Si ndikon forcimi i lidhjeve Kinë-Rusi në Azinë Qendrore?

Xi Jinping i Kinës u mirëprit nga presidenti uzbek Shavkat Mirziyoev (djathtas) në një aeroport në Samarkand, më 14 shtator 2022.

Pak pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, lideri kinez, Xi Jinping, i ka kthyer sytë kah Azia Qendrore, kur i ka bërë të ditura planet për të organizuar një samit në maj.

Ky njoftim ka ardhur pas vizitës së tij në Rusi, ku Xi dhe Putin kanë përshëndetur atë që e kanë konsideruar epokë të re në marrëdhëniet e tyre, pavarësisht luftës që po zhvillon Moska në Ukrainë, zhvillim me pasoja të gjera në Azinë Qendrore.

Kremlini, tradicionalisht, e ka konsideruar këtë rajon si oborr të vetin, mirëpo është përjashtuar nga Kina si forcë kryesore ekonomike për pesë shtetet e rajonit përkatës.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar dridhje gjeopolitike dhe ekonomike në shumë vende të botës, por në këtë rajon ka ndikuar me forcim të rolit të Kinës, qoftë përmes samiteve diplomatike, apo edhe iniciativave tjera, të cilat e kanë shkëputur litarin e hollë diplomatik në të cilin kanë ecur qeveritë e Azisë Qendrore, me qëllim të balancimit të lidhjeve mes Kinës, Rusisë dhe Perëndimit.

SHIKONI EDHE: Marrëveshjet e reja Kinë-Rusi sjellin “epokë të re” në partneritet

Mirëpo, analistët besojnë se tani, kur Xi dhe Putin janë zotuar për forcim të marrëdhënieve, Azia Qendrore është në hall edhe më të madh sesa ka qenë.

“Nuk mendoj se Azia Qendrore është zënë në befasi nga kjo rritje e bashkëpunimit Rusi-Kinë”, ka thënë Temur Umarov, hulumtues në Institutin Carnegie, për Radion Evropa e Lirë.

“Mirëpo, dilema qëndrojnë tek ajo se si do t’i përshtatin këto shtete politikat e tyre me këto ndryshime të mëdha”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, marrin pjesë në një pritje në Moskë më 21 mars.

Gjetja e një rruge të re përpara

Dikur Pekini e ka peshuar me kujdes ndikimin e tij në Azinë Qendrore, ashtu që të mos ndërhyjë në rolin e Kremlinit, i cili e ka pasur hapësirën kryesore në rajon.

Por, dinamikat kanë ndryshuar vjetëve të fundit.

Pekini e ka zgjeruar Organizatën e Shangait për Bashkëpunim, duke e rritur edhe ndikimin e saj në rajon, pa harruar edhe angazhimin diplomatik dhe rritjen e prezencës në fushën e sigurisë.

Në muajin shtator Xi e ka vizituar Kazakistanin – në vizitën e parë të tij jashtë shtetit, prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Më vonë ka shkuar në Uzbekistan, për të marrë pjesë në samitin e Organizatës së Shangait për Bashkëpunim.

Pekini i ka përmirësuar dukshëm lidhjet diplomatike me Azinë Qendrore dhe ka tentuar të krijojë më shumë organizime me qeveritë rajonale, në të cilat nuk përfshihet Moska.

SHIKONI EDHE: Kina premton ndihmë financiare për shtetet e Azisë Qendrore

Zyrtarët kinezë, po ashtu, kanë organizuar një mori samitesh virtuale me zyrtarë të lartë të Azisë Qendrore, derisa takimi në maj do të jetë i pari me prezencë fizike në mes të liderëve rajonalë dhe Xi-së.

Ndonëse samiti në ardhje vë në pah ndikimin në rritje të Kinës dhe zbehjen e prezencës ruse në këtë rajon, prej nisjes së luftës, Umarov ka thënë se Pekini dhe Moska nuk janë duke garuar në këto shtete.

“Nuk e shoh këtë si tentim për të përbuzur Moskën. Kina nuk dëshiron ta përjashtojë apo edhe ta zëvendësojë Rusinë në rajon”, ka thënë ai.

“Në fakt, Kina është duke punuar për t'i koordinuar gjërat me Rusinë dhe kjo përshtatet me prioritetet në politikën e jashtme të Pekinit”.

Në një deklaratë të lëshuar më 21 mars, pas takimeve me Moskën, Xi dhe Putin kanë folur edhe për interesat e përbashkëta në Azinë Qendrore. Ata kanë thënë se do të punojnë bashkë “për t'i mbështetur shtetet e Azisë Qendrore, dhe për të garantuar sovranitetin dhe zhvillim kombëtar”, si dhe për ta ruajtur ndaj “revolucioneve me ngjyrime dhe ndikimit të jashtëm në punët e këtij rajoni”.

Paralajmërimet për “revolucione me ngjyrime” kanë qenë temë standarde e diskutimeve mes Pekinit dhe Moskës, kur është diskutuar për ndërhyrjen e Perëndimit në Euroazi.

Xi, po ashtu, e ka përdorur këtë shprehje për të përshkruar trazirat në Kazakistan në janar të vitit 2022, kur përleshjet kanë kulmuar me ndërhyrje ushtarake të udhëhequr nga Moska, siç e parasheh Traktati Kolektiv për Sigurinë.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, (djathtas) takohet me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, gjatë një vizite shtetërore në Kazakistan më 14 shtator 2022.

Si udhërrëfyes për krizat e së ardhmes në Azinë Qendrore, Pekini e pati shtyrë Rusinë që të veprojë atëbotë si aktor kyç për politikë dhe siguri.

Mirëpo, Haiyun Ma, profesor në Universitetin Frostburg, i cili studion marrëdhëniet e Pekinit me Rusinë dhe shtetet e Azisë Qendrore dhe Jugore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi i Moskës është zvogëluar prej atëherë dhe qeveritë rajonale kanë tentuar të krijojnë distancë politike nga Moska.

“Duket qartë që shtetet e Azisë Qendrore do të preferonin zhvillim ekonomik dhe paqësor të Kinës, si model kundrejt detyrimit politik dhe ushtarak të Rusisë”, ka thënë ai.

Realitet i komplikuar

Ky ndryshim i pozicioneve ka krijuar mundësi të reja për Pekinin, teksa ai tenton të rrisë ndikimin në kufirin perëndimor, në kohën e rritjes së konkurrencës me Shtetet e Bashkuara.

Xi do ta udhëheqë Forumin e tretë Brezi dhe Rruga për Bashkëpunim Ndërkombëtar, më vonë gjatë këtij viti – ku takohen liderët globalë që janë në qendër të investimeve.

Pekini dhe Moska vazhdojnë të gjejnë mënyra për të harmonizuar Iniciativën Brezi dhe Rruga, pasi Bashkimi Ekonomik Euroaziatik dhe Kina, janë pajtuar për të financuar hekurudhën Kinë- Kirgizi- Uzbekistan.

“Shtetet e Azisë Qendrore janë duke analizuar me kujdes lidhjet kinezo-ruse”, ka thënë Ma.

SHIKONI EDHE: Borrell: Partneriteti i Kinës me Rusinë ka kufij

“Në njërën anë, lidhjet më të fuqishme Kinë-Rusi në zona joekonomike nuk përbëjnë lajm të mirë. Në anën tjetër, parashikimet për investime ekonomike kineze për Azinë Qendrore janë atraktive”.

Pavarësisht rolit të dobësuar të Rusisë dhe shqetësimin në rajon për luftën e nisur në Ukrainë, shtetet e Azisë Qendrore kanë arritur të përfitojnë nga sanksionet që i janë vënë ekonomisë ruse.

Rusia vazhdon të jetë destinacioni kryesor për punë për miliona banorë të Azisë Qendrore, dhe më pas remitencat e migrantëve u ndihmojnë ekonomive të këtyre shteteve, sipas Bankës Botërore.

Qarkullimi tregtar në mes të Rusisë dhe Azisë Qendrore – sidomos me Kirgizinë dhe Uzbekistanin – është rritur, po ashtu, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, pasi Moska ka pasur nevojë t’i zëvendësojë partnerët që i ka pasur dikur në Evropë dhe t’i shesë produktet e veta.

“Kina dhe Rusia janë lart në listën e prioriteteve të Azisë Qendrore dhe ajo nuk do ta rrezikojë marrëdhënien me dy fuqitë më të mëdha të Euroazisë”, ka thënë Umarov.

“Disavantazhi është që prezenca e Perëndimi, pashmangshëm, do të zbehet në këtë rajon”.

Përgatiti: Krenare Cubolli