Që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022, forcat e tij të armatosura kanë sulmuar Ukrainën me raketa dhe dronë të cilat i kanë hedhur nga kufijtë relativisht të sigurt të Krimesë.
Pas pushtimit të këtij gadishulli ukrainas në Detin e Zi më 2014, udhëheqësi i Kremlinit investoi miliarda dollarë në militarizimin e Krimesë, duke zgjeruar baza e duke ndërtua depo e infrastrukturë tjetër.
Tani, fortesa e Krimesë përballet me një kërcënim të madh që mund të neutralizojë rolin e saj thelbësor në luftën 26-mujore: Sistemin amerikan ATACMS me rreze të gjatë veprimi, i njohur si Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë. Pas pothuajse dy vjet hezitim, Shtetet e Bashkuara gjatë prillit dërguan në Ukrainë versione të raketave të fuqishme balistike që mund të udhëtojnë 300 kilometra – në esencë mund të arrijnë çdo cak ushtarak, prej mbi 100 sa janë në gadishull.
“Dërgimi i ARACMS është një arritje e madhe. Praktikisht, në aspektin ushtarak mund ta bëjë Krimenë të pavlerë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Philip Karber, analist ushtarak me bazë në Uashington, i cili fokusohet në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja i dërgon Ukrainës raketa me rreze veprimi prej 300 kilometrashKrimeja është shtëpi e Flotës të Detit të Zi të Rusisë, gjashtë bazave ajrore, qendrave komanduese, depove të armëve, porteve, kazermave dhe të tjera. Po ashtu, ky gadishull është i mbushur me radarë të mbrojtjes ajrore dhe sisteme kundërraketore për të mbrojtur objektet.
Rusia rregullisht hedh raketa – përfshirë raketa hipersonike – dhe lëshon dronë nga Krimeja për në jug të Ukrainës. Së fundi, Rusia ka goditur nga Krimeja edhe qytetin-port ukrainas të Odesës.
“Një aeroplanmbajtëse e pamposhtur”
Krimeja po ashtu shërben si qendër kyçe logjistike për përpjekjet e luftës të Putinit. Rusia lëviz furnizime kritike – sikurse municione, autoblinda, karburante, ushqim dhe pajisje mjekësore – nga rajoni i Krasnodarit për në Krime përmes rrugëve tokësore, hekurudhave, trageteve dhe anijeve të tjera. Shumica e furnizimeve dhe ushtarëve lëvizin në veri përmes gadishullit në pjesët e rajoneve ukrainase të Hersonit dhe Zaporizhjës, të pushtuara nga Rusia.
“Aktualisht, Krimeja është si një aeroplanmbajtëse e pamposhtur për rusët, duke lëshuar dronë dhe avionë dhe duke ofruar mbështetje logjistike për forcat në jug të Ukrainës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ben Hodges, gjeneral në pension i ushtrisë amerikane, i cili ka udhëhequr trupat amerikane në Evropë.
Ukraina ka goditur disa pika kyçe ushtarake që gjenden në gadishull – përfshirë baza ajrore dhe Urën e Krimesë të gjatë prej 19 kilometrash, që është lidhja e vetme fizike mes Rusisë dhe Krimesë dhe është një rrugë e rëndësishme për furnizimet ushtarake – edhe para se dërgesat e fundit me sistemet ATACMS të miratoheshin nga Shtetet e Bashkuara më 24 prill.
SHIKONI EDHE: Nga logjistika deri në psikologji - efektet e shpërthimit të urës së KrimesëEdhe pse Rusia vazhdimisht mbyll për qarkullim urën për shkak të kërcënimeve nga sulmet, Moska vazhdon të dërgojë furnizime të konsiderueshme për Krimenë përmes trageteve, tha Karber. Anijet po ashtu transportojnë mallra në Sevastopol, ku gjendet selia e Flotës ruse e Detit të Zi, që gjendet në brigjet jugperëndimore të gadishullit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje administratës së presidentit Joe Biden, që t’i dërgojë sisteme me rreze të gjatë veprimi ATCMS, të cilat mund të bartin koka bërthamore në peshë prej 230 kilogramësh. Zelensky ka kërkuar sisteme të tilla në mënyrë që të godasë caqe ushtarake prapa vijave ruse, veçmas ato në Krime. Ukraina prodhon vetëm një numër të vogël të raketave me rreze të gjatë veprimi, edhe pse shpreson që këtë vit të rrisë prodhimin.
Vjeshtën e vitit të kaluar, SHBA-ja i dërgoi Kievit një version të ATACMS me rreze të shkurtër veprimi prej 165 kilometrash, që përhapin bomba më të vogla kur shpërthejnë. Ukraina në mënyrë të suksesshme e përdori këtë sistem për herë të parë në tetor, kundër caqeve në lindje të Ukrainës.
Pak pasi mori ATACMS me rreze të gjatë veprimi në prill, Ukraina më 17 prill u raportua se i përdori këto armë gjatë një sulmi në bazën ajrore Dzhankoi në verilindje të Krimesë, duke dënuar helikopterë rusë, një platformë për raketat strategjike tokë-ajër S-400 – që janë sistemi më i avancuar ajror i Rusisë – dhe një kompleks për vëzhgim të hapësirës që është përdorur si qendër komanduese dhe kontrolli. Megjithatë, ky raportim nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Loja e numrave
Shtetet e Bashkuara nuk kanë njoftuar se sa ATACMS me rreze të gjatë veprimi ka dërguar në Ukrainë, apo sa do të marrë Kievi në muajt në vijim.
The New York Times, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, tha se mbi 100 ATACMS me rreze të gjatë veprimi janë dërguar në Ukrainë. Mund të nevojiten shumë sisteme të tilla për të shkatërruar apo shkaktuar dëm të madh në një cak të vetëm, thanë Karber dhe Hodges.
Colby Badhwar, analist i pavarur i mbrojtjes, shkroi në X – që më herët njihej si Twitter –se SHBA-ja mund t’i japë Ukrainës 200 ATAMS me rreze të gjatë veprimi dhe rreth 1.140 raketa “të skaduara” nga rezervat e SHBA-së, nëse ato janë ende të përdorshme.
Ukraina posedon edhe raketa të tjera të prodhimit perëndimor, edhe pse furnizimet me to po i pakësohen. Mbretëria e Bashkuar vitin e kaluar i dërgoi Ukrainës raketat e saj precize lundruese, Storm Shadow. Këto lloje raketash mund të godasin caqe 250 kilometra larg. Në fund të prillit, Londra njoftoi se do t’i dërgojë Kievit më shumë raketa të këtij lloji.
Dëshmi e konceptit
Në një periudhë dhjetëditore në shtator të vitit 2023, Ukraina përdori furnizimet e saj me raketat Storm Shadow për të shënjestruar dy caqe në Krime: një kantier detar dhe selinë e Flotës së Detit të Zi në Sevastopol. Ukraina ka shkatërruar apo dëmtuar rreth 24 anije ruse në Detin e Zi, përfshirë luftanijen kryesore Moskva, e cila u fundos në prill të vitit 2022. Kievi ka kryer sulmet duke përdorur një kombinim të armëve që i prodhon vetë dhe të armëve perëndimore.
SHIKONI EDHE:
Ukraina nuk ka marinë, por po dërrmon Rusinë në Detin e ZiSulm "masiv" me dronë në Flotën e Detit të ZiMë pak se dy javë pas sulmit në selinë e flotës, Rusia tërhoqi një pjesë të Flotës së Detit të Zi nga gadishulli dhe e dërgoi në qytetin-port rus të Novorosijskut.
“Ukrainasit veçse kanë dëshmuar konceptin se çfarë mund të bëjnë disa armë precize ndaj rusëve në Krime”, tha Hodges, duke iu referuar sulmeve me raketat Storm Shadow në Krime, që shkaktuan tërheqjen ruse.
Në një intervistë dhënë muajin e kaluar për The Washington Post, Zelensky tha se ATACMS do t’ia mundësonte Ukrainës t’i largonte forcat ajrore ruse nga gadishulli.
“Kur Rusia ta dijë që ne mund t’i shkatërrojmë avionët, ata nuk do të sulmojnë nga Krimeja”, tha ai. “Do të jetë sikurse me rastin e flotës. Ne i dëbuam nga ujërat tona territoriale. Tani, ne do t’i dëbojmë edhe nga aeroportet në Krime”.
Badhwar tha se ATACMS, që fluturojnë me shpejtësi më të madhe sesa Strom Shadow dhe mund të arrijnë caqet brenda minutave, janë më të përshtatshëm për t’u përdorur kundër objektivave sikurse janë caqet e lëvizshme, sistemet kundërajrore, avionët që janë në tokë, asetet logjistike sa i përket dërgesave të furnizimeve, por edhe raketahedhësve dhe artilerisë.
Megjithatë, ai tha se raketat lundruese gjermane, Taurus, janë më të përshtatshme sesa ATACMS për të shënjestuar Urën e Krimesë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deri më tani i ka rezistuar presionit që t’i japë Ukrainës këto raketa të fuqishme, edhe pse zyrtarët perëndimorë shpresojnë që vendimi i SHBA-së për ta furnizuar Kievin me raketa ATACMS do ta detyrojë edhe Gjermaninë që të dërgojë raketa Taurus.
SHIKONI EDHE:
Scholz nuk ndryshon qëndrimin për raketat TaurusÇfarë janë raketat Taurus që janë në qendër të tensioneve ruso-gjermaneS’ka vend për t’u fshehur
Tani që Ukraina është armatosur me ATACMS, tha Hodges, forcat ruse në Krime nuk kanë vend ku të fshihen. Forcat e armatosura të Ukrainës “njohin çdo metër katror” të gadishullit, tha ai. Gjatë pjesëmarrjes në Konferencës e Sigurisë së Munihut në shkurt, Zelensky tha se u ka treguar zyrtarëve amerikanë se cilat caqe dëshiron ai të godasë me ATACMS.
“Hapi i parë i madh drejt çlirimit të Krimesë është që ajo të bëhet e paqëndrueshme. Aftësitë për goditje precize nga distanca të largëta do t’i jepnin mundësinë Ukrainës që ta bëjë këtë”, tha Hodges.
“Nuk duhet që të vrisni të gjithë rusët”, tha ai. “Vetëm duhet të siguroheni që ata të mos kenë karburante, municion dhe ushqim”.
Përderisa Karber tha se Ukraina ka të ngjarë që të kryejë sulme me ATACMS kundër ndërtesave ushtarake ruse në pjesët e pushtuar në lindje të vendit, ku Moska po bën përparim dhe po armatoset për një ofensivë të re. Ndërkaq, Hodges tha se Kriema është kyçe për fitore.
“Mendoj se Krimeja është ajo që ne preferojmë ta quajmë si terren vendimtar të kësaj lufte. Kushdo që e kontrollon Krimenë do të jetë fitues”, tha Hodges.
SHIKONI EDHE: Rindërtimi i Marinës së Kievit, larg nga UkrainaNë ndërkohë, vetëm izolimi i Krimesë duke ia shkatërruar linjat e furnizimit do të ulte presionin ndaj forcave ukrainase, shtoi ai. Sulmet ruse me raketa dhe dronë të kryera nga gadishulli do të pakësoheshin dhe trupat ruse në jugun e pushtuar do të përballeshin me probleme logjistike, sipas Hodges.
Më pas, sipas Hodges, Ukraina do të mund të dërgonte trupat e jugut në veri, aty ku ka një përballje më të ashpër.
“Do të kishte një efekt më të gjerë sesa vetëm dëbimin e rusëve që aty”, tha Hodges. “Do të kishte një efekt në mbarë fushëbetejën, në aspektin psikologjik, logjistik dhe fizik”.