Pagesat për specializantë, përpjekje për të ruajtur stafin mjekësor

Ilustrim

Nga muaji maj, rreth një mijë specializantë në Kosovë do të paguhen në formë page. Kjo është mundësuar pasi që ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka nënshkruar plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për shkollim specialistik, me të cilin mundësohet që specializantët vullnetarë të futen në spacializim me pagesë.

Specializanti i Kirurgjisë Maksillofaciale, Diedon Musa, i tha Radios Evropa e Lirë, se lajmi për t’u futur në paga të rregullta ka qenë i mirëseardhur. Musa thotë se gjatë specializimit mjekët mbajnë orar të plotë punë si dhe kujdestari, e nuk paguhen, gjë që nuk ua mundëson atyre që ta kenë edhe një punë tjetër për shkak të orarit të gjatë që kanë aty. Andaj, vijon ai, vendimi për të marrë pagë ka qenë i domosdoshëm.

“Unë jam specializant i kirurgjisë maksillofaciale. Vitin e parë e kam përfunduar si vullnetar pa pagesë. Kjo është një e padrejtë e madhe pasi është një orar 8 orësh dhe nuk janë paguar asnjë cent. Njerëzit që kanë familje është shumë e vështirë pasi orari i gjatë nuk na mundëson të punojmë edhe një punë tjetër”, thotë ai.

“Mendoj se Ministria e Shëndetësisë ka bërë një punë të mirë pasi jo vetëm specializantët, por edhe familjet e tyre kanë qenë në gjendje të vështirë”, thekson Musa.

Sipas tij, vendimi për pagesë do të ndikojë pozitivisht edhe në ruajtjen e kuadrit mjekësor, pasi që një numër i konsiderueshëm tashmë është larguar nga Kosova.

“Një hap i vogël ndoshta për ministrinë, por një hap shumë i madh për specializantët”, tha Musa.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës Xhemajl Selmani, bëri të ditur se ministri i Shëndetësisë, por edhe Qeveria e Kosovës duhet ta kenë parasysh faktin se mjekët e rinj po ikin jashtë Kosovës për shkak të kushteve jo të mira që po u ofrohen në Kosovë.

Siç thotë Selmani, kjo ka bërë që mosha mesatare e mjekëve të arrijë në 54 vjeç, e që është moshe e vjetër, andaj gjeneratën e re duhet stimuluar me kushte e pagë të mirë.

“Do të vijë koha që edhe kur t’i rrisin pagat, por nuk do të kenë njerëz. Është rreziku se kjo moshë kur të pensionohet, shumë klinika do të mbyllen për shkak të mungesës së kuadrit mjekësor”, tha Selmani.

Këshilltari për media i ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi, deklaroi se futja në paga e rreth një mijë specializantëve ka qenë një premtim i ministrit Ismaili, dhe është planifikuar çdo detaj për këtë proces, që kjo të jetë afatgjatë.

“Nga muaji maj, pra nga ky muaj, specializantët do të futen në paga. Për të kërkuar kushte më të mira, mjekët e rinj kanë lëshuar Kosovën dhe ne e dimë që nuk do të mund t’i bëjmë konkurrencë shteteve perëndimore, por po mundohemi me aq sa kemi mundësi që ata t’i mbajmë në vend”, tha Matoshi.

“Sa i përket pagesës ende nuk dihet saktë derisa të specifikohet çdo detaj”, tha tutje, Matoshi.

Sidoqoftë në vitin 2013 ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte marrë vendim që mjekët, të cilët kanë qenë duke specializuar të paguhen në formë page nga Ministria e Shëndetësisë, nga muaji shtator i atij viti. Por, pas asaj gjenerate, e që kanë qenë rreth 500 veta, pagat për specializantë ishin ndërprerë.