Një javë pas zgjedhjeve të parafundit presidenciale në Rusi, më 2018, një zjarr i madh në një qendër tregtare në Siberi pati ka rezultuar me mbi 60 persona të vdekur, shumica prej tyre fëmijë.
Pesë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, disa sulmues kanë hyrë në një sallë koncertesh në periferi të Moskës, duke vrarë të paktën 133 persona.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi ekstremist Shteti Islamik.
SHIKONI EDHE: Dhjetëra njerëz të vrarë në sulmin pranë Moskës, IS-i merr përgjegjësinëKremlini e konsideron presidentin rus Vladimir Putin si një lloj shpëtimtari, i cili ka çimentuar stabilitet dhe siguri, pas kaosit të të lidhur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
Mirëpo, këto sulme masive që janë përsëritur disa herë gjatë udhëheqësisë së tij gati 25-vjeçare në Rusi, qoftë si president apo kryeministër, e dëmtojnë thellë narrativën e krijuar për të.
Në fakt, analistët besojnë se pamjet e shpërthimeve, zjarrit dhe viktimave, tregojnë për një lider, fokusi i të cilit në mbrojtjen e regjimit të tij dhe pozitës në pushtet, po paguhet shtrenjtë me mungesën e sigurisë për popullin.
Kritikët e Putinit kanë thënë që më shumë se tri dekada pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia vazhdon të jetë shtet që i vendos interesat e veta përpara atyre të qytetarëve.
Shembulli më i mirë është lufta kundër Ukrainës.
Para nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022, periudhë kur Rusia i ka mbledhur mijëra trupa ushtarake në kufi me Ukrainën, dhe kur Shtetet e Bashkuara patën paralajmëruar që lufta mund të niste shumë shpejt, shumë vëzhgues kanë parashikuar që Putin do të zmbrapsej, pasi një sulm masiv do ta dëmtonte sigurinë e Rusisë, dhe nuk do ta përmirësonte atë.
SHIKONI EDHE: Ky vit mund të përcaktojë fatin e luftës në UkrainëMe nisjen e luftës në Ukrainë, është rritur edhe grushti i shtetit ndaj shoqërisë civile, disidentëve dhe zërave të pavarur, i cili ka qenë prezent prej vitit 2012, kur Putin është kthyer në presidencë, pasi përfundimit të mandatit si kryeministër.
Qeveria i ka shpallur shumë grupe paqësore, dhe madje edhe disa organizata joekzistente si “ekstremiste”, duke nisur prej Fondacionit Kundër Korrupsionit, të kritikut të ndjerë të Kremlinit, Aleksei Navalnyt, e deri te ajo që shteti gabimisht e përshkruan si “lëvizje ndërkombëtare LGBT”.
SHIKONI EDHE: Çfarë do të ndryshojë vdekja e Navalnyt dhe çfarë jo?Shteti rus i ka dënuar kritikët me akuza për tradhti dhe i ka dënuar kritikët për luftën në Ukrainë, me disa vjet burgim.
Analistët besojnë se një situatë e tillë e përball Rusinë me situata shumë të cenueshme, në të cilat korrupsioni dhe neglizhenca shkaktojnë ose përkeqësojnë pasojat e aksidenteve të shmangshme sikurse zjarri në qytetin siberian Kemerovo, në mars të vitit 2018, shtatë ditë pasi Putin e ka siguruar mandatin presidencial.
“Shërbimet e inteligjencës janë të fokusuara në hetimet politike dhe frikësim të qytetarëve. Ato nuk e përmbushin përgjegjësinë direkte për mbrojtje të shoqërisë prej kërcënimeve reale”, ka thënë vëzhguesi politik rus, Dmitry Kolezev në një postim në X, të njohur më parë si Twitter.
“Dështim i madh”
Sulmi i 22 marsit në sallën e koncerteve Crocus City, në periferi të Moskës “duket si dështim i madh” prej anës së shtetit, ka shkruar ai.
“Sasi të mëdha të parave shpenzohen në ‘siguri’, mirëpo në realitet, kjo është siguria që ofrohet”.
Nën rrethana tjera, opozita politike dhe gazetarët e pavarur do t’i bënin presion Qeverisë për të zgjidhur këtë problem, për të garantuar që forcat e sigurisë e bëjnë punën e tyre dhe që paratë nuk shpenzohen keq, ka shkruar Kolezev.
“Fatkeqësisht, asnjëra prej këtyre grupeve nuk ka qasje në televizionin kombëtar, ku do të mund të flasin zëshëm për këtë gjë”.
SHIKONI EDHE: Ish-këshilltari i Obamas: SHBA-ja nuk e pa me kohë ndryshimin e Putinit kur u rikthye në KremlinNë vend që të shërbejnë si vëzhguese të autoriteteve shtetërore, këto grupe kthehen në shënjestrat e radhës.
“Personeli i sigurisë ruse është trajnuar për t’i analizuar disa ‘kërcënime” specifike, të rëndësishme politikisht”, ka thënë Andras Toth-Czifra, hulumtues në Programin e Euroazisë në Institutin për Kërkime të Politikave të Jashtme, me seli në SHBA, në disa komente në X, duke shtuar se “për shkak se pjesa më e madhe është e angazhuar aty, do të thotë që ekziston më pak kapacitet për t’i parandaluar kërcënimet aktuale”.
Sa herë që ka ndodhur një sulm apo një aksident vdekjeprurës, strategjitë dhe taktikat e zbatuara prej autoriteteve ruse e kanë përkeqësuar situatën, duke i shtyrë familjarët e viktimave që të akuzojnë Qeverinë e Putinit për neglizhencë.
Reagimi i ngadaltë i Putinit ndaj katastrofës me nëndetëse në vitin e tij të parë në pushtet është njëri prej shembujve, dhe ekspertët kanë thënë se përgjigjet e gabuara ndaj sulmit në një teatër të Moskës më 2002 dhe ndaj krizës me pengje në shkollën Beslan në Osetinë Veriore më 2004, e kanë rritur numrin e viktimave.
SHIKONI EDHE: Sulmet e mëdha brenda Rusisë ndër vitePrioritizimi i çështjeve shtetërore përpara atyre të qytetarëve nuk është problem i ri.
Një qasje e tillë daton prej kohës sovjetike dhe epokës cariste, dhe është fenomen që disidentët, aktivistë për të drejta të njeriut dhe politikanët opozitarë besojnë që duhet lënë në harresë, nëse Rusia dhe njerëzit e saj dëshirojnë të ecin përpara.
Por, kritikët e Kremlinit besojnë se fiks ajo qasje është bërë edhe më dominuese në regjimin e Putinit.
Ata përmendin luftën e Rusisë në Ukrainë, që ka rezultuar me qindra mijëra rusë të vrarë, dhe sigurimin e një mandati të ri gjashtëvjeçar në pushtet nga ana e Putinit, si disa prej shembujve.
Kritikët besojnë se Putin e ka shfrytëzuar një sistem zgjedhor krejtësisht të kontrolluar prej Kremlinit, për të portretizuar veten si lider i domosdoshëm i një vendi thellësisht të ndarë.
Përgatiti: Krenare Cubolli