I kthehemi lojës…

Në Danimarkë, tifozët kanë ndjekur ndeshjen përmes aplikacionit Zoom.

Koronavirusi ka bllokuar pjesën më të madhe të sportit global. Tani që masat e izolimit kanë nisur të lehtësohen, futbolli, tenisi, kriketi dhe sporte të tjera janë duke u përgatitur për t’u kthyer në fushën e lojës - me shumë kufizime.

Rusia është ndër vendet e pakta që do t’i lejojë tifozët në lojëra të futbollit, por vetëm në një pjesë të kapacitetit të stadiumit.

Danimarka ka rifilluar lojërat e ligës së futbollit në fund të majit, duke u mundësuar tifozëve t’i përcjellin virtualisht, përmes platformës së video-komunikimit Zoom.

Tenisti numër një në botë, Novak Gjokoviq, nga Serbia, planifikon një turne tenisi në Ballkan, por nuk është e qartë nëse do të lejohen spektatorët.

Gara në Formula 1 synon një rifillim veror, por me disa kufizime, për t’i mbajtur larg skuadrat konkurruese.

Radio Evropa e Lirë u ka hedhur një vështirm sporteve që pritet të rinisin:

Futbolli në Britani

Premier Liga e Anglisë pritet të rikthehet më 17 qershor. Si gjetkë, tifozët nuk do të marrin pjesë në lojëra. Liverpooli, me një epërsi prej 25 pikësh në krye të tabelës me 20 skuadra, synon të fitojë titullin e parë në 30 vjet. Të 92 lojërat do të transmetohen drejtpërdrejt, përfshirë disa prej tyre në BBC - për herë të parë në transmetuesin publik pas 32 vjetësh.

Kampionati Anglez - i dyti në piramidën e futbollit të Anglisë - do të rifillojë më 20 qershor.

Liga Një dhe Liga Dy - ligat e treta dhe të katërta të Anglisë - do të vendosin më 8 qershor nëse do ta anulojnë ose jo pjesën e mbetur të sezoneve.

Futbolli në Gjermani

Bundesliga është bërë liga e parë e madhe në Evropë që ka rinisur lojërat më 16 maj, pasi i ka pezulluar ato më 13 mars. Lojërat janë zhvilluar në stadiume boshe, ndërsa lojtarët jetojnë në izolim dhe i nënshtrohen testimit të koronavirusit. Edhe me rreth pesë ndeshje të mbetura, Bayern Munich ndodhet në vendin e parë, shtatë pikë më lart se Borussia Dortmund, që ndodhet në vendin e dytë.

Liga e dytë gjermane, Bundesliga 2, gjithashtu ka rifilluar, edhe pse Dynamo Dresden është detyruar t’i shtyjë ndeshjet, pasi dy lojtarë kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus.

SHIKONI EDHE: Bundesliga rikthehet në fushë

Futbolli në Spanjë

La Liga do t’i rinisë lojërat më 11 qershor, për të përfunduar sezonin. Ndeshjet do të luhen çdo ditë të javës, por asnjë skuadër nuk mund të luajë dy ndeshje brenda një periudhe prej 72 orësh. Disa ndeshje do të nisin në orën 11 të natës, për të shmangur temperaturat e nxehta të verës. Barcelona është dy pikë para Real Madridit në krye të tabelës, ndërsa kanë mbetur edhe 11 ndeshje.

Futbolli në Itali

Serie A do të rinisë më 20 qershor. Lojërat janë pezulluar më 9 mars. Juventusi është në krye të tabelës, me një pikë epërsi, ndërsa kanë mbetur edhe 12 lojëra. Më 20 maj, Federata e Futbollit në Itali ka vendosur 20 gushtin si afat për përfundimin e sezonit 2019-20. Jo të gjithë në Itali janë të kënaqur. Massimo Cellino, i cili zotëron klubin Brescia, i ka thënë BBC-së se rifillimi i lojërave është një "vendim i çmendur".

Futbolli në Francë

Ligue 1 e Francës është anuluar pasi Franca ka ndaluar të gjitha ngjarjet sportive, përfshirë ato pa tifozë, deri në shtator. Kryeministri Edouard Philippe ka thënë se sezoni sportiv 2019-20 ka mbaruar, derisa ka bërë publike planet për të lehtësuar masat e izolimit nga koronavirusi, më 11 maj. Trupi drejtues i futbollit francez ka shpresuar ta rifillonte sezonin më 17 qershor dhe ta përfundonte më 25 korrik. Futbolli është pezulluar për kohë të pacaktuar në Francë më 13 mars.

Futbolli në Holandë

Holanda ka njoftuar në fund të prillit se ka anuluar pjesën tjetër të sezonit, duke u bërë vendi i parë evropian që ka ndërmarrë një hap të tillë. Vendimi nuk ka qenë i befasishëm, pasi Qeveria holandeze ka vendosur më herët që asnjë ngjarje sportive të mos mbahet së paku deri më 1 shtator. Asnjë kampion në Eredivisie nuk do të kurorëzohet këtë vit.

Futbolli në Danimarkë

Edhe pse nuk është një nga ligat kryesore në Evropë, Danimarka ka bërë tituj për mënyrën se si i ka rifilluar lojërat e ligës javën e kaluar. Tifozët nuk kanë qenë në stadium kur AGF Aarhus dhe Randers kanë luajtur më 28 maj, por ata kanë përdorur Zoom-in për të qenë pjesë e lojës. Mijëra tifozë të futbollit danez janë futur në Zoom të enjten e kaluar dhe janë transportuar në stadiumin Ceres Park. Vetë stadiumi ishte pa tifozë, por fytyrat e mijëra mbështetësve janë shfaqur në ekrane gjigante, përgjatë njërës anë të fushës.

Tifozët danezë në Zoom

Futbolli në Rusi

Premier Liga do të rifillojë lojën më 21 qershor, ka njoftuar Unioni i Futbollit i Rusisë në mes të majit. Asnjë ndeshje nuk është luajtur në grupin prej 16 ekipesh qysh më 16 mars. Rusia - me numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në Evropë - do t’i lejojë tifozët në stadiume. Sipas planit, spektatorët do të lejohen të marrin pjesë në ndeshje nëse nuk tejkalojnë 10 për qind të kapacitetit të stadiumit. Zenit St. Petersburg kryeson ligën me nëntë pikë, ndërsa kanë mbetur edhe tetë ndeshje.

Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Euro 2020

UEFA, organi drejtues i futbollit të Evropës, ka njoftuar më 23 maj se garat e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës do të shtyhen.

“Ende nuk është marrë asnjë vendim për datat e reja”, ka thënë UEFA.

Euro 2020, ndërkaq, është shtyrë për vitin 2021.

Tenisi

As Wimbledon, as French Open. Tifozët e tenisit kanë pak arsye për t’u gëzuar. Megjithatë, ka pak shpresë. Tenisti serb, Novak Gjokoviq, planifikon një turne ambicioz për qershor. Pjesa e parë e turneut Adria do të zhvillohet në Beograd - vendlindjen e Gjokoviqit - më 13-14 qershor. Turneu pastaj do të zhvendoset në Zadar të Kroacisë, ndërsa edhe Bosnja dhe Mali i Zi synojnë të mirëpresin dy pjesët e fundit. Nuk është e qartë nëse tifozët do të lejohen të marrin pjesë gjatë ndeshjeve.

Tenisti serb, Novak Gjokoviq.

Formula 1

Udhëheqësit e Formulës 1 kanë konfirmuar se pjesa evropiane e sezonit 2020 do të vazhdojë me gjithsej tetë gara në gjithë kontinentin. Motorët do të ndizen së pari në Austri, për dy gara, më 5 dhe 12 korrik. Dy gara të tjera do të pasojnë në gusht në Britani. Spanja po ashtu do të organizojë një garë më 16 gusht dhe Belgjika një tjetër më 30 gusht, ndërsa finalja Grand Prix do të mbahet në Itali më 6 shtator. Garat do të zhvillohen pas portave të mbyllura, pa spektatorë dhe me ekipe të kufizuara në një minimum të stafit operacional. Personeli do të testohet përpara se të udhëtojë, për t’u siguruar se nuk ka koronavirus.

Kriketi

Ashtu si edhe sportet tjera, edhe lojërat në kriket janë pezulluar pothuajse të gjitha në muajin mars, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur pandeminë e koronavirusit. Megjithatë, tani ka shenja se sporti po rikthehet, edhe pse ngadalë. Pakistani planifikon të vizitojë Anglinë këtë verë për tri teste dhe për tri ndeshje T20, nga fundi i korrikut deri në fillim të shtatorit, ka thënë një zyrtar i lartë i kriketit në Pakistan, më 29 maj. Wasim Khan, shef ekzekutiv i Bordit të Kriketit në Pakistan, ka thënë se asnjë lojtar nuk do të detyrohet të udhëtojë dhe të luajë kundër dëshirës së tij.

Olimpiada

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Qeveria e Japonisë kanë marrë vendim të paparë në muajin mars, për të shtyrë për një vit Lojërat Olimpike të Tokios, që duhej të fillonin në korrik, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ato tani janë caktuar për periudhën nga 23 korriku deri më 8 gusht, 2021. Megjithatë, zyrtarët kanë paralajmëruar se edhe këto data mund të mos jenë të sigurta. John Coates, shef i Komitetit Olimpik të Australisë dhe udhëheqës i inspektoratit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për Tokion, ka thënë se organizatorët e Lojërave përballen me "probleme të vërteta" në organizimin e Olimpiadës, vitin e ardhshëm.

SHIKONI EDHE: Olimpiada do të anulohet nëse koronavirusi nuk vihet nën kontroll

Hokeji në akull

Liga Kombëtare e Hokejit në Amerikën Veriore (NHL) ka njoftuar në fund të majit se do t’i rifillojë lojërat. Deri më tani, kjo është e vetmja ligë profesionale në këtë kontinent që ka marrë një vendim të tillë. Detajet nuk janë ende të qarta, por liga planifikon të shkojë drejt në të ashtuquajturat playoff-e, duke përfshirë 24 nga 31 ekipet e ligës. Lojërat do të luhen në disa lokacione. Ekipet do të lejohen të rinisin stërvitjet jo më herët se 1 korriku. Fituesi i Kupës Stanley do të dihet në fillim të vjeshtës.

Në Evropë, Liga Kontinental (KHL), e udhëhequr nga Rusia, me siguri më e fuqishmja në botë pas NHL-së, ka thënë se planifikon të rikthehet më 2 shtator. Liga ka thënë më 27 maj se data është “paraprake” dhe se mund t’iu nënshtrohet “korrigjimeve të nevojshme”, varësisht se si zhvillohet situata me koronavirus. KHL ka ekipe në gjashtë vende, edhe pse shumica janë në Rusi.

Basketbolli

Liga Kombëtare e Basketbollit (NBA) duket se do të rifillojë sezonin në korrik, me gjasë në Orlando të Floridës. Liga nuk e ka ka miratuar ende planin, por duket se asnjë format nuk do t’i përfshijë të 30 ekipet.

Në Evropë, Liga Endesa e Spanjës do të rifillojë me turneun përfundimtar prej 33 ndeshjeve në një vend të vetëm, që mund të jetë Gran Kanaria. Asnjë datë nuk është caktuar ende, por korriku është një kohë e mundshme.

Përgatiti: Valona Tela