Socialistët e qendrës së majtë në Spanjë kanë fituar zgjedhjet e përgjithshme ditën e diel, mirëpo duhet të fitojnë edhe përkrahjen e partive më të vogla në mënyrë që të mbesin në pushtet.
Ky proces zgjedhor ka rezultuar edhe me rritjen e përkrahjes për partinë e ekstremit të djathtë, e cila ka fituar ulëse në Dhomën e Ulët të Parlamentit për herë të parë në katër dekada.
Me 99 për qind të votave të numëruara, socialistët e udhëhequr nga kryeministri aktual, Pedro Sanchez kanë fituar 29 për qind të votave, përkatësisht 123 ulëse në Kongresin me 350 deputetë.
Partia Vox e ekstremit të djathtë ka fituar 10 për qind të votave, që i mundëson kësaj partie të përfaqësohet nga 24 deputetë.
Sanchez ka njoftuar se shumë shpejt do të nisë bisedime me parti tjera politike, duke i thënë publikut në qendër të Madridit se “e ardhmja ka fituar dhe e kaluara ka humbur”.
Ai ka lënë të kuptohet se preferon të bashkëpunojë me aleancën e krahut të majtë, mirëpo po ashtu ka nisur një paralajmërim për separatistët katalanë, për përkrahjen e të cilëve mund të ketë nevojë, që çfarëdo marrëveshje pas zgjedhjeve duhet të respektojë Kushtetutën e vitit 1978, e cila ndalon ndarjen e rajoneve.
“Kushti i vetëm është që të respektohet Kushtetuta, të vazhdojmë përpara drejt drejtësisë shoqërore, bashkekzistencës dhe politikës së pastër”, ka thënë Sanchez, teksa ka përmendur kushtet për të punuar me partitë tjera.
Suksesi i partisë Vox i ka kushtuar partisë konservatore, Partia Popullore me 66 ulëse më pak se në zgjedhjet e vitit 2016, transmeton agjencia Associated Press.
Votuesit në Spanjë kanë qenë së fundmi të zhgënjyer, pasi shteti i tyre është përballur me recesion, skandale të korrupsionit, kërkesa për ndarje dhe pavarësim të Katalonjës dhe rritje të nacionalizimit të së djathtës ekstreme, i cili nuk është parë prej kur ka përfunduar regjimi i diktaturës në Spanjë në vitet 1970.
“Ne iu kemi treguar se ne do të fillojmë të rikthejmë Spanjën dhe kjo është ajo që kemi bërë”, ka thënë lideri i partisë, Vox, Santiago Abascal, duke iu referuar një fushate të shekullit të 15-të të udhëhequr nga Mbretëria katolike spanjolle për t’i dhënë fund sundimit islamik në Gadishullin Iberik.
Vox, parti e themeluar pesë vjet më parë, ka premtuar që të mbrojë Spanjën nga “armiqtë” duke përmendur, feministët, elitat liberale dhe myslimanët.
SHIKONI EDHE: Kryeministri spanjoll ashpërson pozicionin e tij ndaj KatalonjësMe rritjen e kësaj partie, janë rritur edhe ndasitë politike në Spanjë, e cila është udhëhequr për dekada nga socialistët dhe Partia Popullore.
Për të qëndruar në pushtet, socialistët dhe Sanchez, duhet të formojnë koalicion qeveritar me partitë e vogla, përfshirë partinë e ekstremit të majtë, Të Bashkuar Mundemi, të udhëhequr nga Pablo Iglesias.
Iglesias ka thënë pas votimit se ai do të “dëshironte një rezultat më të mirë, mirëpo kanë arritur mjaftueshëm për të ndaluar krahun e së djathtës”, duke ofruar prej tani mbështetje për Sanchezin.
Dalja në këto zgjedhje ka qenë rreth 76 për qind, apo rreth 8 për qind më shumë sesa në zgjedhjet e mbajtura më 2016.