Evropa sërish në epiqendër të pandemisë

Një punonjëse shëndetësore në Moskë.

Evropa është sërish në epiqendër të pandemisë së koronavirusit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Zyrtarë të lartë të saj thanë se kontinenti ka parë rritje prej më shumë se 50% të numrit të rasteve me koronavirus, muajin e fundit, duke e bërë atë epiqendër të pandemisë, pavarësisht furnizimit të bollshëm me vaksina.

“Mund të ketë shumë vaksina në dispozicion, por marrja e vaksinës nuk ka qenë e barabartë”, tha shefi i emergjencave në OBSH, Michael Ryan.

“Përvoja e Evropës është shenjë paralajmëruese për botën”, tha ai.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se vendet që kanë imunizuar më shumë se 40% të popullsisë së tyre, duhet t’iu dhurojnë doza vendeve në zhvillim, që ende nuk u kanë ofruar qytetarëve të tyre as dozën e parë.

“Nuk duhet të jepen më doza përforcuese, përveç njerëzve me imunitet të komprometuar”, tha Tedros.

SHIKONI EDHE: Gjermania shënon rekord të rasteve të reja me COVID-19

Më shumë se 60 vende kanë filluar të japin doza përforcuese, për të ndaluar rënien e imunitetit përpara dimrit, kur pritet një valë tjetër e koronavirusit. Në Shtetet e Bashkuara, fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç kanë filluar këtë javë po ashtu imunizimin.

Drejtori për Evropën i OBSH-së, Hans Kluge, tha se numri në rritje i rasteve me koronavirus në rajon paraqet “shqetësim të madh”.

Ai tha se normat e shtrimit në spital janë dyfishuar javën e kaluar.

“Evropa është kthyer në epiqendrën e pandemisë, aty ku kemi qenë një vit më parë”, tha Kluge.

SHIKONI EDHE: Mbi pesë milionë viktima me koronavirus në botë

OBSH-ja për Evropën tha se rajoni numëron afro 1.8 milion raste të reja javore - një rritje prej rreth 6% nga java e kaluar, dhe 24,000 viktima javore, që nënkupton rritje për 12%.

Kjo është java e pestë me radhë që numri i të infektuarve në Evropë rritet. Sipas OBSH-së, kontinenti është rajoni i vetëm në botë ku infeksioni ende rritet.

“Ne jemi qartazi në një valë tjetër”, tha epidemiologu kryesor i Suedisë, Anders Tegnell.

“Përhapja në rritje është tërësisht e përqendruar në Evropë”, shtoi ai.

Edhe Fergus Sweeney, nga Agjencia Evropiane e Barnave, tha se situata epidemiologjike në Evropë është shumë shqetësuese dhe se kontinenti po hyn në dimër me rritje të shkallës së infeksionit dhe të shtrimeve në spital.

SHIKONI EDHE: Infeksioni i lartë në rajon, rrezik edhe për Kosovën

Muajve të fundit, shkalla e vaksinimit është ngadalësuar në të gjithë kontinentin.

Rreth 80% e njerëzve në Spanjë janë vaksinuar plotësisht, por ky numër është më i ulët në Francë dhe Gjermani - 68%, përkatësisht 66% - dhe akoma më i ulët në disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore. Vetëm 32% e rusëve kanë qenë të vaksinuar plotësisht deri në tetor.

“Nëse nuk marrim kundërmasa tani, kjo valë e katërt do të sjellë akoma më shumë vuajtje”, tha Lothar Wieler, nga Instituti i Shëndetit në Gjermani “Robert Koch”.

Gjermania ka raportuar të enjten afro 34,000 raste të reja me koronavirus - shifër e paparë për këtë vend, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar.

Në mesin e shumë gjermanëve që nuk janë të vaksinuar, janë më shumë se tre milionë të moshës mbi 60 vjeç, që konsiderohet se janë në rrezik të veçantë.

Përgatiti: Valona Tela