Militantët nga Rripi i Gazës kanë hedhur raketa të mërkurën pasi forcat izraelite u tërhoqën të martën nga qyteti Xhenin, pas përfundimit të operacionit më të madh ushtarak të kryer për vite të tëra në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Në përgjigje, avionët izraelitë goditën një ndërtesë nëntokësore për prodhimin e armëve, tha ushtria, por ende është e paqartë nëse do të ketë ndonjë përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve.
Izraeli kishte nisur operacionin e tij ushtarak në Xhenin në orët e para të 3 korrikut.
Dymbëdhjetë palestinezë, prej tyre të paktën pesë luftëtarë dhe një ushtar izraelit, janë vrarë.
Operacioni, që sipas ushtrisë së Izraelit synonte shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake dhe armëve në kampin e refugjatëve në Xhenin, nisi me sulme me dronë dhe mbi 1.000 trupa u dislokuan.
Pasi trupat izraelite u tërhoqën, banorët që ishin larguar nga kampi kur nisën luftimet, u kthyen në kamp.
Kampi ku hetojnë rreth 14.000 persona gjendet në një sipërfaqe prej gjysmë kilometri katror. Ky kamp ka qenë një prej pikave kyçe të valës së dhunës që ka përfshirë Bregun Perëndimor në më shumë se një vit dhe që ka rritur shqetësimin ndërkombëtar.
Disa orë pasi forcat izraelite nisën tërheqjen, militantët palestinezë në Rripin e Gazës lëshuan pesë raketa drejt Izraelit, tha ushtria. Raketat u penguan dhe nuk ka raportime të menjëhershme për viktima.
Një përshkallëzim i mëtejmë ndodhi më 4 korrik, pas një sulmi me makinë dhe thikë në Tel Aviv, që la të plagosur tetë persona. Grupi militant palestinez Hamas mori përgjegjësinë për këtë sulm.
Ndërkaq, teksa trupat izraelite po tërhiqeshin nga Xhenini, në këtë qytet në veri të Bregut Perëndimor u dëgjuan shpërthime dhe ka pasur raportime për shkëmbime zjarri në afërsi të spitalit të qytetit.
Mjekët pa Kufij thanë se forcat izraelite kanë hedhur gaz lotsjellës drejt spitalit ku po punonin ekipet e kësaj organizate.
Por, ushtria izraelite tha se nuk është në dijeni që trupat e saj po hidhnin gaz lotsjellës në afërsi të spitalit, por tha se ka kryer një sulm ndaj një personi të armatosur që gjendej pranë një varreze dhe që paraqiste kërcënim për trupat që ishin duke u tërhequr.
“Në këto momente ne po përfundojmë misionin dhe mund të them se aktiviteti ynë i gjerë në Xhenin nuk është operacion që do të ndodhë vetëm një herë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që foli afër një pike kontrolle në afërsi të qytetit.
Evakuimi i qindra familjeve
Luftëtarët palestinezë nga grupe militante, përfshirë Hamasin, Xhihadin Islamik dhe grupin Fatah, kishin fortifikuar kampin me pengesa të ndryshme dhe kishin vendosur pika vrojtuese për t’iu kundërvënë bastisjeve të rregullta të ushtrisë së Izraelit.
Në këtë kamp, ende nuk ka furnizime me energji elektrike dhe ujë, sikurse edhe në disa pjesë të qytetit, pasi buldozerët prenë kabllot elektrike dhe një gyp për furnizim me ujë, teksa po kërkonin bomba të improvizuara.
Forcat izraelite thanë se kanë gjetur një depo nëntokësore me mjete shpërthyese. Sipas tyre, një prej vendeve ku ishin vendosur këto armë ishte në një tunel që kalonte nën një xhami, ku sipas ushtrisë, u konfiskuan 1.000 armë dhe u arrestuan 30 të dyshuar.
Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se për shkak të operacionit ushtarak ka evakuuar 500 familje nga kampi me rreth 3.000 persona.
SHIKONI EDHE: Mijëra persona largohen nga kampi në Bregun PerëndimorNdërkaq, Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se nga përleshjet afër 100 persona janë plagosur, 20 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sa i përket viktimave, Xhihadi Islamik pretendoi se 12 viktimat ishin luftëtarë të tij, Hamasi tha se pesë prej tyre ishin pjesëtarë të tij. Ndërkaq, zyrtarët izraelitë kanë thënë se deri më tani nuk janë në dijeni se në mesin e viktimave ka civilë.
Shtetet e Bashkuar kanë thënë se respektojnë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, por kanë theksuar se është e rëndësishme që të shmangen viktimat në mesin e civilëve. Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin, ndërkaq Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë takim të mbyllur, me kërkesë të Emirateve të Bashkuara Arabe, për ngjarjet në Bregun Perëndimor.
*Video: Operacioni ushtarak i Izraelit në Bregun Perëndimor
Your browser doesn’t support HTML5
Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor gjatë luftës gjashtëditore në vitin 1967.
Duke përjashtuar Jerusalemin Lindor, territori i pushtuar është shtëpi e afër 490.000 palestinezëve që jetojnë në vendbanime që konsiderohen ilegale sipas ligjit ndërkombëtar.
Palestinezët, që kërkojnë të krijojnë shtetin e tyre të pavarur, kërkojnë tërheqjen e izraelitëve nga të gjitha territoret e pushtuara gjatë luftës gjashtëditore dhe të shkatërrojnë të gjitha vendbanimet hebreje.
Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanayhu, është zotuar për “forcimin e vendbanimeve” dhe nuk ka shprehur interesim për rinisjen e bisedimeve të paqes, të cilat nuk janë zhvilluar që nga viti 2014.