Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ka ftuar në bisedë ambasadoren serbe, Zorana Vlatkoviq, për shkak të deklaratave të bëra nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, gjatë vizitës së fundit të presidentit slloven, Borut Pahor, në Beograd, ka thënë se Sllovenia, sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë.
MPJ e Sllovenisë njoftuar se ka ftuar në bisedë ambasadoren Vlatkoviq, për të biseduar për këto deklarata.
SHIKONI EDHE: Bërnabiq në Mitrovicën e Veriut: Interes i Serbisë është paqjaAmbasadori slloven në Serbi, Damjan Bergant, po ashtu është ftuar në bisedë për temën e njëjtë, tha Ministria sllovene për N1.
Presidenti serb, pas takimit me Pahorin në Beograd, ishte pyetur nga gazetarët se pse Serbia nuk po i vendos sanksione Rusisë dhe ai ishte përgjigjur duke pyetur: “Si t’ua shpjegoj qytetarëve se Serbia po i vendos sanksione Rusisë e jo Sllovenisë?”.
“Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë. Sllovenia e ka shkelur. Dhe siç e shihni, ne kemi raporte të mira me Slloveninë”, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se Sllovenia, sikurse për shembull Franca, Gjermania dhe SHBA-ja që e njohin pavarësinë e Kosovës, "po shkel ligjin ndërkombëtar, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit".
Ministria e Jashtme sllovene ka thënë se është shumë e befasuar nga deklaratat e Vuçiqit.
“Edhe një herë, ne përsërisim qëndrimin tonë lidhur me Kosovën, që Sllovenia e njeh si shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë drejtim, ne shprehim pritjet tona që Serbia në të ardhmen të mos e problematizojë qëndrimin tonë karshi Kosovës sepse mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Ne po ashtu shprehim kundërshtinë që njohja e Kosovës nga Sllovenia të krahasohet me agresionin rus kundër Ukrainës”, ka thënë MPJ sllovene.
Ajo ka shtuar se pret që bashkëpunimi aktual me Serbinë të vazhdojë dhe se Lubjana do të vazhdojë të avokojë për komunikim me Beogradin, në të gjitha nivelet.
“Ne duam që shtetet të vazhdojnë të zhvillojnë raporte miqësore dhe së bashku të shikojnë për mundësi që të zgjidhen çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor, që do të ulnin tensionet në rajon. Kjo do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë që të bënin përparim në rrugën drejt BE-së”, thuhet në deklaratë.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe që atëherë është njohur nga 117 shtete të botës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.