Studentët rusë paguajnë çmim të shtrenjtë për protestat politike

Pamje e një protestuesi të gjakosur në protestat për lirimin e liderit opozitar në Rusi, Aleksei Navalny.

Savely Narizhny është 15-vjeçar, ish-anëtar i shkollës së mesme në veriperëndim të qytetit rus Vologda. Më 23 janar, ai është ndalur në qendër të qytetit për pjesëmarrje në një protestë masive, në mbështetje të liderit opozitar Aleksei Navalny, i cili në atë kohë ishte i burgosur dhe përballej me akuza të rënda penale.

Narizhny nuk është ndaluar, mirëpo policia ia ka konfiskuar telefonin.

Tri ditë më vonë, policia e ka kërkuar në shtëpi.

Narizhny e pranon se ka shkruar grafiti, duke e quajtur liderin rus Vladimir Putin “hajn”, në muret e një ndërtese të administratës rajonale.

Pas pak kohësh, prokurorët e kanë kategorizuar këtë akt si “veprim të kryer nga një grup njerëzish, të motivuar në baza politike, ideologjike, racore, nacionaliste apo të urrejtjes fetare”.

Nëse dënohet, ai mund të përballet me tre vjet burgim.

SHIKONI EDHE: Navalny “po humb ndjesinë në duar dhe këmbë”

Pas paraqitjes së padisë penale, Narizhny është kontaktuar nga administrata e shkollës. Zyrtarët i kanë bërë presion që të heqë dorë nga shkolla.

“Ata më kanë thënë ‘neve nuk na duhen kriminelë’ dhe gjëra të tjera”, ka thënë Narizhny për Radion Evropa e Lirë.

“Do të jetë më mirë për ty nëse largohesh me dëshirën tënde”.

Tani ai është pjesë e shkollës së natës, teksa pret gjyqin.

Gjatë valës së parë të protestave, në mbështetje për Navalnyn dhe kundër Qeverisë së Putinit, në janar dhe shkurt, zyrtarët rusë dhe mediat e kontrolluara nga shteti – duke vërejtur lëvizjen kryesisht të të rinjve – kanë akuzuar vazhdimisht opozitën për joshje të tyre.

“Është absolutisht e papranueshme që të shtyhen të miturit përpara”, ka thënë Putin.

“Kjo është ajo që bëjnë terroristët”.

SHIKONI EDHE: SHBA dhe BE sanksionojnë Rusinë për rastin Navalny

Një moderator i televizionit shtetëror, Dmitry Kiselyov, është pozicionuar kundër opozitës në emisionin e tij, duke i akuzuar ata për “shtyrje të fëmijëve në politikë sikurse pedofilë politikë”.

Megjithatë, mbështetësit e opozitës kanë qenë të shpejtë në krijimin e një materiali, që përmes montazhës paraqiste kokën e Kiseloyvit në trupat e fëmijëve të vegjël, duke marrë pjesë në ngjarjet e organizuara nga partia në pushtet, Rusia e Bashkuar.

Disa javë prej zhvillimit të protestave, zyrtarët lokalë në Rusi kanë shtypur të rinjtë – jo vetëm fëmijët – të cilët kanë marrë pjesë në to. Shumë e kanë gjetur veten duke u përballur me dëbime nga institucionet e tyre edukuese, me akuza të rënda penale, ose sikurse rasti i Narizhnyt, me të dyja.

I zënë në shtypjen pas protestave në Vologda ka qenë edhe 17-vjeçari Ilya Yelshin. I vetëshpallur nxënës i dobët në Shkollën e Mesme Spassky, Yelshin ka kaluar kohën më të madhe duke punuar në kanalin e tij në YouTube, duke paraqitur veten në disa situata, përfshirë atë duke qëndruar për më shumë se gjashtë orë në temperatura -20 gradë Celsius, i veshur vetëm bluzë me mëngë të shkurtra.

“Ndjenja e shqetësimit"

Në muajin janar, teksa Navalny përgatitej për kthim nga Gjermania, ku ka kaluar disa javë duke u shëruar nga helmimi me agjent nervor, Yelshin ka nisur të shtojë përmbajtje politike në kanalin e tij, duke përfshirë kryerjen e sondazheve me të rinj të tjerë, duke i pyetur nëse mbështesin Navalnyn apo Putinin.

Your browser doesn’t support HTML5

Navalny: E di kush donte të më vriste

Navalny përndryshe beson se sulmi kundër tij është kryer nga agjentë të Shërbimit Federal të Sigurisë, me urdhër të Putinit.

Më 23 janar, ai ka publikuar një material në rrjetin social YouTube nga protesta e Navalnyt në Vologda.

Pamje nga protestat në Vologda.

“Pata nisur të shqetësohesha se çfarë ishte duke ndodhur në Rusi në ato momente. Gjërat shkonin keq”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Protestat nisën dhe unë nisa të shihja disa gjëra. Problemet e Rusisë, Putini…”.

Ndonëse mësuesit u kanë folur nxënësve për “rrezikun” e protestave, para se ato të mbaheshin, asgjë nuk i ka ndodhur Yelshinit gjatë protestave.

Ditën tjetër, dy policë i kanë shkuar në shtëpi dhe e kanë paralajmëruar se ai ka qenë shënjestër e hetimeve penale. Pak kohë më pas, ai është thirrur për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit rajonal.

“A nuk e kuptoni se jeni duke vendosur jetën tuaj në rrezik duke u përfshirë në këtë gjë?”, e ka pyetur atë prokurori, sipas një audio-incizimi që Yelshin e ka bërë dhe e ka postuar në rrjetet sociale.

“Jeni duke u shfrytëzuar. Ti nuk e kupton se sa po të shfrytëzojnë ty”.

“Dhe a ke menduar se si je duke u shfrytëzuar?”, ka rikujtur Yelshin deklaratat e zyrtarëve.

Mbështetësit e Navalnyt kanë bërë thirrje për një tjetër protestë më 31 janar. Pak para asaj date, Yelshin ka postuar një video, në të cilën ka thënë: “Nëse dëshironi të dilni, dilni. Mirëpo mendoni disa herë para se të vendosni që të mos dilni”.

SHIKONI EDHE: Navalny e quan “kamp përqendrimi” burgun ku ndodhet

Sipas avokatit të Yelshinit, Sergei Tikhonov, drejtorja e shkollës së Yeleshinit, është telefonuar nga policia, për të raportuar atë material dhe pas pak kohësh ai ka nisur të ketë probleme.

Drejtorja e Shkollës së Mesme Spassky, Lyudmila Guseva nuk ka pranuar të intervistohet për këtë artikull.

Politikani nga Vologda Yevgeny Domozhirov, i cili është anëtar i Këshillit Qendror të Partisë për Progres të Navalnyt, ka publikuar një fotografi të raportit policor të thirrjes së Gusevas, me datë 29 janar.

Ai ka akuzuar Gusevan për hipokrizi të paralajmërimit të studentëve që të mos përfshihen në politikë, dhe në të njëjtën kohë, duke pranuar partinë Rusia e Bashkuar në shkollën që drejton.

“Mjafton që të shikoni faqen e shkollës dhe të shihni ripostimet e vazhdueshme nga shkolla, të partisë së hajnave, si dhe organizimet në shkollë” ka shkruar Domozhirov.

“Do të bëhet edhe më keq”

Yelshin është ndaluar në protestat e 31 janarit. Policia e ka konsideruar atë “organizator” të protestës. Ai është gjobitur me 260 dollarë për këtë vepër dhe më 130 dollarë për pjesëmarrje në protestën e dytë.

Përveç kësaj, prindërit e tij janë gjobitur me 1.30 dollarë për “dështim të kryerjes së obligimeve prindërore”.

Brenda pak ditësh, Yelshin – sikurse Narizhny – është marrë në pyetje nga administrata e shkollës dhe i është bërë presion që të heqë dorë.

“'Ilyusha, natyrisht, ne nuk po të detyrojmë për asgjë, mirëpo do të ishte më mirë nëse largoheni”, ka rikujtur Yelshin deklarat që i janë thënë.

“Ata më kanë thënë: ‘Ti e din veten se do të bëhet vetëm më keq’”.

Prej kur ka lënë shkollën, Yelshin ka thënë se ka më shumë kohë të punojë në kanalin e tij në YouTube.

Në mesin e gjërave tjera, ai ka postuar një material se si “është larguar nga shkolla”.

“Tani nuk jam në student”, ka thënë ai.

“Nuk studioj askund. Me pak fjalë, unë jam lypës”.

Aktivistja Vera Inozemtseva.

Në qytetin jugor të Rusisë, Astrakhan, 22-vjeçarja Vera Inozemtseva dhe dy studente tjera janë dëbuar nga Universiteti Shtetëror Astrakham, për pjesëmarrje në protestat e Navalnyt në atë qytet më 23 janar. Ajo ka thënë se pas protestave është “rrëmbyer” nga zyrtarë policorë, të cilët ia kanë marrë telefonin dhe e kanë përdorur atë për të postuar mesazhe inkriminuese në llogaritë e saj në rrjetet sociale.

“Jam dërguar nga dhoma në dhomë”, ka thënë ajo teksa ka përshkruar kohën e kaluar në burg dhe “më në fund jam dërguar në një dhomë dhe një zyrtar nga Qendra E ka ardhur”.

Qendra E është pjesë e departamentit të Ministrisë së Brendshme, përgjegjëse për luftim të ekstremizmit.

Shtypja e protestave në Rusi pas dënimit të Navalnyt

Kjo qendër është kritikuar shumë për shtypje të disidentëve politikë paqësorë.

“Kam tentuar të gjejë bazën ligjore të kësaj bisede dhe kam pyetur se ku ka mbetur telefoni im, mirëpo zyrtari nuk është përgjigjur në pyetjet e mia dhe vetëm më ka pyetur se pse nuk e dua Putinin”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se është kthyer në shtëpi nga tre burra të maskuar në një makinë pa shenja të policisë.

Një prej tyre e ka pyetur, “Tani do të kesh sjellje të mira, apo jo?”

“Jam përgjigjur se do të ankohem në Zyrën e Prokurorit”, ka thënë ajo.

Sapo janë larguar burrat me maska, dy zyrtarë policorë me unformë i janë afruar asaj dhe i kanë kërkuar që t’iu bashkohet.

“Nuk dua të heq dorë”

“Kam menduar se kam humbur mendjen apo kam qenë në mes të një ankthi”, ka thënë ajo.

Në fund, ajo është gjobitur me 10,000 rubla për pjesëmarrje në protestë.

Ajo ka bërë ankesë te prokurorët më 24 janar, mirëpo Komiteti Hetues nuk ka pranuar të nisë hetimet.

“Ne jemi duke apeluar refuzimin”, ka thënë ajo.

SHIKONI EDHE: Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkon lirimin e Navalnyt

Në muajin mars, një gjykatë lokale ka kundërshtuar apelin e Inozemtsevas kundër dëbimit të saj nga universiteti.

“Tani jemi duke u përgatitur për apelin tjetër”, ka thënë Inozemtseva, e cila ka qenë duke punuar për një temë të nivelit master, në fushën e shkencave politike para se përjashtohej, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Unë jam gati të shkoj në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Por, dua të fitoj rastin kundër universitetit këtu në Rusi dhe jo në Gjykatën Evropiane”, ka shtuar ajo.

“Dua t'i shoh duke u ndëshkuar njerëzit që më kanë rrëmbyer më 23 janar”.

“Nuk dua të heq dorë”, ka thënë mes tjerash ajo.

“Të heq dorë, për çfarë?Kjo nuk mund të quhet as aktivizëm. Unë bëj atë që bëj. Mirëpo nëse ndaloj së vepruari, do të bëhem person indiferent. Dhe ndonëse Rusia nuk më do, unë nuk mund të jem indiferente”.

Përgatiti: Krenare Cubolli