Smith i quan të rrezikshme komentet që nxisin Rusinë t’i sulmojë aleatët e NATO-s

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, i ka quajtur të rrezikshme të martën të gjitha deklaratat të cilat e nxisin Rusinë ta sulmojë ndonjë vend aleat të aleancës ushtarake.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e nxiti një stuhi kritikash nga Shtëpia e Bardhë dhe nga zyrtarët e lartë perëndimorë kur tha ditë më parë se ai nuk do t’i mbronte aleatët e NATO-s, të cilët dështojnë të shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen dhe se do ta nxiste Rusinë t’i sulmojë ata.

Duke folur në lidhje me këto deklarata të martën në prag të takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, Smith tha se aleanca është shtyllë e sigurisë për të gjithë aleatët evropianë, por edhe për vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mënyra e vetme për të vazhduar është ruajtja e unitetit transatlantik. Në korrik këtë këtij viti në Uashington do ta festojmë 75-vjetorin e themelimit të NATO-s. Për më shumë se shtatë dekada kemi pasur presidentë demokratë dhe republikanë amerikanë, të cilët kanë ruajtur besimin e qartë se NATO-ja është bazament i sigurisë amerikane dhe të aleatëve, e jo një shoqatë bamirëse. Siguria jonë është edhe e aleatëve”, tha Smith.

SHIKONI EDHE: Çfarë tha Trumpi për financimin e NATO-s dhe çfarë është neni 5?

Ajo ka paralajmëruar se në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, që zhvillohet të enjten më 15 shkurt, do të diskutohet edhe për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të aleancës, e në këtë drejtime dhe për obligimin e vendeve anëtare për ta arritur cakun e NATO-s për shpenzimin e së paku 2 për qind të bruto prodhimit vendor për nevojat e mbrojtjes.

Ajo ka përsëritur se SHBA-ja i gëzohet edhe rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të vendeve të BE-së.

“Ne, si në NATO, ashtu edhe individualisht si SHBA, kemi mbështetur shumë rritjen e kapaciteteve të BE-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Jemi të inkurajuar edhe me ndihmën e tyre për miqtë tanë në Ukrainë”, tha Smith.

Ukraina do të jetë ndër temat kryesore të takimit të ministrave, ndërsa do të zhvillohet edhe një takim i grupit të posaçëm për mbështetje të Ukrainës ku, pos vendeve anëtare të NATO-s, do të jenë edhe vendet e tjera partnere.

Ambasadorja amerikane ka bërë thirrje për vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës, duke thënë se “nëse Rusia arrin sukses në Ukrainë, atëherë e tërë Evropa do të jetë në rrezik”.

SHIKONI EDHE: Perëndimi kritikon Trumpin për komentet rreth NATO-s

Ajo po ashtu i ka bërë thirrje Hungarisë që sa më parë ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Ajo është vendi i vetëm i NATO-s që ende s’e ka bërë këtë.

“Suedia është një partnere e cila është e gatshme të bëhet anëtare e aleancës. Merr pjesë vazhdimisht në operacionet e aleancës dhe sjell kapacitete reale në aleancë. Duam që Suedia të hyjë sa më parë. U gëzuam për vendimin e Turqisë që ratifikoi anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe inkurajojmë Hungarinë ta bëjë këtë sa më parë,” tha ambasadorja Smith.

Suedia dhe Finlanda kishin bërë kërkesë për anëtarësim në NATO së bashku, pasi Rusia e filloi pushtimin e Ukrainës më 2022. Finlanda iu bashkua NATO-s në prill të vitit të kaluar.