Shefi i Federatës së Futbollit të Spanjës refuzon të japë dorëheqje pasi puthi futbollisten

Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, përqafon futbollisten Aitana Bonmati pas fitores së Spanjës në finalen e Kupës së Botës, më 20 gusht 2023.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës (RFEF), Luis Rubiales, tha më 25 gusht se nuk do të jepte dorëheqje përballë presionit nga politikanët, lojtarët, sindikatat dhe Federata Botërore e Futbollit (FIFA) pasi puthi futbollisten Jenni Hermoso në buzë pas fitores së Spanjës në Kupën e Botës.

Duke folur në një asamble urgjente të RFEF-së, Rubiales u ankua se “feministët e rremë” po “përpiqen të më vrasin”. Ai e përshkroi puthjen si një veprim “të lirë, të ndërsjellë dhe konsensual”.

“A do të më nxjerrë nga këtu një puthje konsensuale? Nuk do të jap dorëheqje. Do të luftoj deri në fund”, tha Rubiales, duke marrë duartrokitje nga audienca kryesisht e përbërë me burra.

Rubiales është kritikuar gjatë gjithë javës pas incidentit që ndodhi teksa lojtarëve po u jepeshin medaljet e tyre të arta, pas fitores në finalen e Kupës së Botës më 20 gusht.

Përderisa lojtarët kalonin, Rubiales e puthi në buzë futbollisten Hermoso, të cilës edhe ia kapi kokën me duar.

Refuzimi i tij për të dhënë dorëheqje dhe fjalimi i tij i zjarrtë në asamblenë urgjente të RFEF-së shkaktuan reagim të shpejtë nga politikanët.

“Ajo që kemi parë sot në asamblenë e federatës është e papranueshme”, shkroi zëvendëskryeministrja e dytë e Spanjës, Yolanda Diaz, në rrjetin social X, të njohur më parë si Twitter.

“Qeveria duhet të veprojë dhe të marrë masa urgjente: mosndëshkimi për veprimet agresive maskuliniste ka marrë fund. Rubiales nuk mund të vazhdojë në detyrë”.

Këshilli i Lartë i Sportit i Spanjës (CSD) tha në fillim të javës se do të merrte masa ndaj Rubialesit nëse federata e futbollit nuk do ta bënte këtë.

SHIKONI EDHE: Federata spanjolle e heton presidentin e saj pasi ai e puthi një futbolliste

Kritikat kulmuan me hapjen e procedurave disiplinore kundër tij nga FIFA më 24 gusht, pasi Hermoso tha në një deklaratë një ditë më parë se sindikata e saj po punonte për t’i mbrojtur interesat e saj dhe se akte të tilla nuk duhet “të mbeten kurrë pa u ndëshkuar”.

Rubiales fillimisht priti me zemërim kritikat ndaj tij, duke i përshkruar kritikët si “idiotë”. Por, më vonë, ai u tërhoq dhe e publikoi një video kërkim faljeje të regjistruar teksa po fluturonte nga Sidnei në Australi, ku u mbajt turneu i Kupës së Botës në kategorinë e vajzave.

Por, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez tha se kërkimfalja e Rubiales “nuk mjaftonte” e më vonë udhëheqësit rajonalë të RFEF –së mbajtën një takim urgjent në Madrid më 24 gusht për të diskutuar për të ardhmen e Rubialesit dhe opsionet për një pasardhës të mundshëm, tha një burim për agjencinë e lajmeve Reuters.

Spanja e mposhti Anglinë me rezultat 1:0 në finalen e Kupës së Botës, duke u bërë kampione botërore për herë të parë në botë.

SHIKONI EDHE: Spanjollet e fitojnë Kupën e Botës