Sindikata në Maqedoni po humb anëtarësinë nga viti në vit dhe si shkak për këtë besohet të jetë politizimi i këtij organi, i cili duhet të mbrojë të drejtat e punëtorëve.
Nga rreth 700 mijë persona që mendohet të kenë ndonjë marrëdhënie pune në sektorë të ndryshëm, qofshin privat apo shtetëror, afër 50 mijë prej tyre, apo më pak se 10 për qind, janë të anëtarësuar në Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë.
Kryetari i ri i këtij organizimi sindikal është zgjedhur Darko Dimevski, por emërimi i tij në këtë detyrë është përcjellë me tensione, e madje edhe me dhunë nga ithtarët e kryetarit të shkarkuar, të cilët kontestonin zgjedhjen e kryetarit të ri. Drama ka vazhduar për disa ditë derisa drejtuesi i LSM-së është futur në kabinetin e tij vetëm pas thyerjes së derës.
Në fakt, të gjitha ndryshimet në sindikatë janë bërë në këtë formë, varësisht se kush ka ardhur në pushtet. Kryetari i deritashëm ishte në anën e VMRO-së së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ndërsa ai paraprak me Lidhjen Social-Demokrate që në atë kohë drejtohej nga ish-kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.
Kryetari i ri, Darko Dimevski, i zgjedhur tani në qeverisjen e kryeministrit Zoran Zaev, njëherësh kryetar i LSDM-së,thotë se do të jetë i pavarur në punën e tij dhe se të drejtat e punëtorëve do të jenë mbi të gjitha.
“Në vitin 2010 kur e shkarkuam Vanço Muratovskin, Lidhja e Sindikatave kishte rreth 85 mijë anëtarë, kur bëmë ndryshim tjetër në vitin 2013, numri u zvogëlua edhe për 25 mijë të tjerë... Ky numër vazhdon të ulet për shkak të sjellje jo pozitive ndaj degëve të organizatave sindikale. Ne do të bëjmë gjithçka të mundur, që të kthejmë besimin në sindikatë, si organizata e vetme për mbrojtjen dhe artikulimin e kërkesave të punëtorëve”, thotë Dimevski.
Por, zotimet e tij shihen me skepticizëm nga njohësit e çështjeve ekonomike. Ata thonë se edhe Dimevski nuk do të dallojë nga paraardhësit e tij dhe sindikata do të vazhdojë të jetë në shërbim të politikës ditore.
“Klasat politike qëllim parësor kanë mbajtjen nën kontroll të organizatave sindikale. Kjo ishte evidente gjatë 27 viteve të kaluara. Partitë mendojnë se nëse humbin kontrollin mbi sindikatën, atëherë mund të ballafaqohen me revoltën e punëtorëve. Mobilizim apo ngritje të sindikatës në këmbë të shëndosha vështirë se do të ketë".
"Sikur kjo të ndodhte shumë probleme do të ishin zgjidhur, do të përmirësohej gjendja me të drejtat e punëtorëve. Ata janë në gjendje të rëndë, nuk ka se kush t’i mbrojë, paguhen me shuma qesharake, me para në dorë, pa sigurime shëndetësore, pa kontribute pensionale”, thotë Zdravko Savevski, profesor i Ekonomisë dhe një nga aktivistët më të zëshëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Edhe Fatmir Bytyçi, ekspert i ekonomisë, nuk beson në shkëputjen e sindikatës nga “kthetrat” e politikës. Ai thotë se përmes zgjedhjes së njerëzve të besueshëm, partitë arrijnë jo vetëm ta heshtin zërin e pakënaqësive të punëtorëve, por nëpërmjet formave të ndryshme bëhen edhe presione ndaj punëtorëve për të mos dalë në protesta.
“Sindikatat, realisht nuk e kryejnë rolin e tyre sindikalist. Ato thonë se mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por në fakt gjithmonë u kanë shërbyer elitave politike, kryesisht atyre në pushtet për të arritur agjendat e tyre të fshehura, që zakonisht kanë qenë populiste. Edhe rasti i fundit vlerësoj se në dukje paraqitet sikurse reformues për sindikatën, por realisht konsideroj se partitë që e marrin pushtetin nuk besoj se do të lejojnë që të ketë një sindikatë të pavarur, e cila do të vepronte vetëm se për interesat e punëtorëve”, thekson Bytyçi për radion Evropa e Lirë.
Ai shtron nevojë për një riorganizim të ri të punëtorëve me qëllim ngritjen e një sindikate sipas praktikave të vendeve të zhvilluara.
Ndryshe, vrapi pas marrjes së postit në lidhjen e sindikatave sipas ekspertëve, bëhet edhe për shkak të të ardhurave të majme dhe beneficioneve të tjera që ofrohen për drejtuesit e saj.
Kryetari i sindikatës, sipas të dhënave të këtij institucioni, merr një pagë mujore prej rreth 800 euro, ndërsa paga të majme marrin edhe të punësuarit e tjerë në sindikatë.