Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje qytetarëve gjermanë që të vaksinohen kundër koronavirusit, duke thënë se sa më shumë njerëz që vaksinohen, aq më shumë liri do të ketë.
Normat e vaksinimit në Gjermani kanë rënë javëve të fundit.
Sipas shifrave zyrtare, rreth 58.7 për qind e qytetarëve gjermanë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës, ndërsa 43 për qind janë vaksinuar plotësisht.
Instituti për kontrollin e sëmundjeve në Gjermani “Robert Koch” ka thënë javën e kaluar se vendi duhet të synojë vaksinimin e 85% të njerëzve të moshave 12-59 vjeç dhe të 90% të njerëzve mbi 60 vjeç, për të parandaluar variantin Delta të koronavirusit që të shkaktojë rritje të numrit të rasteve në vjeshtë dhe dimër.
Delta, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përhapet më shumë se variantet e mëparshme.
“Sa më shumë njerëz që vaksinohen, aq më shumë të lirë do të jemi”, tha të martën Merkel, e cila është vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.
SHIKONI EDHE: Merkel merr vaksinën e Modernas, pas asaj të AstraZenecasGjermania i ka hequr shumë kufizime nga koronavirusi muajve të fundit, por njerëzve ende u kërkohen teste negative të koronavirusit ose certifikata të vaksinimit për të ngrënë në ambientet e brendshme të restoranteve, ku kapaciteti është i kufizuar.
Maskat në dyqane kërkohen po ashtu.
Koronavirusi në Gjermani ka infektuar mbi 3.7 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 91,000.