Dhjetëra të vrarë në Gazë dhe Liban nga sulmet izraelite

Tym shihet në veri të Gazës pas sulmeve izraelite më 1 nëntor 2024.

Ushtria izraelite ka kryer sulme të reja vdekjeprurëse në Gazë dhe Liban më 1 nëntor, duke vrarë 25 persona në qendër të Rripit të Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavën palestineze. Ndërkaq, si pasojë e sulmeve izraelite dhjetëra persona janë vrarë në Liban.

Në Gazë, Izraeli tha se ka shënesruar infrastrukturën e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në zonën ku operon grupi dhe sulme janë raportuar edhe në kampin e refugjatëve në Nuseirat, ndërkaq në Liban Izraeli intensifikoi sulmet ajrore ndaj Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Zyrtarët në spitalin Al-Aksa në Gazë thanë se kanë vazhduar të pranojnë trupa të viktimave pas sulmeve ajrore në kampin e Nuseiratit, që nisën gjatë natës. Nga këto sulme janë vrarë 21 persona, përfshirë një foshnje 18-muajshe dhe motra e tij 10-vjeçare.

Ndërkaq, sulmet në një shtëpi në Deir al-Bala në Gazë, vranë edhe katër persona, duke bërë që numri i viktimave të arrijë në 25.

Që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2023, janë vrarë më shumë se 43.000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha të premten se 55 persona janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit dhe 196 të tjerë janë plagosur.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Që atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi, por që nga tetori, Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj Hezbollahut dhe ka nisur një ofensivë tokësore në jug të Libanit.

Pavarësisht presionit nga SHBA-ja dhe nga shtete të tjera për një armëpushim në Gazë dhe Liban, Izraeli ka vazhduar sulmet ajrore në Liban të premten, duke vrarë 24 persona vetëm në pjesën verilindore të Libanit.

SHIKONI EDHE: Izraeli e bombardon jugun e Bejrutit

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban ka raportuar për katër sulme ajrore në disa fshatra në verilindje të vendit.

Ushtria izraelite tha se operacionet e saj në Liban kanë shënjestruar infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut.

Sipas njoftimit, sulmet “në zonën e Bejrutit” shënjestruan ndërtesa ku Hezbollahu prodhon armë, qendrat komanduese dhe infrastrukturë tjetër.

Që nga 8 tetori 2023, në Liban janë vrarë më shumë se 2.800 persona dhe janë plagosur 13.000 të tjerë, sipas Ministrisë të Shëndetësisë në Liban.