Kryetarët hynë në komunat në veri, Serbia ngre gatishmërinë luftarake

Your browser doesn’t support HTML5

Nën gaz lotsjellës, kryetarët hynë në zyrat në veri

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, konfirmoi se kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - që të gjitha të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës - u vendosën në zyrat e tyre në objektet komunale, me gjithë rezistencën e disa banorëve lokalë.

"Ata do ta vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim", tha Sveçla.

Kryetarët e rinj shqiptarë u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.

Një ditë më herët, ata u betuan në shkolla e ndërtesa të tjera publike të këtyre komunave, për shkaqe sigurie.

Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t'i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.

Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna me armë. Sipas një njoftimi të policisë, së paku pesë zyrtarë policorë atje pësuan lëndime trupore.

KFOR: Situatë jashtëzakonisht e rrezikshme

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se situata e krijuar "është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi" dhe se "rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve".

Duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë, KFOR-i tha se dënon "aktet e njëanshme".

"KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në komunat në veri të Kosovës, ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat komunale", tha përmes një deklarate misioni paqeruajtës.

Zveçan, 26 maj 2023.

Kosova fajëson Serbinë; Serbia ngre gatishmërinë luftarake

Autoritetet e Kosovës fajësuan "strukturat kriminale dhe ilegale" të Serbisë për përshkallzimin e situatës.

Presidentja Vjosa Osmani tha se "veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim".

Kryeministri Albin Kurti tha në një takin me komandantin e misionit KFOR, gjeneral majorin Angelo Michele Ristuccia, se "kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, pa pengesa".

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në anën tjetër, dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.

Ky vendim u mor për shkak të situatës në Kosovë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vuçiq tha se në Kosovë "nuk ka pasur krizë më të rëndë apo më të madhe".

Ai paralajmëroi një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare "për të biseduar se çfarë do të ndodhë në Kosovë”.

Radio-Televizioni i Serbisë raportoi, po ashtu, se ushtria serbe ka marrë urdhër që "të lëvizë urgjentisht" drejt kufirit me Kosovën.

REL-i nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.

SHIKONI EDHE: Ministri serb i Mbrojtjes: Nuk përjashtojmë asnjë përgjigje adekuate të Serbisë

Blinken: Veprimet e Kosovës do të kenë pasoja në marrëdhëniet dypalëshe

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që, sipas tij, i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe do të kenë "pasoja në marrëdhëniet dypalëshe" të SHBA-së me Kosovën.

Në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit, ai tha se veprimet e tilla "kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet", duke i minuar përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"I bëjmë thirrje kryeministrit [të Kosovës] Albin Kurti që ta ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do t'i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt", tha Blinken.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha po ashtu se "masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë".

Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili vizitoi Kosovën këtë javë, tha se kryeministri Albin Kurti nuk ka përmendur "ndonjë plan për të hyrë në këto komuna".

"Si një mik i Kosovës jam zënë në befasi dhe ai [Albin Kurti] duhet ta ndalojë këtë provokim menjëherë", shkroi Murphy në Twitter.

Ai shtoi se zyrtarët "kanë teknikisht të drejtë të kenë qasje në këto objekte", por, sipas tij, në këtë situatë të tensionuar, ky është një "provokim i qëllimshëm dhe hap i panevojshëm".

BE-ja s'do të pranojë "veprime të njëanshme"

Bashkimi Evropian tha se i dënon ashpër përleshjet në veri dhe kërkoi të ndërmerren veprime për shtensionimin e situatës.

"BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm, provokues", tha zëdhënësi Peter Stano.

Thirrje për zmbrapsje dhe shtensionim të situatës bënë edhe shtetet e QUINT-it bashkërisht: SHBA-ja, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

"Ne dënojmë vendimin e Kosovës për ta bërë me forcë hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje", thuhet në deklaratë.

Bashkësia ndërkombëtare, prej kohësh, ka shtuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nga frika e jostabilitetit të mëtejshëm në Evropë, ndërsa vazhdon edhe lufta në Ukrainë.

Zeqiri: Gjithçka e drejtuar me ndërhyrjen e Serbisë

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se do të përpiqet që ta instalojë udhëheqjen e tij "brenda procedurave ligjore" të Republikës së Kosovës.

"Këtu dihet se gjithçka ka qenë e drejtuar prej të ashtuquajturit sistem paralel, me ndërhyrje të Serbisë, përmes grupeve kriminale", tha Zeqiri.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm që në komunën që e udhëheq, "ka grupe kriminale".

"Uroj që [atyre] dita-ditës t’iu ngushtohet kjo hapësirë dhe një pjesë e këtyre kriminelëve, vendin nuk e kanë këtu, por në burg", tha Zeqiri.

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në ndërtesën e komunës, 26 maj 2023.

Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut - që të gjithë shqiptarë - bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ceremonitë e betimit u mbajtën në objekte publike si shkollat, sepse në ndërtesat e komunave ka organe të përkohshme komunale, të cilat punojnë në sistemin e Serbisë.

Vetëm në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Kryetari i ri, Erden Atiq, u betua atje më 19 maj.

Këta kryetarë dolën nga zgjedhjet lokale që u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.