Sudani refuzon të marrë pjesë në bisedimet rajonale të paqes

Luftimet në kryeqytetin sudanez, Kartum. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Sudanit ka refuzuar që të marrë pjesë në takimin rajonal që synon zgjidhjen e krizës në shtetin e përfshirë nga konflikti, duke akuzuar Kenian – që udhëheq bisedimet – se po favorizon forcat rivale.

Afër 3.000 persona janë vrarë që nga mesi i prillit kur nisën luftime mes forcave të dy gjeneralëve rivalë në Sudan, ndërkaq pothuajse 3 milionë persona janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Blloku i shteteve lindore afrikane ftoi shefin e ushtrisë së Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, dhe Mohamed Hamad Dagalo, që udhëheq Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë, që të takohen në kryeqytetin e Etiopisë më 10 korrik.

Asnjëri prej tyre nuk mori pjesë në bisedime edhe pse Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dërguan përfaqësues në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësuesit e Kenias, Sudanit Jugor, Xhibutit dhe Etiopisë.

SHIKONI EDHE:

Guterres: Sudani është në prag të një lufte të hapur civileLuftime të ashpra në Sudan menjëherë pas skadimit të armëpushimit


Ministria e Jashtme e Sudanit tha se delegacioni i këtij shteti nuk do të marrë pjesë në këtë takim derisa të plotësohet kërkesa që Kenia të mos i udhëheqë bisedime.

Ministria sudaneze ka kërkuar “që presidenti i Kenias, William Ruto, të zëvendësohet... veçanërisht për shkak të anësisë së tij”, u tha në deklaratë.

Sudani më herët kishte akuzuar Nairobin se ka mbështetur Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë duke “strehuar njerëzit e saj dhe duke i ofruar forma të ndryshme të mbështetjes”.