Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ia vari veshin të shtunën thirrjeve të aleatëve perëndimorë për të bërë më shumë për t’i mbrojtur civilët palestinezë, pasi ushtria e vendit të tij e rrethoi spitalin kryesor në Rripin e Gazës, ku mjekët thanë se vdiqën pesë pacientë, përfshirë një foshnje, pasi gjeneratori i fundit mbeti pa karburant.
Izraeli e ka përshkruar Spitalin Shifa si qendrën kryesore të komandimit të grupit radikal palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duk thënë se militantët e grupit po i përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe se nën të ka krijuar bunkerë.
Hamasi dhe Shifa i kanë mohuar këto akuza.
Në ditët e fundit, luftimet afër Shifas dhe spitaleve të tjera në zonat e luftimeve në veri të Gazës janë rritur, ndërsa furnizimet janë harxhuar.
SHIKONI EDHE: Kryqi i Kuq alarmon për situatën e rëndë në spitalet në veri të Gazës“Nuk ka rrymë. Mjetet mjekësore janë ndalur. Pacientët, posaçërisht ata në kujdes intensiv, kanë filluar të vdesin”, tha Mohammed Abu Selmia, drejtor i Spitalit Shifa, duke folur në telefon nën tingujt e shpërthimeve dhe armëve të zjarrit.
Abu Selmia tha se trupat izraelite “po shtien ndaj të gjithë njerëzve jashtë apo brenda spitalit”, dhe se po e parandalojnë lëvizjen në mes të ndërtesave në këtë zonë.
Pretendimi i tij se të shtënat në Shifa janë shkrepur vetëm nga trupat izraelite nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
E pyetur për raportimet se trupat e saj po shtien me armë në oborrin e Spitalit Shifa, Ushtria e Izraelit tha vetëm se trupat e saj janë duke luftuar me Hamasin në afërsi dhe se po i ndërmerr të gjitha masat e mundshme për ta parandaluar dëmtimin e civilëve.
SHIKONI EDHE: Izraeli ul numrin e viktimave nga sulmet e 7 tetoritAjo tha se trupat izraelite kanë hasur në qindra luftëtarët të Hamasit në ndërtesat, shkolla, xhamitë dhe klinikat përdhese gjatë luftimeve në Gazë.
Në Shifa, pesë pacientë vdiqën pasi gjeneratori u fik si pasojë e mungesës së karburantit dhe rrymës, tha Medhat Abbas, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Netanyahu tha se përgjegjësia për dëmet ndaj civilëve bie mbi Hamasin, duke i përsëritur akuzat e moçme se grupi radikal po i përdor civilët në Gazë si mburoja njerëzore.
Ai tha se derisa Izraeli u ka bërë thirrje civilëve të largohen nga zonat e luftimeve, “Hamasi po bën gjithçka për të mos i lejuar ata të largohen”.
Ndërkohë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha për BBC-në të premten vonë se Izraeli duhet patjetër t’i ndalë bombardimet në Rripin e Gazës dhe vrasjen e civilëve.
SHIKONI EDHE: Macroni i bën thirrje Izraelit ta ndalë vrasjen e grave dhe foshnjave në Gazë
Macroni tha se “nuk ka arsyetim” për bombardimet dhe shtoi se armëpushimi do t’i sillte dobi Izraelit.
“De fakto – sot, civilët po bombardohen – de fakto. Këto foshnje, këto zonja, këta të moshuar po bombardohen e po vriten. Nuk ka arsye për këtë dhe as ligjshmëri. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalet”, tha Macroni.
Ai e përsëriti se Franca “i dënon qartazi veprimet terroriste” të grupit palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha se numri zyrtar i të vrarëve gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit është ulur në 1.200.
Paraprakisht, zyrtarët izraelitë kishin raportuar se 1.400 persona u vranë nga Hamasi gjatë sulmeve në jug të Izraelit, gjë që nxitën luftën në Gazë.
Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, mbi 11.000 palestinezë janë vrarë që nga nisja e luftës.