Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka cilësuar të mërkurën si të rëndësishëm shtimin e trupave të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, pas rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, si pasojë e sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit muajin e kaluar.
Më 6 tetor, NATO-ja njoftoi se 200 ushtarë britanikë mbërritën në Kosovë, të cilët iu bashkuan kontingjentit britanik prej 400 ushtarësh të ndodhej tashmë në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Trupat britanike të NATO-s mbërrijnë në Kosovë“Kemi parë rritje të re të tensioneve atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, tha Stoltenberg të mërkurën para takimit dyditor në Bruksel të ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, ku do të diskutohet edhe për misionin e kësaj aleance në Kosovë.
Më 6 tetor, Gjermania tha se do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të vitit të ardhshëm.
Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë erdhi rreth dy javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë.
SHIKONI EDHE: Shtëpia e Bardhë: Serbia ka nisur tërheqjen e trupave nga kufiri me KosovënPak ditë pas sulmit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ngritën shqetësime se Serbia po zhvendoste trupa ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën. Kjo u mohua nga Serbia.
Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë tha se Serbia ka filluar t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.
Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.