Serbia, anëtare e Këshillit të Sigurimit: Sa është kjo reale?

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, 8 shkurt 2024.

Nëse Kombet e Bashkuara (OKB) miratojnë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, Serbia do të aplikojë që të jetë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Kështu e “kërcënon” botën Serbia, e cila nuk e pranon se krimi në Srebrenicë ishte gjenocid.

Ivana Stradner, këshilltare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë nga Uashingtoni, i tha Radios Evropa e Lirë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka një histori të gjatë të "premtimeve pompoze".

“Besoj se ky premtim është ekskluzivisht për audiencën vendase për të justifikuar para votuesve të saj rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë ajo.

Ideja për të kandiduar për anëtarësim në Këshillin e Sigurimit, u paraqit në përpjekjet e Beogradit zyrtar për t'iu përgjigjur propozimit që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë një rezolutë për Srebrenicën.

Projekt-rezoluta, e cila u iniciua nga Gjermania dhe Ruanda, shpall 11 Korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

SHIKONI EDHE: Në OKB diskutohet rezoluta për shpalljen e Ditës Ndërkombëtare për Kujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë

Në tekstin, në të cilin REL-i kishte qasje, kërkohet gjithashtu që çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë të dënohet pa rezerva.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.

Konsultimet jozyrtare për projekt-rezolutën do të mbahen më 17 prill, në selinë e OKB-së në Nju Jork, bëhet e ditur në faqen zyrtare të OKB-së.

Në të njëjtën kohë, autoritetet serbe po lobojnë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 16 prill miratoi rekomandimin për pranimin e Kosovës në anëtarësim.

SHIKONI EDHE: Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështet anëtarësimin e Kosovës

Çfarë paralajmëroi Vuçiqi?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nëse rezoluta për Srebrenicën miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Serbia do të aplikojë për t'u bërë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për vitin 2025 dhe 2026.

“Në të njëjtën sekondë do të kandidojmë dhe do të mposhtim bindshëm dy vendet e NATO-s nga rajoni i Evropës Lindore, të cilat kanë kandiduar deri më tani”, tha ai.

Këtë e tha Vuçiq më 14 prill gjatë përkujtimit të Ditës së Detashmentit të Policisë Ushtarake për qëllime të veçanta.

Një ditë më vonë, në një paraqitje në Radio Televizionin Serb, ai tha se Serbia do të ketë tre herë më shumë vota se këto dy vende së bashku, sepse ai pretendon se "mund t'i marrë ato".

“Tash do të zgjidhemi sa të duam, sido që të duam si anëtar jo të përhershëm të KS-së, sa herë të mundemi”, tha Vuçiq.

Si zgjidhet një anëtar jo i përhershëm?

Këshilli i Sigurimit ka 15 anëtarë. Pesë prej tyre – Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe – janë anëtarë të përhershëm dhe kanë të drejtën e vetos për çdo rezolutë apo vendim.

Dhjetë vende u takojnë anëtarëve jo të përhershëm dhe pesë vende rinovohen çdo vit.

Vendet anëtare votojnë për pesë kandidatë që përfaqësojnë grupe të ndryshme rajonale në çdo rund votimi.

Anëtarët jo të përhershëm zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme dhe për zgjedhje kërkohen të paktën dy të tretat e votave, që do të thotë të paktën 129 vota.

Kur bëhet fjalë për procedurën e kandidimit për një anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, vendet përgjithësisht së pari informojnë anëtarësimin e grupit të tyre dhe kërkojnë mbështetjen e tyre, thuhet në faqen e OKB-së.

Aty shtohet se miratimi i grupit më pas bëhet një faktor i rëndësishëm në hapin tjetër.

A mundet Serbia të bëhet anëtare kur të dojë?

Deri më tani, Serbia nuk ka qenë asnjëherë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ndryshe nga disa vende të rajonit.

Ish-ambasadorja e Serbisë, Branka Latinoviq, mendon se Serbia është dashur të aplikojë për një anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit shumë kohë më parë.

Megjithatë, sa i përket shpalljes së një kandidature të mundshme për vitin 2025 dhe atë 2026, ajo mendon se është “mjaft joreale dhe e vështirë për t’u zbatuar”.

Branka Latinoviq

“Ato kërkesa për kandidim janë paraqitur disa vite më parë, u paraprijnë kontakte dhe diskutime shumë të thella dhe të gjera”, tha ajo.

Për shembull, Belgjika njoftoi në fillim të vitit 2021 se do të kandidojë për mandatin e shtatë në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2037-2038.

Portugalia ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën e saj për periudhën 2027-2028 në janarin e vitit 2013.

Prej disa kohësh dihet edhe kandidatura e Malit të Zi për periudhën 2026-2027.

Anëtarët jo të përhershëm të KS-së zgjidhen në bazë rajonale për një mandat dyvjeçar dhe Serbia i përket grupit të Evropës Lindore.

Ky është grupi më i vogël rajonal, i përbërë nga 23 vende, nga të cilët çdo vit zgjidhet një anëtar i Këshillit të Sigurimit, sipas faqes së internetit të OKB-së.

Në të njëjtën kohë, ky grup është zgjeruar më së shumti në dekadat e fundit pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Çekosllovakisë.

Sot, 11 vende të saj janë në Bashkimin Evropian, ndërsa shtatë prej tyre janë kandidate për anëtarësim.

Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore 2022-2023.

Ndërtesa e OKB-së ku gjendet edhe selia e Këshillit të Sigurimit, në Nju Jork, SHBA. (Fotografi nga arkivi).

A mund të ketë mbështetje?

Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë nga Uashingtoni vlerëson se pavarësisht premtimit të presidentit të Serbisë, procesi i kandidimit në KS është shumë kompleks.

“Unë nuk mendoj se Vuçiq ka shanse në të ardhmen e afërt, veçanërisht sepse ai nuk mund të llogarisë në mbështetjen e Perëndimit, duke pasur parasysh politikën e jashtme që ai udhëheq dhe minon demokracinë, si në Serbi, ashtu edhe në rajon”, thotë Stradner.

E pyetur nëse Serbia mund të llogarisë në mbështetjen e grupit të saj, ish-ambasadorja Branka Latinoviq kujton se anëtarët e atij grupi janë kryesisht anëtarë të NATO-s dhe BE-së.

Siç thotë ai, në mbështetje të kandidaturës së Serbisë, ata do të kishin parasysh politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

“Dhe, fakti që Serbia nuk e ndjek mjaftueshëm politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, mund të jetë vetëm një faktor rëndues, diçka që jep rezultatin e kundërt”, vlerësoi ajo.

SHIKONI EDHE: "Vështirë për Serbinë" - shkaku edhe i Kosovës, edhe i Srebrenicës

Serbia, si një kandidate për anëtarësim në BE, nuk u rreshtua me politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë, duke refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Edhe pse mbështeti integritetin territorial të Ukrainës, Serbia nuk i ka pranuar ftesat nga Brukseli dhe vendet anëtare të BE-së për t'iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për dy vjet.

Për më tepër, Beogradi vazhdoi të mbajë lidhje me Moskën zyrtare dhe zyrtarët vazhdojnë ta përshkruajnë Rusinë si një vend tradicionalisht miqësor.

Ndryshe nga Serbia, vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor kandidate për anëtarësim në BE, iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë.

"Kështu që ne nuk do të mund të llogarisim në ndonjë mbështetje më të madhe as atje (në mesin e atyre vendeve)", beson Latinoviq.

Çfarë do të përfitonte Serbia duke u bërë anëtare e KS-së?

E pyetur se çfarë do të përfitonte Serbia nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës, Ivana Stradner thotë se Vuçiq e sheh atë si një mundësi për të paraqitur politikën e jashtme të Serbisë në frymën që i përshtatet politikës së tij.

Por, shton ajo, pyetja e vërtetë nuk është vetëm se çfarë do të merrte Serbia, por se si do të ndikonte kjo tek anëtarët e tjerë të përhershëm.

"Perëndimi do të përballej me lojën e balancimit të Vuçiqit, por edhe me shantazhin gjatë votimit dhe procedurave të tjera. Rusia dhe Kina do të kishin aleatin e tyre, i cili si përfaqësues do të mund të merrte vendime që u sjellin dobi," vlerësoi Stradner.

“Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh se Vuçiqi ka nevojë për Perëndimin, kur ai vendos se mund ta përdorë anëtarësimin për një lojë balancimi me Kinën dhe Rusinë, në mënyrë që as Moska dhe as Pekini të mos mendojnë se ai është një partner plotësisht besnik dhe i besueshëm”, shton ajo.

Serbia është në rrugën e anëtarësimit në BE, por në të njëjtën kohë bashkëpunon dhe kultivon marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, duke llogaritur në mbështetjen e tyre mbi të gjitha në kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE: Vuçiq kërkon formimin e një ekipi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës

Ish-ambasadorja Branka Latinoviq e sheh njoftimin e Serbisë - për kandidaturë për anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit - si "shprehje të pakënaqësisë me atë që po ndodh në nivel ndërkombëtar".

“Bëhet fjalë për një përpjekje, një synim për të treguar forcën dhe aftësinë e Serbisë për të vepruar, për të treguar aftësinë e saj për t'iu përgjigjur disa synimeve dhe kërkesave të saj”, tha Latinoviq.

E pyetur se çfarë nënkupton anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit, Latinoviq thotë se kjo nënkupton pjesëmarrje aktive në çdo seancë si dhe në nivelin e politikës së jashtme.

“Duhet të paraqisni pozicionin e vendit tuaj, por edhe në nivel global të politikës së jashtme për të reklamuar më shpesh dhe më aktivisht për ngjarje të rëndësishme të politikës së jashtme”, tha ajo.

Latinoviq shton se për vendet anëtare të BE-së, kjo mbulohet me deklarata dhe dokumente të tjera relevante të BE-së.

“Në një situatë kur Serbia nuk është anëtare e BE-së dhe kur nuk ndjek mjaftueshëm politikën e BE-së, atëherë kjo do të thotë se ne duhet të kemi një qëndrim”, shtoi ajo.

Ndërsa Serbia shpall kandidaturën e saj për një anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, ndër vendet e rajonit, Sllovenia filloi mandatin e saj të dytë si anëtare jo e përhershme e këtij organi më të rëndësishëm të OKB-së në janar të këtij viti.

Gjatë viteve 2000, Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina ishin anëtarë të këtij organi.

Ish-Jugosllavia ka qenë katër herë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.