Shfrytëzimi i lavatriçes, enëlarëses e bojlerit pas orës 22:00 do të ndihmonte që qytetarët e Kosovës të paguajnë më pak për rrymën e shpenzuar, thonë nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Skemën e shpenzuesve të energjisë elektrike në Kosovë, 68 për qind e përbëjnë konsumatorët shtëpiakë.
Mesatarja e faturës së tyre mujore është rreth 30 euro, apo 450 kilovatë në orë energji elektrike.
SHIKONI EDHE: Tarifa të reja të rrymës në shkurtNga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00.
Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.
Konsumatorët e Kosovës paguajnë rregullisht 6.75 centë për kilovat në orë, por me tarifën e ulët paguajnë 4 centë më lirë.
KEDS-i e ka identifikuar bojlerin si pajisjen që shpenzon më së shumti energji elektrike gjatë gjithë vitit. Bojleri përbën 44 për qind të shumës së faturës.
Për të kursyer rrymë nga kjo pajisje, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) u ka rekomanduar qytetarëve t’i ndërrojnë “bojlerët e vjetër”, pasi ata shpenzojnë më shumë.
“Bojleri të përdoret atëherë kur ju nevojitet, kurse termostati i bojlerit të jetë midis 50°- 55°C”, ka rekomanduar ZRRE-ja.
Gjatë dimrit, ndërkaq, shpenzuesi më i madh i energjisë elektrike në shtëpi e banesa është ngrohja me rrymë, e cila përbën deri në 70 për qind të shumës totale të faturës mujore.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Për të kursyer nga ngrohja, ZRRE-ja u ka rekomanduar qytetarëve t’i izolojnë objektet e banimit, t’i mbajnë mbyllur dyert e dritaret, të akumulojnë nxehtësi në termo gjatë natës dhe t’i ndalin mjetet e ngrohjes nëse nuk janë në shtëpi.
Sipas llogaritjeve të KEDS-it, fatura e rrymës rritet për 19 për qind nga pajisjet elektrike për zierje në kuzhinë, nëse nuk shfrytëzohen në mënyrë të duhur. Përdorni i furrave me mikrovalë thuhet se është më efikas dhe se ato shpenzojnë më pak.
Rekomandimet tjera që jep ZRRE-ja, përfshijnë: mosvendosjen e frigoriferit afër burimeve të nxehtësisë, fikjen e dritave në hapësira që nuk shfrytëzohen dhe përdorimin e poçeve elektrike kursyese.
Muajve të fundit, Kosova është futur në krizë energjetike, si pasojë e krizës së ngjashme që ka përfshirë Evropën.
Kriza në Evropë është thelluar kah mesi i vitit 2021, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.
Kjo ka bërë që Kosovës t’i rriten çmimet e importit. Kosova nuk mund t’i përballojë e vetme kërkesat - kryesisht për shkak të vjetërsisë së termocentraleve që ka.
ZRRE-ja ka dalë me propozimin që nga muaji shkurt të rritet çmimi i rrymës.
Sipas propozimit, që pritet të finalizohet deri në fund të muajit, rritja do t’i prekë vetëm qytetarët që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë në orë.
SHIKONI EDHE: Kush do të paguajë më shumë për rrymë?Kjo ka bërë që institucionet energjetike, por edhe Qeveria e Kosovës, të bëjnë thirrje për kursim të rrymës.
Por, Visar Azemi, nga iniciativa rajonale “Balkan Green Foundation”, e cila synon promovimin e zhvillimit të energjisë, thotë se konsumatorët nuk mund të kursejnë rrymë kur nuk kanë alternativa për ngrohje.
Mundësia eventuale për kursim, sipas tij, është që Qeveria e Kosovës t’i subvencionojë pompat termike - apo kaldajat qendrore për ngrohje - për qytetarët.
Këto pompa, thotë ai, konsumojnë më pak energji elektrike.
“Kërkesa më e madhe në këtë periudhë është për ngrohje - këtu është problemi më i madh, sepse nuk ka ndonjë subvencionim të mirëfilltë ose alternativa për qytetarët që t’i ngrohin shtëpitë e tyre”, thotë Azemi.
Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, thonë se mundohen të kursejnë, porse jo gjithmonë e kanë të mundur.
SHIKONI EDHE: Qytetarët pa alternativa – Përdorin energjinë elektrike për ngrohjeRejhane Behxheti, e cila me familjen e saj 4-anëtarëshe jeton në një banesë në Prishtinë, thotë se gjatë sezonit të dimrit nuk mund kursejë, për shkak të ngrohjes me rrymë.
“Unë i kam dy fëmijë të vegjël, nuk e ndal ngrohjen se tani fëmijët mund të sëmuren nga të ftohtët”, thotë Rejhanja, e cila për rrymë paguan mbi 50 euro në muaj.
Arbeni, me profesion ekonomist, thotë se nuk i shfrytëzon tarifat e ulëta dhe të larta të rrymës, por shton se, kohëve të fundit, ka nisur të kursejë rrymë.
“Nuk i lë dritat e ndezura, bojleri nuk qëndron në rrymë gjithmonë, edhe ngrohjen e përdor në rast nevoje, nuk mbaj temperatura të larta në ambient të shtëpisë”, thotë Arbeni.
Për të lehtësuar barrën e qytetarëve nga rritja e pritshme e çmimit të rrymës, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi për ta.
Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.
Faturat me rritje, në rast se propozimi i ZRRE-së kalon, do të shpërndahen nga data 1 shkurt, 2022, dhe shqyrtimi i rregullt i tyre do të bëhet në muajin mars të vitit 2023.