022, kur Zelensky tha se 87 ushtarë u vranë në një qendër trajnimi ushtarak në rajonin verior të Çernivit.
Zyrtarët ukrainas kanë raportuar për disa viktima në sulmet e kryera gjatë natës nga Rusia në Zaporizhja.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase po ashtu raportoi se një e katërta e betejave me forcat ruse në 24 orët e fundit janë zhvilluar në lindje të shtetit, afër qytetit strategjik Pokrovsk, në rajonin e Donjeckut. Në këtë zonë, trupat ruse është raportuar se javët e fundit kanë bërë përparime të mëdha.
Rusia nuk e ka komentuar sulmin në Poltava.