Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në Bruksel se po punon intensivisht për të marrë ratifikimet përfundimtare të Turqisë dhe Hungarisë për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, porse pranimi i tyre në të njëjtën kohë nuk është "çështja kryesore".
Parlamentet e të 30 anëtarëve të aleancës ushtarake duhet të ratifikojnë zyrtarisht kërkesën e Finlandës dhe Suedisë përpara se ato të pranohen në Aleancë.
Turqia dhe Hungaria janë dy anëtarët e vetëm të NATO-s që nuk e kanë bërë këtë.
“Çështja kryesore nuk është nëse pranimet e Finlandës dhe Suedisë ratifikohen së bashku, e rëndësishme është që të ratifikohen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Stoltenberg në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel të martën, më 14 shkurt.
“Jam i bindur se do të marrim edhe këto dy ratifikime dhe po punoj fort për ta arritur këtë sa më shpejt”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Finlanda mund ta vazhdojë rrugën e anëtarësimit në NATO pa SuedinëUdhëheqësit e 30 vendeve anëtare të NATO-s kanë vendosur të ftojnë Suedinë dhe Finlandën për t'iu bashkuar Aleancës gjatë samitit në Madrid në korrik të vitit 2022.
Komentet e Stoltenberg vijnë pasi Turqia sugjeroi se mund të lejojë Finlandën të bashkohet me Aleancën, pa pranuar Suedinë.
Vendimi i autoriteteve suedeze për të miratuar protestën para ambasadës turke në Stokholm, gjatë së cilës iu vu zjarri librit të shenjtë mysliman të Kuranit, shkaktoi zemërim në Ankara, e cila ndaloi negociatat për ratifikimin e marrëveshjes.
Shumica e finlandezëve besojnë se hyrja e vendit të tyre në NATO mund të ndodhë pa e pritur Suedinë.
Megjithatë, liderët e dy vendeve rikonfirmuan dëshirën e tyre për t'u pranuar së bashku në Aleancë.
Më 14 dhe 15 shkurt në Bruksel po mbahet takimi i ministrave të Mbrojtjes së NATO-s dhe tema kryesore është dërgimi i armëve në Ukrainë, e cila u sulmua nga Rusia gati një vit më parë.