Sllovakët kanë filluar të votojnë të shtunën herët në zgjedhjet presidenciale, rezultati i të cilave do të përcaktojë nëse anëtarja e NATO-s dhe BE-së do të afrohet më shumë me Rusinë, në një kohë ndarjesh për luftën në Ukrainë.
Ivan Korcok, ish-ministri i Jashtëm properëndimor, dhe Peter Pellegrini, i cili ka shfaqur skepticizëm për Ukrainën dhe e gëzon mbështetjen e partisë në pushtet, janë duke garuar në balotazh për ta zëvendësuar presidenten liberale në largim, Zuzan Caputova.
Ata po garojnë në balotazh pasi asnjëri prej tyre nuk e fitoi minimumin e kërkuar prej 50 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve muajin e kaluar.
Megjithëse roli i presidentit është kryesisht ceremonial, presidenti i Sllovakisë i ratifikon traktatet ndërkombëtare, emëron gjyqtarët kryesorë, është komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si dhe mund ta përdorë veton kundër ligjeve të miratuara nga Parlamenti.
SHIKONI EDHE: Kush janë kandidatët kryesorë për president të Sllovakisë?Sipas sondazhit të fundit para zgjedhjeve nga agjencia Focus, Korock dhe Pellegrini do të garojnë fytas.
“Kjo është gara më e fortë për president në histori”, tha Vaclav Hrich, drejtor i agjencisë AKO.
Stefan Harabin, i cili zuri vendin e tretë në rundin e parë pasi kritikoi Bashkimin Evropian dhe e lartësoi presidentin rus Vladimir Putin, nuk e ka mbështetur formalisht asnjërin kandidat në balotazh.
Sipas AKO-së, rreth dy e tretat e votuesve të Harabinit kanë për qëllim ta mbështesin Pellegrinin.
Por, Hrich tha se rezultati i zgjedhjeve është i paparashikueshëm dhe se dalja në zgjedhje do të jetë vendimtare.
“Sa më shumë njerëz që votojnë, aq më shumë mundësi për Peter Pellegrinin, sepse kjo do të nënkuptonte se ai i ka bindur votuesit e Harabinit”, tha ai.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia u bë temë debati në fushatën zgjedhore në Sllovaki, pasi kryeministri i vendit, Robert Fico, e vuri në pikëpyetje sovranitetin e Ukrainës dhe bëri thirrje për paqe me Rusinë.
SHIKONI EDHE: Sllovakia: Një rezultat zgjedhor që pasqyron lodhjen nga UkrainaPellegrini ishte ministër në qeveritë e kaluara të Ficos.
“Po garoj për president për ta shpëtuar Qeverinë e Robert Ficos”, tha Pellegrini në një debat televiziv.
Korcok ia ktheu: “Ju dëshironi ta mbroni Qeverinë. Unë dua ta mbroj Sllovakinë”.
Qeveria e Ficos – e cila u formua në tetor, e përbërë nga partia e tij Smer dhe ajo e Pellegrinit, Hlas, si dhe partia e vogël e ekstremit të djathtë, SNS – e ka ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
“Korcok është luftënxitës, i cili do të mbështetë çdo gjë që i kërkon Perëndimi pa ngurruar fare, përfshirë zhytjen e Sllovakisë në luftë”, tha Fico.