Partitë kryesore politike maqedonase kanë qëndrime të ndryshme nëse skandalet e fundit, në veçanti ai me pasaportat false, mund të rrënojnë imazhin e Maqedonisë së Veriut, por edhe të rrezikojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve apo regjimin pa viza.
Ministria e Punëve të Brendshme, më 6 prill kishte njoftuar për zbulimin e 215 pasaportave false, ndërsa paraprakisht, në një aksion policor ishin arrestuar 11 zyrtarë policorë, të përfshirë në këtë krim. Me pasaporta false ishin pajisur edhe disa persona me dosje kriminale apo drejtues të karteleve të drogës, në mesin e tyre edhe shtetas të huaj.
VMRO-DMNE-ja opozitare vlerëson se partitë në pushtet, me aferën e fundit të koduar si “Mafia”, po rrezikojnë liberalizimin e vizave, por edhe sigurinë në suaza rajonale e botërore.
“Afera ‘Mafia’ ka marrë përmasa ndërkombëtare. Lëshimi i pasaportave nga Ministria e Brendshme për kriminelët botërorë, bosët e drogës, mafiozët dhe anëtarët e grupit militant, Shteti Islamik (IS) paraqet kërcënim për sistemin e sigurisë edhe të shteteve tjera...Për shkak të kësaj, pasojat mund të jenë të përmasave të mëdha për Maqedoninë (e Veriut) dhe qytetarët e saj. Komisioni Evropian tashmë ka theksuar se shkelja e sigurisë së dokumenteve personale në një shkallë të tillë siç ndodhi në Maqedoni (të Veriut), kërcënon kushtin kryesor për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë. Mospërmbushja e këtij kushti rrezikon seriozisht regjimin pa viza dhe udhëtimin e lirë të qytetarëve në vendet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Orce Gjorgjievski, anëtar i kryesisë së partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.
SHIKONI EDHE: Arrestime për pasaporta falseNga Qeveria e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, thonë se pretendimet e opozitës janë gënjeshtra dhe manipulim me opinionin.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut i hedh poshtë si të pavërteta pretendimet se gjoja u janë dhanë pasaporta maqedonase terroristëve të IS-it. Kjo është një gënjeshtër brutale që synon të manipulojë publikun, të parandalojë zbardhjen e plotë të çështjes dhe të dëmtojë reputacionin e institucioneve, që janë të përkushtuar dhe të suksesshëm në trajtimin e të gjitha llojeve të krimit”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje kanë edhe Xhelal Neziri, analist dhe drejtues i qendrës për gazetari hulumtuese si dhe Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve të sigurisë.
Neziri thotë për Radion Evropa e Lirë se rasti me pasaportat është shqetësues për vendin dhe se do të ketë pasoja në procesin e integrimit evropian. Ai këtë e ilustron me rastin me Shqipërisë, e cila është përballur me probleme të tilla dhe me kërkesën e disa shteteve që Tiranës zyrtare t’i hiqet liberalizimi i vizave.
SHIKONI EDHE: Holanda propozon pezullimin e lëvizjes së lirë për Shqipërinë“E them këtë nga përvoja e Shqipërisë, e cila disa herë është përballur me një iniciativë të tillë nga organet e Bashkimit Evropian, pasi një pjesë e madhe kriminelëve që operojnë në vendet e Bashkimit Evropian kanë shtetësi apo pasaportë shqiptare. Tani, kur një vend si Maqedonia e Veriut shndërrohet në furnizues më të madh me pasaporta të krerëve të organizatave kriminale, atëherë kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë pranohet si rrezik nga Brukseli dhe nga qendrat tjera të politikës evropiane, që gjithsesi se do të ketë pasoja”, thotë Neziri.
Por, Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se rasti me pasaportat false nuk është i përmasave të tilla që të ketë pasoja mbi procesin integrues apo regjimin e vizave.
“Bëhet fjalë për krim të pastër dhe këtë rast nuk e shoh në prizmin e Bashkimit Evropian. Duhet ta kemi të qartë se ne tani një kohë të gjatë jemi të gatshëm për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, andaj edhe kemi të bëjmë me çështje që aspak nuk do të pengojnë këtë proces. Bëhet fjalë për një krim klasik dhe institucionet duhet të forcojnë kapacitetet për t’u përballur me raste të tilla, madje edhe në radhët e veta”, thotë Dujoski.
SHIKONI EDHE: Biznesmeni turk i kërkuar në Turqi gjeti strehim në KosovëZyrtarë të lartë evropianë kanë komentuar skandalin me pasaportat false duke bërë të ditur se rasti do të përfshihet në raportet e ardhshme të institucioneve të BE-së, por gjithashtu ata kanë theksuar edhe përkushtimin për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në përballje me rastet e tilla.
“Problemet duhet t’i zgjidhim bashkërisht, duke i dhënë njëri-tjetrit këshilla nga përvojat tona. Nevojiten reforma më të thella...zhvillimet e fundit do të reflektohen në dosjen e Komisionit dhe Parlamentit Evropian dhe sigurisht do të ndiqen me siguri nga të dy institucionet”, ka thënë Ilhan Kyçyk, raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian.