Produktet ushqimore me afat të skaduar ose të prishura për shkak që nuk janë mbajtur në temperaturën dhe ambientin e duhur e mungesa e kontrollit, janë vetëm disa nga arsyet përse qytetarët në Kosovë mendojnë se ushqimi nuk është i sigurt. Kosova në vit asgjëson së paku një milion tonelata produkte ushqimore.
Në Ditën Botërore të Sigurisë së Ushqimit (7 Qershor), qytetarët por edhe nutricionistët e profesorët universitarë, kërkojnë më shumë përgjegjësi nga shitësit e ushqimit, e më shumë kontroll nga institucionet, përkatësisht Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUVK).
Syzana Hajdini nga Prishtina thotë se ‘gjithmonë ka mëdyshje për cilësinë’ e produkteve, të cilat i blen për familjen e saj.
“Shpeshherë më ka rastisur që të blej produkte pa afat, e nganjëherë afatin e kanë pasur, por kur e kam hapur paketimin, produkti ka qenë i prishur sepse nuk është mbajtur në temperaturën e kërkuar... edhe në fund e kam kthyer në dyqan, vetëm më kanë thënë ta marr një tjetër”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ajo konsideron se institucionet, por edhe shitësit e produkteve ushqimore mund të bëjnë më shumë për sigurinë e ushqimeve.
“Mendoj që duhet të ketë më shumë kontrolle nga inspektorati, e besa kujdes më të madh nga ata që shesin produkte, për shembull dyqanet duhet të kujdesen që produktet pa afat të largohen menjëherë, por edhe të kujdesen që produktet që mbahen nëpër depo, të mbahen në temperaturën e kërkuar”, thekson ajo.
SHIKONI EDHE: Cilësi relative e ushqimeve në KosovëEdhe Shyhrete Maliqi nga Prishtina thotë se kur blen ushqime nëpër dyqane, për disa nga to ka shumë hezitim.
“Sidomos kur kam blerë vezë kanë qëlluar të prishura, gjithmonë kam pasur pasiguri në ushqime sidomos unë që kam fëmijë, kur blej produkte të qumështit ose mishit, kam hezitim, menjëherë shikoj a e kanë cilësinë e mirë, a kanë afat”, tregon ajo.
- Nga e shëndetshmja tek e ëmbla: Çka kanë menytë e kopshteve publike?
- Lodra toksike në treg: Rrezik për shëndetin e fëmijëve
Ajo përmend disa masa që duhet t’i marrë AUVK-ja, dyqanet dhe qytetari për të ndihmuar në përmirësimin e situatës.
“Mendoj që duhet [të ketë] më shumë kontroll, si prodhohen, nëpër çka kalojnë, pastaj dyqanet duhet t’i kontrollojnë më shumë afatet, por gabimi më i madh është te ne që nuk i paraqesin tek institucionet përkatëse”, ka thënë ajo.
Edhe kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë ka më shumë ‘pakënaqësi për ushqime e pak siguri për to”.
“Ne, nëse dalim në tregun e gjelbër, nuk e kemi cilësinë që na ofrohet me çmim, nuk e kemi cilësinë që është e kontrolluar nga inspektorati, edhe në dyqane nuk mund të themi që mishi i bluar është 4 euro, ndërsa çmimi i mishit është 7 ose 8 euro, pra s’kemi të bëjmë me mish të mirë të bluar”, thotë Kaçaniku.
SHIKONI EDHE: Çfarë mishi hanë kosovarët?Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUVK), thonë për Radion Evropa e Lirë se numri i vogël i inspektorëve mbetet sfidë për këtë institucion.
Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUVK, thotë se kjo ndikon edhe në numrin e inspektimeve.
“Aktualisht, në kuadër të AUV-së, janë 74 inspektorë ku përfshihen inspektorët e brendshëm dhe kufitarë. Numri i inspektorëve në raport me numrin e subjekteve, të cilat merren me produktet ushqimore është tepër i vogël. Nevojat janë, së paku edhe për 50 inspektorë”, thotë Thaçi.
Ai sqaron se për rekrutimin e inspektorëve të rinj nevojitet përfshirja e një varg institucionesh, së pari kërkesa bëhet në Ministrinë e Financave, dhe pas miratimit procesi kalon te Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës, e cila e organizon procesin.
Thaçi tregon se së fundmi kanë organizuar një konkurs, por kandidatët nuk kanë mundur ta kalojnë testin, edhe pse i kanë plotësuar kriteret fillestare.
Sipas tij, gjatë vitit të kaluar dhe në gjysmën e parë të këtij viti, në Kosovë janë bërë mbi 91 mijë inspektime. Nga këto inspektime, në vitin 2023 janë asgjësuar 1.3 milion tonë produkte ushqimore, ndërsa në 6-mujorin e parë të këtij viti janë asgjësuar afro gjysmë milioni produkte ushqimore. Mbi 1 milion tonë produkte ushqimore janë asgjësuar edhe në vitin 2022.
Ai shpjegon se produktet asgjësohen me kërkesën e vetë biznesit, pastaj produktet mund të asgjësohen nëse gjatë kontrolleve janë gjetur pa afat, ose janë ruajtur në kushte joadekuate. Po ashtu, produkte asgjësohen nëse janë të kontrabanduara, dhe nëse konsumatori ankohet për to.
SHIKONI EDHE: Ushqimet kontrollohen: Mbi gjysmë milioni kg të asgjësuara këtë vitSipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë muajit prill të këtij viti, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 2.5 miliardë euro.
Vendet e BE-së nga të cilat më së shumti ka importuar Kosova janë: Gjermania, Greqia dhe Italia, ndërsa nga ato fqinje Maqedonia e Veriut, Shqipëria Serbia.
Ndërsa, produktet që më së shumti importohen në Kosovë, sipas Doganës së Kosovës, janë mishi dhe produktet e tij, peshku dhe produktet e tij, mjalti, vezët si dhe produktet e qumështit.
Çka e rrezikon sigurinë e ushqimit në Kosovë?
Nutricionisti Besnik Humolli përmend disa arsye se përse ushqimi në Kosovë nuk është i sigurt.
“Ndotja e ajrit, ambienti, pluhuri kur dihet që në Kosovë kemi pak më shumë, por edhe hapësirat qoftë në dyqane, qoftë në rrugë ku janë të ekspozuara direkt ndaj pluhurit dhe lëndëve djegëse të makinave, mirëpo normalisht pastaj edhe pesticidet që spërkaten”, thotë ai.
Sipas Humollit, institucionet duhet shtuar kontrollet, ndërsa qytetarët duhet shtuar vigjilencën kur blejnë produkte.
“Nuk ka ndonjë kontroll, nuk shkon java që nuk u them nëpër markete largoni këto produkte sepse u ka skaduar afati. Në përgjithësi, është mirë t’ua hedhim një sy sidomos atyre që janë në lirim, sepse dihet që janë afër skadimit. Të gjitha ushqimet duhet kontrolluar, sidomos djathi, qumështi, buka”, shprehet ai.
SHIKONI EDHE: Sa është i sigurt ushqimi në Kosovë?Afrim Hamidi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, drejtimi Teknologji Ushqimore me Bio-teknologji thotë për Radion Evropa e Lirë, se siguria e ushqimit rrezikohet nga mungesa e analizave të mirëfillta.
“Produktet me origjinë bimore duhet të kontrollohen në mënyrë dinamike për mbetje kimike që vijnë nga fertilizuesit e ndryshëm, metalet e rënda, pesticidet dhe herbicidet sidomos ato të importit”, thotë ai.
Çfarë thotë raporti i Komisionit Evropian për sigurinë e ushqimit në Kosovë?
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovë për vitin 2023, vlerëson se Kosova është ‘deri diku’ e përgatitur për sigurinë e ushqimit.
Sipas këtij raporti, Kosova ka avancuar më tej në fushën e kontrollit të ushqimit si krijimi i bazës ligjore, por resurset vazhdojnë të mbeten të pakta.
“Burimet financiare dhe njerëzore të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës mbeten të pamjaftueshme për të zbatuar plotësisht bazën ligjore të BE-së në këtë fushë”, thuhet në raport.
Ndërkaq, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, qasja në produkte të sigurta dhe me vlera ushqyese është kyçe për një shëndet të mirë.
OBSH-ja thotë se ushqimi i pasigurt që përmban baktere, viruse, parazitë ose substanca të dëmshme kimike, mund të shkaktojë më shumë se 200 sëmundje të ndryshme - duke filluar nga diarreja deri te kanceri.
Çdo vit, sipas OBSH-së, rreth 600 milionë njerëz - ose gati 1 në 10 njerëz - sëmuren, pasi hanë ushqim të kontaminuar dhe kjo rezulton me rreth 420.000 vdekje.