Ukraina u ka bërë thirrje shteteve që të dënojnë penalisht përdorimin e simbolit ‘Z’, i cili konsiderohet si mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Fillimisht e përdorur në tanket ruse që kanë hyrë në Ukrainë, shkronja ‘Z’ besohet se ka kuptimin "za pobedu" (për fitore) – dhe është miratuar nga rusët si shenjë për miratim të pushtimit.
Tri lande gjermane, Berlini, Bavaria dhe Saksonia e Ulët – tashmë kanë thënë se kushdo që përdor simbolin për të promovuar luftën, mund të dënohet me deri tre vjet burgim.
Ministria e Brendshme gjermane ka paralajmëruar se ata që e prezantojnë simbolin për të “mbështetur” pushtimin “mund të ndiqen penalisht”.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dimitry Kuleba, u ka bërë thirrje dhe vendeve tjera që të ndjekin shembullin e Gjermanisë.
“’Z’ nënkupton krimet ruse të luftës, bombardim të qyteteve, mijëra ukrainas të vrarë”, ka thënë Kuleba në një postim në Twitter.
“Duhet të ndalohet mbështetja publike e këtij barbarizmi”.
SHIKONI EDHE: 'Z' – Simboli i luftës së Putinit në UkrainëSimboli është parë në disa ndërtesa në Gjermani, si dhe në bluza, flamuj dhe makina.
Ky simbol është parë edhe në shtete e qytete tjera, duke përfshirë edhe Mitrovicën Veriore në Kosovë.
Lituania është në mesin e shteteve që është duke shqyrtuar mundësinë e ndalimit të përdorimit të simbolit.
Nëse miratohet, ata që shihen me të mund të dënohen me 500 euro gjobë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.