Kurti reagon pas sulmit në Mitrovicë të V., i bën thirrje Serbisë të ndalë “nxitjen e dhunës”

Një zyrtar i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë që të mos nxisë dhunë, pas sulmit me granatë dore në objektin komunal të Mitrovicës së Veriut.

Kurti ka përmendur rrezikun e humbjes së jetëve, si pasojë e veprimeve të tilla.

Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sulmi ka ndodhur në orët e vona të së hënës.

Sipas Policisë, sulmi ka shkaktuar dëme materiale në veturat zyrtare.

Policia i ka thënë se, në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “kryerja e veprës terroriste”.

Ditë më parë është raportuar edhe për sulme me shok-bomba afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, komuna në veri të Kosovës.

Lexoni edhe këtë: Institucionet pa informata se nga po hyjnë shok-bombat në veri

Tensionet atje janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.