Rusia ka sulmuar me dronë një port të madh ukrainas prej ku eksportohet drithërat. Si pasojë e sulmit, flakët kanë përfshirë depot dhe kanë shkaktuar dëme të tjera, tha Ukraina, disa orë para se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, të takohen.
Sulmi me dronë që zgjati për tre orë e gjysmë goditi portin Izmail në rajonin e Odesës. Dronët sulmuan depot dhe ndërtesat e prodhimit dhe si pasojë e sulmit, nga zjarri u përfshin edhe disa ndërtesa civile, tha guvernatori i rajonit të Odesës.
Putin dhe Erdogan do të takohen të hënën, më 4 shtator, në Soçi, përderisa Ankaraja dhe Kombet e Bashkuara po synojnë të ringjallin marrëveshjen për eksportin e drithërave ukrainase, pakt që kishte ndihmuar në lehtësimin e krizës ushqimore globale. Turqia ka thënë se këto bisedime janë vitale për marrëveshjen.
SHIKONI EDHE: OKB-ja dhe Turqia i kërkojnë Rusisë të kthehet në marrëveshjen për drithëraRusia u largua nga marrëveshja në korrik, një vit pasi pakti u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia. Moska u ankua se eksportet e saj ushqimore dhe të plehrave artificiale po përballeshin me pengesa dhe në shtetet që ka më së shumti nevojë nuk po shkonin drithëra të mjaftueshme ukrainase.
Kjo ishte marrëveshja e parë që Rusia dhe Ukraina arritën pasi Moska nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.
Pas largimit nga marrëveshja, që njihet edhe si nisma e drithërave e Detit të Zi, Moska vazhdimisht ka kryer sulme ndaj porteve që gjenden në lumin Danub, që është bërë rruga kryesore për eksportin e drithërave ukrainase.
Rreth 17 dronë u rrëzuan, por disa prej tyre goditën caqet në zonën e Izmailit, tha guvernatori i Odesës, Oleh Kiper përmes një postimi në Telegram. Ai shtoi se sipas të dhënave paraprake nga sulmet ruse nuk raportohet për viktima.
Sulmi i së hënës pason sulmet e një dite më parë ndaj një porti tjetër të madh në lumin Danub, në Reni. Nga sulmet e së dielës u dëmtua infrastruktura e portit dhe të paktën dy persona u plagosën.