Vazhdojnë kërkimet për të zhdukur në Spanjë, pas përmbytjeve vdekjeprurëse

Pasojat e përmbytjeve vdekjeprurëse në Valencia, Spanjë, 31 tetor.

Autoritetet spanjolle lëshuan edhe një paralajmërim për stuhi të enjten për pjesën e rajonit të Valencias, ku një ditë më parë së paku 95 njerëz humbën jetën nga përmbytjet shkatërruese.

Ekipet e shpëtimit janë duke i vazhduar kërkimet të enjten për një numër të papërcaktuar të njerëzve të zhdukur në fushat dhe veturat e përmbytura.

Autoritetet nuk kanë treguar se sa njerëz janë zhdukur, por ministrja e Mbrojtjes e Spanjës, Margarita Robles, tha të mërkurën vonë se numri i të vdekurve do të rritet sipas të gjitha gjasave.

Uji grumbullon vetura në një llagje të Valencias, Spanjë, si pasoj e përmbytjeve vdekjeprurëse, 30 tetor 2024.

Moti i qetë u rikthye të enjten në pjesët më të goditura nga përmbytjet më të mëdha në shekullin e fundit në Spanjë përreth qytetit të Valencias, por Instituti Meteorologjik i vendit, AEMET, e lëshoi alarmin e shkallës më të lartë për provincën Castellon.

Meteorologët thanë se për tetë orë pareshtur ra shi sa për një vit në pjesën e Valencias të martën, duke shkaktuar përmbytje vdekjeprurëse.

“Ka stuhi shumë të fuqishme në zonë, posaçërisht në veri të Castellonit. Moti i keq vazhdon! Kini kujdes!” paralajmëroi AEMET, duke i këshilluar njerëzit të mos udhëtojnë për në këtë pjesë të vendit.

Përmbytjet në Valencia shkatërruan infrastrukturën e rajonit, duke prishur ura, rrugë, hekurudha dhe ndërtesa, pasi lumenjtë dolën nga shtrati.