Strehimoret bërthamore të dizajnuara nga sovjetikët të fshehura në metronë e Pragës

Ky është momenti kur një derë prej 20 tonësh, rezistente ndaj shpërthimeve, e krijuar për t'i bërë ballë një shpërthimi bërthamor, u mbyll gjatë provave në një stacion metroje nën rrugët e Pragës.

Dera është një pjesë e Sistemit të Mbrojtjes së Metrosë së Pragës (Ochranny System Metra, ose OSM), një rrjet strehimoresh të forta të krijuara për të mbrojtur njerëzit gjatë një sulmi bërthamor, kimik ose biologjik.

 

Inxhinierët duke shikuar ndërsa dera rezistente ndaj shpërthimeve me mbyllje hermetike, lëviz mbi shinat e metrosë.

Sistemi Mbrojtës i Metrosë u ndërtua në rrjetin e metrosë së Pragës duke filluar nga viti 1974, kur hija e luftës bërthamore po përndiqte Evropën.


 

Një tren metroje pret detyrat e tij në mëngjes, ndërsa një derë rezistente kundër shpërthimeve testohet aty pranë.

Sot, autoritetet e Pragës e përshkruajnë qëllimin e Sistemit Mbrojtës të Metrosë së qytetit që "të mbrojë popullsinë nga ndikimi i armëve të shkatërrimit në masë për një periudhë prej 72 orësh" dhe "të izolojë pjesë të metrosë në rast të një përmbytjeje të madhe".

Një punonjës i metrosë inspekton një mur të hyrjeve të filtrave të ajrit në Sistemin Mbrojtës të Metrosë së Pragës.

Rrjeti i strehimoreve është projektuar për të akomoduar deri në 320 mijë njerëz brenda disa stacioneve të metrosë të pajisura posaçërisht dhe tuneleve ndërmjet tyre.



 

Një ventilator për ajrosje në një dhomë që punëtorët thonë se është shurdhues kur Sistemi është në funksion.

Josef Filip, menaxher teknik i Sistemit Mbrojtës të Metrosë së Pragës, i tha Radios Evropa e Lirë se rrjeti i strehimoreve ishte sekret shtetëror nën regjimin komunist të mbështetur nga sovjetikët në Çekosllovaki.

“U ndërtua gjatë Luftës së Ftohtë dhe në atë kohë ishte nën kontrollin e ushtrisë”, thotë ai.

Një fotografi e vitit 2018 tregon një derë rezistente ndaj shpërthimit brenda metrosë së epokës sovjetike në Tashkent, Uzbekistan.

Rrjeti i strehimoreve bërthamore të Pragës brenda metrosë së saj është një nga pak të tillët në botë. Disa pjesë të metrosë në Moskë, Kiev dhe Tashkent (në foto) janë gjithashtu të pajisura për t'i mbrojtur njerëzit nga armët e shkatërrimit në masë.

Filtrat e ajrit brenda sistemit të metrosë së Pragës, të cilët do të aktivizoheshin në rast se atmosfera e jashtme kontaminohet me pluhur radioaktiv ose nëse Praga goditet me armë biologjike ose kimike.

Disa informacione rreth Sistemit Mbrojtës të Metrosë së Pragës mbeten sekrete. Kompania e Transportit të Qytetit të Pragës i kërkoi Radios Evropa e Lirë të mos specifikojë stacionin e metrosë ku janë marrë këto imazhe.

 

Një valvul ajri në sistemin e ventilimit të OSM-së.

Filipi thotë se çdo natë bëhen testime në Sistemin Mbrojtës të Metrosë së Pragës për t'u siguruar për gatishmërinë e saj. Kompania e transportit i tha Radios Evropa e Lirë se kostoja totale e funksionimit të sistemit është e vështirë të matet, por për "riparimet dhe mirëmbajtjen" shpenzohen rreth 80 milionë korona çeke (3.3 milionë dollarë) në vit.

Një korridor ventilimi përmes një seksioni të një stacioni metroje të Pragës.

Furnizimi me ujë brenda Sistemit Mbrojtës të Metrosë së Pragës bëhet përmes rrjetit të qytetit. Strehimoret përmbajnë gjithashtu basene për depozitimin e ujit, të cilat mund të mbushen në përgatitje për një kolaps të infrastrukturës në ambientin e jashtëm.
 
 

Tanke që furnizojnë me naftë sistemet e ventilimit dhe gjeneratorët që prodhojnë energji elektrike brenda një strehe në Sistemin Mbrojtës të Metrosë.

Asnjë ushqim nuk mbahet brenda Sistemit Mbrojtës të Metrosë. Filipi thotë se “pritet që njerëzit që zbresin këtu në rast urgjence, të sjellin me vete gjërat e tyre për të ngrënë”.
 

Një derë lëviz brenda Sistemit Mbrojtës të Metrosë duke u mbylllur pasi drita e kuqe mbi derë fillon të pulsojë dhe bie alarmi.

Vetëm disa stacione metroje të Pragës janë të pajisura për t'u mbyllur në rast lufte bërthamore. Kompania e Transportit të Qytetit rendit stacionet në një hartë interaktive të Pragës, së bashku me tunelet e metrosë midis tyre që do të shërbenin si strehë.
 

Një derë rezistente ndaj shpërthimeve në stacionin e metrosë Dejvicka të Pragës, e fotografuar teksa afrohet një tren.

Pjesa më e madhe e Sistemit Mbrojtës të Metrosë (OSM) u ndërtua gjatë Luftës së Ftohtë, por versionet e përditësuara të sistemit të epokës sovjetike janë përfshirë në disa stacione më të reja të metrosë të ndërtuara nga Çekia e pavarur.

 
 

Një punëtor i metrosë ecën përmes një muri me pengesa të krijuara për të ngadalësuar rrjedhën e ajrit brenda nëntokës së Pragës.

Një zëdhënës i Kompanisë së Transportit të Qytetit të Pragës konfirmoi se me kapacitetin e kufizuar të Sistemit Mbrojtës të Metrosë, për më pak se një të katërtën e popullsisë 1.4 milionëshe të kryeqytetit çek, "nuk mund të supozohet se të gjithë banorët do të strehoheshin në metro" në rast lufte.

 

Ventilatorët brenda një stacioni metroje në Pragë.

"Shumë banorë do të largoheshin nga Praga para se të fillonte një konflikt i armatosur", parashikon zëdhënësi i Kompanisë së Transportit të Qytetit të Pragës.

Një vaskë dhe çezma brenda Strehës Folimanka, një bunker nëntokësor në qendër të Pragës i krijuar për të strehuar njerëzit në rast të një sulmi bërthamor.

Ashtu si Sistemi Mbrojtës i Metrosë (OSM), Praga ka hapësirë ​​brenda një rrjeti të veçantë bunkerësh bërthamorë funksionalë të epokës së Luftës së Ftohtë, siç është ai që shihet këtu, i cili mund të strehojë rreth 150 mijë njerëz për të njëjtën periudhë 72-orëshe sikurse OSM-ja.

Telefonat brenda dhomës së kontrollit të një strehimoreje brenda OSM-së.

Kompania e Transportit e ngarkuar me Sistemin Mbrojtës të Metrosë së Pragës thotë se "kërkohet një kohë e caktuar për të vënë në gatishmëri sistemin e mbrojtjes", pa specifikuar më shumë hollësi.

Një stacion metroje në Pragë, në qendër të kryeqytetit çek.

"Kur arrihet shkalla më e lartë e gatishmërisë, mbyllja e strehës është çështje e disa minutave", i tha Radios Evropa e Lirë zëdhënësi i Kompanisë së Transportit të Qytetit të Pragës, para se të shtojë se, "metroja nuk mund të përdoret për t'u fshehur në rast të një të ashtuquajturi sulm i papritur”.
 

Butonat në një tavolinë në një dhomë kontrolli të një strehe në Sistemin Mbrojtës të Metrosë.

Me përshkallëzimin e fundit midis Rusisë dhe Perëndimit, kritika e vazhdueshme ndaj sistemit të strehimoreve -- kostoja e tij -- është zbehur.

Një korridor poshtë Pragës së bashku me një stacion publik metroje.

Para pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës, disa anëtarë të lartë të këshillit të qytetit kërkuan që strehimoret bërthamore të Pragës të çmontoheshin.

Një derë duke u mbyllur gjatë testimit të një strehe të Sistemit Mbrojtës të Metrosë.

Sot, argumentet për mbylljen e rrjetit të strehimoreve të Pragës kanë rënë në heshtje.
 

Një stacion metroje në Pragë i fotografuar më 5 dhjetor.

Disa vende të tjera evropiane, duke përfshirë fqinjin e Çekisë, Gjermaninë, po bëjnë përgatitje aktive për të strehuar popullsinë e saj në dritën e asaj që quhet "një situatë e përkeqësuar e kërcënimit ndërkombëtar".
 

Radios Evropa e Lirë iu dha një qasje e paprecedent në një rrjet strehimoresh të kohës së Luftës së Ftohtë brenda Sistemit të Metrosë së Pragës, të dizajnuara për të qenë strehë mbrojtëse gjatë luftës. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)