“Na e ka lehtësuar jetën”: Studentët e komuniteteve që morën bursë

Your browser doesn’t support HTML5

Dy vjet pauzoi pas përfundimit të shkollës së mesme, për t’i nisur studimet në vitin akademik 2023/2024.
Alberina Bajrami nuk kishte mundësi të mira ekonomike e as vullnet për të studiuar, nga frika se mund të paragjykohej për përkatësinë e saj ashkalike.

Por, angazhimi si vullnetare në organizatën joqeveritare Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE) dhe takimet me njerëz të ndryshëm atje e ndihmuan të ndryshonte mendje: së paku t’i niste studimet.

Në tetor filloi t’i ndiqte ligjëratat e para në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, drejtimi menaxhment.

Udhëtonte çdo ditë me autobus nga qyteti i saj i Podujevës - rreth 30 kilometra larg.

“Para se të filloja, mendoja se do të jetë më rëndë, se do të ballafaqohem me paragjykime, për shkak të përkatësisë sime etnike... por gjeta një situatë tjetër. Jam shumë mirë. Asnjëherë nuk më ka ofenduar, bullizuar apo paragjykuar dikush”, tregon Alberina, e vetmja ashkalike në grupin e studentëve ku bën pjesë.

Alberina Bajrami, studente e vitit të parë në Universitetin e Prishtinës.

Befasitë për të mirë nuk iu ndalën me kaq.

Në dhjetor, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndanë bursa për 55 studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në universitet publike të Kosovës, duke i ndihmuar ata me nga 1.000 euro.

Dhe, Alberina ishte një prej përfituesve, e cila thotë se bursa “ia ka lehtësuar jetën”.

Studimet në universitetet publike të Kosovës janë pa pagesë, por Alberina - familja 8-anëtarëshe e së cilës jeton me ndihmë sociale - thotë se me paratë e dhuruara nga shteti, do të paguajë biletën e autobusit dhe librat që i duhen.

Përfituese e bursës është edhe Mihrije Shala, e cila ndjek vitin e parë të studimeve në Fakultetin e Edukimit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

“Bursa më ndihmon t’i vazhdoj studimet”, thotë ajo.

“Më ndihmon të mos jem e varur nga prindërit, të mos i ngushtoj as ata e as veten”, thotë studentja rome, e bindur se pas përfundimit të shkollimit, do të gjejë edhe një vend pune në profesionin e saj.

Mihrije Shala më përkatësi rome, është studente në vitin e parë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Këtë optimizëm e shpreh edhe Muhamer Duda.

Në vitin e parë të studimeve për Menaxhim të Hotelerisë dhe Turizmit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Muhameri, i cili i takon komunitetit ashkali, është i angazhuar edhe në një organizatë joqeveritare, ku merr pagë.

Me të thotë se do ta ndihmojë familjen e tij 4-anëtarëshe, pasi vetëm babai i tij punon herë pas here në ndërtimtari, kurse me bursën që ka përfituar, do t’ia lehtësojë vetes ndjekjen e studimeve.

“Por, pavarësisht se a fiton bursë apo jo, edhe nëse janë kushtet e vështira, ti duhet t’ia vësh vetes një qëllim, sepse studimet janë shumë të rëndësishme për një të ardhme më të mirë”, thotë Muhameri, i cili paralelisht me studimet ndjek edhe një kurs të programimit.

Muhamer Duda nga Ferizaj, është përfitues i bursës se qeverisë. Ai është në vitin e parë në programin e studimeve Menaxhimi i Hotelierisë dhe Turizmit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Si është gjendja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian?

Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptianë.

Numri i atyre që studiojnë nga këto komunitete, është tejet i vogël.

Sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga MASHTI, në vitin akademik 2023/2024, në të gjitha universitetet publike dhe kolegjet private në Kosovë u regjistruan 41 studentë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, nga 20.664 gjithsej.

Sa i përket punësimit në mesin e këtyre komuniteteve, të dhëna zyrtare nuk ka, por, sipas një raporti të vitit 2021 të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në mars të vitit 2019, rreth 2.000 romë, 3.581 ashkalinj dhe 947 egjiptianë pranuan ndihmë sociale nga institucionet e Kosovës.

Problem shtesë për ta është edhe diskriminimi në të cilin hasin.

Sipas një hulumtimi të vitit të kaluar të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), mbi 25 për qind e bizneseve në Kosovë kanë thënë se nuk do të ishin të gatshme të punësonin romë, ashkalinj apo egjiptianë në kompanitë e tyre.

Në përpjekje për t’i nxitur dhe mbështetur në studime, Qeveria e Kosovës, edhe në vitin 2022 ka ndarë 26 bursa për studentët e këtyre tri komuniteteve. Bursa janë ndarë vazhdimisht edhe për nxënësit e shkollave të mesme.

“Në vitin shkollor 2021/2022 kemi ndarë 500 bursa në vlerë prej 300 eurosh; në vitin shkollor 2022/2023 kemi ndarë 498 bursa, ndërsa për vitin 2023/2024 - pra viti shkollor akademik që ka filluar sivjet dhe vazhdon edhe vitin e ardhshëm - i kemi planifikuar 500 bursa. Kësisoj bëhen rreth 1.500 bursa për tre vjet”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi që ka pasur me studentët përfitues të bursave në muajin dhjetor.

Tre bursistët në një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në sistemin e arsimit parauniversitar të Kosovës, numri i përgjithshëm i nxënësve llogaritet të jetë rreth 295.000. Prej tyre, mbi 6.300 janë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.



Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës zotohen se numri i bursave për studentët e këtyre komuniteteve do të shkojë duke u rritur.

“Jam i bindur se, vitin tjetër, do të ndahen 100 bursa. Do të punojmë që të ketë më shumë studentë që përfitojnë nga këto bursa”, tha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.


Për këtë qëllim është angazhuar edhe Alberina. Si vullnetare në organizatën VORAE, ajo takon dhe bisedon me vajza të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, çdo muaj.

“Në çdo takim mundohem t’i bind se duhet të bëjnë përpjekje për t’u regjistruar në universitet. Në këtë mënyrë, e ardhmja e tyre do të jetë më e lehtë edhe për veten e tyre, edhe për familjet e tyre”, përfundon Alberina.