Mbyllen përkohësisht aeroportet kryesore të Moskës pas një sulmi me dron

Aeroporti ndërkombëtar Sheremetyevo në Moskë. Fotografi nga arkivi.

Rusia ka raportuar për një sulm të ri me dron në Moskë mëngjesin e 26 gushtit, që ka detyruar autoritetet që përkohësisht të pezullojnë operacionet në tre aeroporte të mëdha në kryeqytetin rus.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se droni është shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Sipas tij, fluturakja u shkatërrua mbi qarkun Istrinski në rajonin e Moskës, rreth 50 kilometra në perëndim të Kremlinit.

Tri aeroportet e mëdha të Moskës, Sheremetyevo, Domodedovo dhe Vnukovo, pezulluan fluturimet për disa orë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, TASS.

Ky sulm i raportuar vjen një ditë pasi u raportua për sulme me dronë në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe brenda territorit të Rusisë.

SHIKONI EDHE: Aeroportet e Moskës kufizojnë fluturimet sërish, Rusia thotë se e rrëzoi një dron ukrainas

Më 25 gusht, Rusia fajësoi Ukrainën për sulmet me dronë dhe për sulmet e mëparshme. Që nga maji, kur u rrëzuan dy dronë afër Kremlinit, sulmet e tilla në Rusi janë intensifikuar.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 25 gusht se mbrojtja ajrore kishte neutralizuar 73 dronë në 24 orët e fundit, 42 prej të cilëve në Krime.

Kjo ministri tha po ashtu se një raketë ukrainase ishte shkatërruar në Kaluga, rajon në jugperëndim të Moskës, ndërkaq kanalet ruse në Telegram kanë raportuar për shpërthime në qiellin mbi Kaluga, Tula dhe në rajonet e Moskës, që me gjasë janë shkaktuar nga sistemet kundërajrore.

Ndërkaq, mbi 40 përleshje të armatosura kanë ndodhur në vijën e luftës më 25 gusht, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në buletinin e publikuar të shtunën.

Në njoftim u tha se forcat ukrainase po vazhdojnë operacionet e kundërofensivës në drejtim të qytetit strategjik jugor të Melitopolit.

Shtabi i Përgjithshëm tha po ashtu se 1.500 ushtarë rusë kanë arritur më 23 gusht në Osipenko, një fshat në rajonin e pushtuar jugor të Zaporizhjës.