Si po e sëmurin botën ndryshimet klimatike

Dy njerëz duke ecur mbi një pellg uji në një rrugë në Afrikën e Jugut, më 26 maj 2023.

Reuters

Stresi i nxehtësisë. Dëmtimi i mushkërive nga tymi i zjarreve. Përhapja e mushkonjave që bartin sëmundje në rajone të reja falë rritjes së temperaturave.

Këto javë vetëm disa nga mënyrat se si është ndikuar dhe përkeqësuar shëndeti publik nga ndryshimet klimatike. Për herë të parë, këto kanë qenë në qendër të vëmendjes në samitin vjetor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për klimën, COP28.

Ministrat qeveritarë pritet të bisedojmë për mënyrat se si mund t’i mbrojnë njerëzit nga kërcënimet shëndetësore si pasojë e ndryshimit klimatik, të cilat rrezikojnë ta zhbëjnë përparimin dekadash në shëndetin publik.

Nga viti 2030, ekspertët presin që vetëm katër nga këto kërcënime, kequshqyerja apo mosushqyerja, malaria, diarreja dhe stresi i nxehtësisë – do ta rrisnin numrin e përgjithshëm të të vdekurve në gjithë botën për 250.000 për vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

SHIKONI EDHE: I nxehti i tetorit pothuajse garanton se viti 2023 do të jetë më i nxehti në histori

“Ngjarjet e motit ekstrem po bëhen ngjarje të shëndetit ekstrem”, tha Martin Edlund, shef ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse për shëndetin global, Malaria No More.

Ja se si ndryshimi klimatik po e dëmton shëndetin e njerëzve nëpër botë ditët e sotme, dhe çfarë mund të presin vendet në të ardhmen.

Sëmundjet ngjitëse

Mushkonjat të cilat mund të bartin viruse, përfshirë ethet tropikale dhe malaria, Nili Perëndimor dhe Zika, po kalojnë nëpër pjesë të reja të botës, sepse temperaturat e ngrohta dhe shirat e rrëmbyeshëm u krijojnë atyre kushte më të përshtatshme për t’u shumëzuar.

Rastet e raportuara me ethe tropikale janë rritur prej rreth gjysmë milioni sa ishin në vitin 2000 në më shumë se 5 milionë në vitin 2019, sipas OBSH-së.

Vetëm këtë vit, rastet në Brazil janë rritur për 73 për qind krahasuar me mesataren e pesë vjetëve të fundit, tha Edlund, me Bangladeshin që ka vuajtur nga një përhapje rekorde e etheve tropikale.

Ndryshimi klimatik është duke e pasur një ndikim të paparashikueshëm në malarien, po ashtu, pasi në vitin 2022 u regjistruan 5 milionë raste më shumë se në vitin paraprak – duke e çuar numrin e përgjithshëm në 249 milionë, sipas Raportit Botëror të OBSH-së për Malarien.

SHIKONI EDHE: Si po i nxit El Ninjo motin ekstrem dhe valët e nxehtësisë

Vërshimet në Pakistan vitin e kaluar, për shembull, shkaktuan një rritje prej 400 për qind të rasteve me malarien në këtë vend, sipas raportit.

Kjo sëmundje është përhapur edhe në vendet e larta të Afrikës, të cilat kanë qenë të ftohta për mushkonjat në të kaluarën.

Dy vaksina të reja për malarien, që priten të jenë në dispozicion vitin e ardhshëm, ofrojnë paksa shpresë për ta luftuar këtë përhapje.

Ujërat e ndotura

Stuhitë dhe vërshimet e shkaktuara nga ndryshimi klimatik po ua mundësojnë të shpeshtohen sëmundjeve të tjera ngjitëse nga uji.

Pas shumë dekadash përparim kundër kolerës, një infektim i zorrëve i përhapur nga ushqimi dhe uji i ndotur, numri i rasteve po rritet përsëri, përfshirë edhe në vendet të cilat e kishin shfarosur pothuajse plotësisht këtë sëmundje.

Pa mjekim, kolera mund të shkaktojë vdekje brenda orësh.

Në vitin 2022, 44 vende raportuan raste me kolerë, një rritje prej 25 për qind krahasuar me vitin 2021, sipas OBSH-së, e cila nënvizoi ndikimin e cikloneve, vërshimeve dhe thatësirës në ndërprerjen e qasjes në ujë të pastër dhe në ndihmimin e baktereve për të lulëzuar.

SHIKONI EDHE: Qyteti i pushtuar i Mariupolit në rrezik nga përhapja e kolerës

Përhapjet e sëmundjeve kohëve të fundit kanë qenë shumë më vdekjeprurëse, po ashtu, sepse shkalla e vdekshmërisë tani është më e larta e regjistruar në dekadën e fundit, sipas OBSH-së.

Diarreja, po ashtu, përforcohet nga ndryshimi klimatik. Diarreja është shkaktari i dytë kryesor i vdekjeve në mesin e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare, pas pneumonisë, duke ua marrë jetën më shumë se gjysmë milioni fëmijëve çdo vit.

I nxehti ekstrem dhe qiejt e tymosur

Stresi i nxehtësisë – një nga ndikimet më të qarta të ngrohjes globale – parashikohet t’i prekë qindra miliona njerëz me vazhdimin e rritjes së temperaturave në dekadat e ardhshme.

SHIKONI EDHE: Çfarë qëndron pas valës vdekjeprurëse të zjarreve në Evropë?

Duke ditur që bota është rreth 1.1 gradë më e ngrohët tani se temperatura mesatare para industriale, në vitin 2022 njerëzit përjetuan rreth 86 ditë mesatarisht të temperatura të larta dhe të rrezikshme, sipas një raporti të revistës mjekësore, Lancet, i publikuar muajin e kaluar.

Nëse bota ngrohet për 2 gradë mbi nivelet e kohës para industriale, thuhet në raporton, atëherë vdekjet nga i nxehti çdo vit mund të katërfishohen.

Sipas një studimi të revistës Nature Medicine në korrik, rreth 61.000 njerëz vdiqën gjatë valëve të të nxehtit evropian në verën e vitit 2022.

I nxehti, po ashtu, i ka bërë më të thata pyjet, duke shkaktuar zjarre të mëdha nëpër pjesë të mëdha të botës në vitet e fundit.

SHIKONI EDHE: Studimi: I nxehti vrau mbi 61.000 persona në Evropë vitin e kaluar

Gjatë dekadës që nisi në vitin 2010, më shumë se 2 miliardë njerëz u ekspozuan së paku një ditë në vit në ndotje të pashëndetshme ajrore si pasojë e tymit të zjarrit, sipas një studimi të revistës Nature në shtator. Kjo është një rritje prej 6.8 për qind krahasuar me dekadën e kaluar.

Në Shtetet e Bashkuara, ndotja e ajrit nga zjarret i vret tani nga 4.000 deri në 28.000 njerëz çdo vit, sipas organizatës jofitimprurëse The American Thoracic Society.

Përgatiti: Ekrem Idrizi