Nga 10 deri në 30 për qind të vlerës së përgjithshme të granteve apo subvencioneve, të fituara nga buqit dhe fermerët, në shumicën e rasteve është dashur të jepen ryshfet për zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, thonë për Radion Evropa e Lirë, Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve dhe Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit.
Ata tregojnë se në shoqata vazhdimisht është diskutuar për parregullsitë në procesin e shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve, por asnjëri nga bujqit apo fermerët, nuk ka marrë guximin që padrejtësitë t’i paraqesin tek autoritetet kompetente, për shkak të frikës së humbjes së përfitimit.
As për Radion Evropa e Lirë, disa nga bujqit e kontaktuar, përfitues të granteve, nuk kanë pranuar të tregojnë historitë e tyre.
Vlera e ndarë për subvencione dhe grante nga Qeveria e Kosovës në pesë vjetët e fundit, sipas tyre, ka qenë rreth 50 milionë euro.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për Radion Evropa e Lirë, lidhur me shumën e ndarë të subvencioneve dhe granteve apo ankesave eventuale të fermerëve apo bujqve.
Mema: “Lista e zezë” për fermerët
Ramadan Mema thotë se shumica e fermerëve janë përballur me kërkesa për ryshfet për sigurimin e skemave të subvencioneve të ndara për ta nga tatimpaguesit e Kosovës.
“Ka ekzistuar një frikë te shumica e përpunueseve që t’i bëjnë publike parregullsitë sepse kanë menduar se do të hyjnë në ‘lista të zeza’ jozyrtare, që në të ardhmen nuk do të kenë mundësi që të jenë përfitues të skemave të ndryshme të subvencioneve që i ka aplikuar Ministria e Bujqësisë. Përndryshe, mendoj se pjesa dërmuese e përfituesve të këtyre subvencioneve, secili mund të ketë një histori”, tha Mema.
Your browser doesn’t support HTML5
Subvencionet janë fonde që qeveria ua merr taksapaguesve dhe ua jep grupeve të caktuara për t’i mbështetur bizneset e tyre dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.
Kurse grantet janë ndihmë e dhënë nga një organizëm qeveritar ose joqeveritar, në formën e transferimit, por që duhet plotësuar disa kushte të paracaktuara që lidhen me veprimtarinë e shfrytëzimit të kësaj njësie ekonomike.
Tahiri: Grantet, burim i keqpërdorimeve
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, thotë se keqpërdorimet në të shumtën e rasteve janë bërë në procesin e aprovimit të granteve, pasi vlera e mjeteve në këtë skemë ka qenë më e madhe.
“Te grantet ka pasur presion dhe kërkesa të mëdha. Për të fituar një grant, pjesa dërmuese e bujqve është dashur të japin 30 për qind të vlerës së projektit për të cilin kanë aplikuar. Nëse bujku ka aplikuar për 200 mijë euro, është dashur të japë 60 mijë euro për ta fituar projektin”, tha Tahiri.
SHIKONI EDHE: Vit rekord i rendimenteve të gruritAhmetaj: Kam hequr dorë nga aplikimet për shkak të parregullsive
Një nga fermerët që ka aplikuar për pesë vjet radhazi për grante në Ministri të Bujqësisë është Bashkim Ahmetaj nga Komuna e Pejës, por asnjëherë nuk ka arritur që të përfitojë. Ahmetaj udhëheq fermën “Agro Ferma” dhe ka rreth 30 krerë lopë.
Ai vitet e fundit ka hequr dorë nga aplikimi, për shkak siç thotë Ahmetaj, parregullsive që kanë ekzistuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
“Unë kam hequr dorë sepse thoshin se duhet jap 10, 20 apo 30 për qind. Kështu që vendosa të mos aplikoj për grante edhe pse plotësoj kriteret e kërkuara. Nuk kam dashur të jap ryshfet paraprakisht”, tregon ai.
Pikërisht, për keqpërdorim të subvencioneve, marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, Policia e Kosovës më 24 shkurt ka arrestuar 12 persona, në mesin e të cilëve dhjetë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, agjenci kjo që funksiononin në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë. Gjatë bastisjes në shtëpitë e personave të arrestuar, sipas kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, janë sekuestruar deri në 400 mijë euro.
SHIKONI EDHE: Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për keqpërdorim të subvencioneveGjykata Themelore në Prishtinë, të premten, më 26 shkurt, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tetë nga zyrtarët, kurse për dy të tjerë është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Kurse më 25 shkurt, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe nëntë persona në komuna të ndryshme të Kosovës, që lidhen me rastin e njohur si “Subvencioni 2021”. Sipas Policisë, “ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e dyshuar përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë”.
Tahir Tahiri thotë se në rast se bujqit kanë shkuar dhe janë ankuar në Polici apo kanë dhënë prononcim për media, janë ndëshkuar nga zyrtarë e Ministrisë së Bujqësisë.
“Për ata (bujqit që kanë bërë publik aferat korruptive) janë gjetur forma të llojllojshme për të refuzuar aplikacionin për marrjen e granteve”, thotë ai.
Ndryshe, për të rritur interesimin e fermerëve për mbjelljen e sipërfaqeve më të mëdha me grurë apo kulturave tjera bujqësore, Ministria e Bujqësisë përmes programeve bujqësore, ka disa vite që subvencionon fermerët me nga 150 euro në vit, kurse sipërfaqja minimale e mbjellë me grurë duhet të jetë dy hektarë në pronësi të fermerit. Subvencione me vlera të ndryshme kryesisht ndahen për blegtori, perimtari, pemëtari, pylltari, shpezëtari, bletari dhe mbjellje pranverore dhe vjeshtor.