Fotografimi i së padukshmes: Si të dokumentohet parajsa tatimore?

Brenda njërës prej kasafortave të sigurisë më të lartë të Le Freeport, objekt i ruajtjes së gjërave me vlerë në Singapor.

Më 2012, fotografi holandezo-kanadez, Paolo Woods ka qenë duke jetuar në Haiti, kur një mik i tij, fotografi Gabriele Galiberti i ka shkuar në vizitë.

Mes tjerash, ata kanë diskutuar edhe për taksat dhe Giliberti, me kombësi italiane, e ka përmendur se ka pranuar faturën e taksave dhe që Roma do të fitojë gati 50 për qind të të hyrave të tij.

Më pas, të dy kanë bërë shaka me Ishujt Kajman, në distancë jo shumë të largët, pasi Galiberti ka thënë se është më mire të shkojë dhe t’i fshehë paratë atje.

Fotografët, më pas, e kanë kuptuar se nuk dinë pothuajse asgjë për botën e errët të bankave nëpër territore të huaja – pa ndonjë adresë dhe ndonjëherë pa prezencë fizike – për shmangie të taksave.

Dy muaj më vonë, ata kanë udhëtuar në Ishujt Kajman për të nisur punën për një projekt të njohur si "Parajsa Tatimore".

Në Ishujt Kajman gjenden dy herë më shumë kompani sesa njerëz. Shumë prej këtyre kompanive kanë kuti postare, por jo edhe zyra.

Projekti fotografik është duke u shfaqur në një ekspozitë në galerinë Synthesis, në Sofje, deri më 15 qershor, dhe shpërfaq detaje mahnitëse të botës virtuale të padukshme të parajsave tatimore.

“I gjithë ky sistem është sekret”, ka thënë Woods për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë.

“Si gazetar, kur dëshironi të hulumtoni për të, krijhet çdo rrethanë për të të bllokuar”.

“Gabriele dhe unë e kemi kuptuar që një sistem i tillë bankar është i lidhur ngushtë me ekonominë globale dhe pjesa më e madhe e sistemit ka bazë ligjore”.

Një burrë duke notuar në një pishinë në katin e 57-të në hotelin Marina Bay Sands. Në prapavijë shihet objekti i qendrës financiare të Singaporit.

Prej shtetit amerikan Dellauere, e deri te Ishujt Virxhine, bankat që funksionojnë nëpër territore të huaja prej vendit të origjinës së një klientit, shërbejnë si vende për të investuar të pasurit anonimë dhe për të shmangur obligimet e taksave.

Përveç mundësisë për ofrim të një vendi për ruajtje të parave dhe aseteve, territoret e tilla u mundësojnë njerëzve që të krijojnë profile juridike të mjegullta.

Kompani të tilla “guaskë” mund t’i kenë asetet e tyre të veprave të artit, parave të gatshme dhe pronësi në prona të paluajshme.

Puna sekrete është çelësi i sistemit të tillë bankar, dhe marrja e lejes për të pasur qasje në të ka qenë sfida më e madhe e këtij projekti fotografik.

“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë”, ka thënë Woods.

“Na ka marrë shumë kohë që të përmbledhim projektin, sepse është pothuajse e pamundshme të fitosh qasje në këto vende dhe institucione. Shumë prej tyre na kanë kthyer mbrapsht, disa e kanë bllokuar qasjen në momentin që kemi arritur”.

Neil M. Smith, sekretar për financa në Ishujt britanik Virxhine, i fotografuar në zyrën e tij në Tortola. Në Ishujt britanik Virxhine janë të regjistruara 800.000 kompani.

Si ilustrim i niveleve të fshehtësisë dhe sigurisë së kësaj bote financiare, një fotograf ka thënë se disa objekte të tilla bankare, në disa raste, janë të mbyllura me dhjetëra dyer me kode dhe skanim të irisit të syrit, që nënkupton se një punëtor është dashur të jetë me gazetarin në çdo hap të tij.

Gazetarët kanë thënë se projekti i tyre mëton të nxisë pyetje morale për çështjen e këtyre parajsave për taksa.

Disa thonë se në biznese të tilla bankare në gjithë botën mbahen rreth 32 trilionë dollarë.

Pjesën më të madhe të kësaj pasurie e zotërojnë individë shumë të pasur, mirëpo pjesa më e madhe u takon kompanive që tenton t’iu shmangen rregulloreve apo obligimeve të taksave – në disa raste në mënyrë plotësisht të ligjshme.

Një punëtor i Jetpack Cayman duke bërë sport në ujë në Ishujt Kajman. Mike Thalasinos, pronar i kompanisë ka thënë se “ky sport bëhet pa gravitet. Në Ishujt Kajman nuk ka taksa. Jemi në vendin e duhur”.

Woods i quan këto institucione si “instrumente strukturore të ekonomisë së globalizuar”.

Pasojat që mund të ketë ruajtja e pasurisë jashtë syrit të qeverive nëpër botë, nuk dihet ende, kanë thënë fotografët.

Mirëpo, humbja e të hyrave nga taksat për fushat si kujdesi shëndetësor, edukimi dhe infrastruktura, mund të kenë ndikim të konsiderueshëm në botë.

“Kur e shihni një fotografi të një fëmije duke vdekur në luftë, e kuptoni sa mizore është e gjithë kjo”, ka thënë Woods për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë.

“Është e vështirë për shumë njerëz që t’i kuptojnë pasojat e zonave të tilla financiare, pa adresa të caktuara, sepse ato nuk mund t’i shohë secili me sytë e vet”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.