Një sulm ajror izraelit ka vrarë të paktën 36 persona në Han Junis, thanë zyrtarët shëndetësorë në Gazë më 25 tetor.
Sulmi, që ndodhi mëngjesin e së premtes, vjen teksa ushtria izraelite po vazhdon ofensivën në Liban dhe Gazë, pavarësisht presionit ndërkombëtar për armëpushim.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë. Sipas tyre, sulmi ndodhi në kohën kur njerëzit ishin duke pritur në radhë pranë furrës së vetme të bukës që vazhdon të jetë e hapur në këtë qytet në jug të Gazës.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar për këtë sulm në mënyrë specifike. Por, në njoftimin e rregullt për luftimet, tha se “një numër i terroristëve janë eliminuar përmes sulmeve ajrore dhe tokësore” në jug të Gazës.
Përderisa forcat izraelite vazhdojnë të operojnë në mbarë Rripin e Gazës, javëve të fundit Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore dhe tokësore në veri të enklavës, pasi në këtë pjesë, sipas ushtrisë izraelite, kanë nisur të rigrupohen luftëtarët e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
SHIKONI EDHE: Blinken thotë se do të rifillojnë bisedimet për armëpushim në Gazë dhe lirim të pengjeveLufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Ndërkaq, në fillim të tetorit të këtij viti tensionet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listën e tij të zezë krahun ushtarak, por jo dhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.