Si synon t’i ruajë BE-ja bizneset evropiane në Iran pas sanksioneve të SHBA-së?

Bashkimi Evropian është zotuar se do të tentojë të krijojë një sistem të ri të pagesave, që do të lejojë bizneset e këtij blloku të vazhdojnë të bëjnë tregti me Iranin, pavarësisht vendimit të Shteteve të Bashkuara për rikthim të sanksioneve kundër Teheranit.

Pas zhvillimit të negociatave të nivelit të lartë në mes të Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve iranianë më 24 shtator, të dyja palët kanë prezantuar një deklaratë, duke thënë se vazhdojnë të jenë të vendosura “për mbrojtjen e lirisë së operatorëve ekonomikë në mënyrë që ata të bëjnë biznes legjitim”.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar në muajin maj se do të largohen nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, dhe do të vendosnin sërish sanksione kundër Teheranit.

Mirëpo BE-ja dhe fuqitë tjera botërore, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina, janë zotuar se do të vazhdojnë të respektojnë marrëveshjen për aq kohë sa Irani do të jetë pjesë e saj.

Meqë, Shtetet e Bashkuara dhe dollari amerikan dominojnë në pjesën më të madhe të tregtisë globale, në deklaratën e BE-së është thënë se një mekanizëm i ri, është i nevojshëm për të “lehtësuar pagesat e lidhura me eksportet dhe importet e Iranit”.

Ministrja për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini, duke folur në OKB, së bashku me ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se shtetet ende janë duke punuar në detaje teknike.

“Në terma praktikë, kjo nënkupton se shtetet anëtare të BE-së do të do të krijojnë një njësi juridike që do të lehtësojë transaksionet financiare legjitime me Iranin dhe do t’iu lejojë kompanive evropiane të vazhdojnë tregtinë me Iranin sipas ligjit të BE-së, duke qenë të hapura me partnerë të tjerë në botë”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Disa diplomatë evropianë, i kanë thënë agjencisë së lajmeve, Reuters se ideja është për të krijuar një sistem shkëmbimi, i ngjashëm me atë që është përdorur në ish-Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, për të këmbyer naftën iraniane me mallrat evropianë, pa përdorur të holla.

Mogherini ka thënë se plani “synon të ruajë marrëveshjen bërthamore, e cila është në interesin ndërkombëtar”.

Ajo ka thënë se Irani ka vazhduar të zbatojë këtë pakt, pavaësisht sanksioneve të SHBA-së, të cilat kanë nisur së aplikuari në muajin gusht.

Pavarësisht disa muajve përpjekje, Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur të krijojë mekanizma ligjorë për të mbrojtur bizneset evropiane nga sanksionet e SHBA-së.

Blloku evropian ka ofruar disa masa siç është linja e financimit përmes euros apo krijimin e një ligji që parasheh shkelje për qytetarët e BE-së që pajtohen me sanksionet amerikane.

Mirëpo diplomatët evropianë kanë pranuar se këto masa nuk janë të mjaftueshme për të siguruar kompanitë se do të mbrohen nga ndëshkimet e SHBA-së, apo se nuk do t’iu ndalohet të bërit biznes në territorin amerikan, nëse vazhdojnë të operojnë në Iran.

Njoftimi për përpjekje të reja në OKB, ka ardhur në ditën e njëjtë kur agjencia e lajmeve, Reuters ka raportuar se gjiganti suedez i automjeteve, Volvo, do të ndalojë shitjen e kamionëve në Iran, ashtu sikurse banka shtetërore e Francës, Bpifrance, ka braktisuar planet për të krijuar mekanizma, ashtu që t’iu ndihmojë kompanive franceze që bëjnë tregti me Iranin.

Si përgjigje ndaj kërcënimit të sanksioneve amerikane, kompani tjera të mëdha evropiane kanë njoftuar gjatë këtij viti se do të pezullojnë veprimtarinë e tyre në Iran, duke përfshirë gjigantin e energjisë, Total, kompanitë e makinave, Peugeot, Renault, kompanitë ajrore, Alr France dhe British Airëays si dhe korporatat gjermane, Siemens dhe Deutsche Telecom.

Përgatiti: Krenare Cubolli