Stadiumi i Klubit të Futbollit Novi Pazar në Serbi do të quhet CaizCoin Arena, duke u bërë kështu një nga stadiumet e pakta të futbollit që mban emrin e një kriptovalute.
Klubi njoftoi në fillim të shkurtit se ka nënshkruar marrëveshjen më të madhe të sponsorizimit deri më tani, dhe atë me kompaninë CaizCoin të Zvicrës.
Kompania tregton kriptovaluta me të njëjtin emër, duke u bazuar në parimet e bankimit islamik.
SHIKONI EDHE: Çfarë janë kriptovalutat?Sponsori më i madh në historinë e klubit
Sekretari i përgjithshëm i klubit futbollistik, Fikret Megjedoviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi me këtë kompani zvicerane ka ardhur pasi është kontaktuar nga anëtarët e udhëheqjes së klubit.
“Më pas na kanë thirrur ata neve, sepse u konvenon ky treg. Kanë vendosur të hyjnë në klubet e futbollit në të gjithë botën”, ka thënë Megjedoviq.
Sipas tij, kompania sponsorizon edhe klubet më të mëdha botërore të futbollit, si: Real Madrid, Atletico Madrid, Borussia Dortmund dhe disa klube nga Turqia.
Kompania, po ashtu, sponsorizon një nga klubet më të njohura në Bosnje e Hercegovinë - Zhelezniçarin nga Sarajeva.
Sponsorizimi në Novi Pazar është investimi i parë i kompanisë në Serbi.
“E kemi shfrytëzuar për kënaqësinë tonë reciproke dhe kemi bërë bashkëpunimin”, ka thënë Megjedoviq.
Klubi i tij, i themeluar në vitin 1928, është i vetmi nga ajo pjesë e Serbisë që garon në Superligë - niveli i parë konkurrues në futboll në Serbi.
Megjedoviq ka thënë se marrëveshja e sponsorizimit është nënshkruar për një vit e gjysmë. Nëse klubi mbetet në Superligë pas gjysmë viti, kontrata do të vazhdohet automatikisht edhe për një vit.
Megjedoviq ka thënë se kompania CaizCoin është sponsori më i madh në historinë e klubit të tij.
“Kjo marrëveshje nënkupton stabilitet dhe siguri të madhe financiare për klubin tonë, së bashku me qytetin e Novi Pazarit dhe vetëqeverisjen lokale”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se sponsorizimi do ta bëjë më të lehtë për klubin të marrë lojtarë të rinj.
“Deri më tani, kemi kërkuar diçka më modeste, më lirë, për të mbledhur një staf me lojtarë që kërkojnë më pak para. Tani do të mund të shohim lojtarë më të mirë, të cilët do të na mundësojnë një vendosje më të mirë, në të njëjtën rang me klubet nga pjesa e sipërme e tabelës”, ka thënë Megjedoviq.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse klubi tani do të merret me kriptovaluta apo me promovimin e tyre, Megjedoviq ka thënë: jo.
“Për këtë nevojiten njerëz adekuatë dhe bashkëpunimi ynë me këtë kompani bazohet vetëm në marrëveshjen e sponsorizimit”, ka thënë ai.
Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, CaizCoin ka shpjeguar se është një kompani e re që prodhon kriptovalutën e saj.
Kompania ka thënë se arsyeja e investimit në klubin e Novi Pazarit është fakti se shumica e popullsisë që jeton në këtë qytet është myslimane dhe se klubi renditet lart në tabelë.
Kompania ka thënë se ka marrë me qira edhe emrin e arenës ku luajnë LA Lakers, në Llos Angjelles të SHBA-së.
Cilat janë parimet islamike të bankimit?
Kur është pyetur për të sqaruar parimet islamike të bankimit, kompania ka thënë se arsyeja për këtë është origjina turke e pronarit të kompanisë dhe feja e tij myslimane.
Në deklaratë thuhet, po ashtu, se puna e kompanisë nuk është e destinuar vetëm për popullatën myslimane, por se puna e saj bazohet në Ligjin islamik të Sheriatit.
“Dhe, normalisht, [kompania] ka dashur të jetë e para me kriptovalutë islame, sepse çdo risi është shumë e rëndësishme në çdo botë biznesi”, ka thënë CaizCoin.
Financat islame janë një formë financimi e bazuar në parimet e Ligjit islamik të Sheriatit.
Shërbimet nuk janë të destinuara vetëm për myslimanët, por për të gjithë, pa dallim feje.
Sipas një shpjegimi shtesë nga agjencia e lajmeve Reuters, financat islame ndryshojnë dukshëm nga ato konvencionale.
Si shembuj përmenden marrja dhe pagesa e kamatave, që janë të ndaluara me Ligjin islamik.
Pavarësisht rritjes së shpejtë, shton Reuters, industria financiare islame, ndryshe nga partnerët e saj konvencionalë, është ende relativisht e re dhe teknikat e financimit islamik janë ende duke u zhvilluar.
Sfidë për studiuesit dhe praktikuesit e financave islame ka qenë zhvillimi i metodave të financimit që janë në përputhje me parimet e Sheriatit, por që gjithashtu përmbushin kërkesat e një tregu konkurrues.