Para nëntë vjetësh, një karvan avionësh ushtarakë transportues dhe anijesh të vjetruara filluan të lëvizin poshtë e lart në bazat ruse, duke shkarkuar forca të mëdha ushtarake në perëndim të Sirisë, për ta vulosur praninë e Rusisë në Lindjen e Mesme dhe duke e shpëtuar përfundimisht edhe regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Assadi është rrëzuar nga pushteti tani, prandaj fati i këtyre bazave është i varur në fije peri, ndërsa e ardhmja e strategjisë së përgjithshme të Rusisë në Lindjen e Mesme është po aq e paqartë.
SHIKONI EDHE: Nga oftalmolog në autokrat: Fundi i sundimit të AssaditRënia e regjimit të Assadit këtë fundjavë ishte ngjarje që e tronditi tërë Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Ndërhyrja e Kremlinit në Siri më 2015, e cila i ndryshoi përllogaritjet rajonale, ka shkaktuar përsëri paqartësi derisa Moska po përpiqet të vendosë për hapat e saj të ardhshëm.
Deri më 9 dhjetor nuk ka pasur shenja të konfirmuara se Rusia po tërhiqet nga Siria. Një zyrtar anonim i Kremlinit i tha agjencisë shtetërore të lajmeve, TASS, se Rusia ka arritur marrëveshje për ta garantuar sigurinë e aseteve të saj ushtarake në Siri. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk deshi të komentonte për gazetarët rreth kësaj çështjeje.
"Është ende herët për të folur për këtë", u tha ai gazetarëve.
"Megjithatë, kjo do të jetë temë diskutimi me këdo që do të jetë në krye të Sirisë në të ardhmen", shtoi ai.
Më poshtë mund të lexoni gjithë çfarë duhet të dini për praninë e Rusisë në Siri dhe për atë se çfarë mund të ndodhë në vijim.
Çfarë, ku dhe kush?
Prania e Rusisë në Siri daton që nga koha e marrëdhënieve sovjetike me babanë e Assadit, që rezultuan me fitimin e një aseti jetik për Moskën në vitin 1971: qasjen detare në portin e thellë të Mesdheut në Tartus.
Vëmendja e Moskës u zbeh deri në vitin 2011, kur një kryengritje popullore u shndërrua në luftë të plotë civile që kërcënonte Qeverinë e Assadit.
Në shtator të vitit 2015, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi vendosjen në Siri të forcës më të madhe të Rusisë prej dekadash - nëse jo në histori - për ta ndihmuar Assadin t’i luftojë rebelët dhe grupet ekstremiste. Siria i dha Rusisë qasje me qira për 49 vjet në Tartus dhe bazën ajrore në Hmeimim.
"Gjendja ishte shumë e vështirë, si nga ana morale ashtu edhe nga lodhja", tha gjenerali Valery Gerasimov, kryetar i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, në një intervistë të publikuar në vitin 2017.
SHIKONI EDHE: Rusia mund të zvogëloj numrin e trupave ushtarake në Siri"Mungesë municionesh, lloje të nevojshme mbështetjeje, komanda. Operacioni ynë filloi dhe pas një kohe pamë sukseset e para… Sot ushtria siriane është e aftë të kryejë detyra për ta mbrojtur territorin e saj", tha ai asokohe.
Vitin pasues, pas muajsh të sulmeve ajrore të pamëshirshme që shkatërruan qytete - një fushatë aq e pamëshirshme sa që komandanti që e urdhëroi atë mori nofkën "Gjenerali Armageddon" - ushtria siriane kishte epërsinë. Forcat ruse, në mesin e të cilave kishte gjithashtu mercenarë të Grupit Wagner, u përleshën me forcat e mbështetura nga SHBA-ja në Sirinë lindore, në vitin 2018.
Në kulmin e ndërhyrjes së Rusisë në Siri, rreth vitit 2017, ishin vendosur deri në 6.000 trupa luftarake dhe ndihmëse, përfshirë forca mercenare, sipas vlerësimeve të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), me bazë në Uashington.
Pjesa më e madhe e këtyre forcave tokësore ishin të angazhuara për ta këshilluar ushtrinë siriane. Por, komandantët dërguan gjithashtu artileri dhe njësite të blinduara ruse, si dhe forca speciale, për ta mbështetur këmbësorinë siriane, veçanërisht gjatë ofensivës së vitit 2016 për të rimarrë Alepon, qytetin më të madh të Sirisë.
Nuk është e qartë sa i madh është kontingjenti i tanishëm rus në terren. Kanali YeZh në Telegram vlerësoi se rreth 7.000 trupa ruse janë ende në Siri.
SHIKONI EDHE:
Raportohet se Rusia bombardoi rebelët në Alepo, Irani thotë se iu sulmua konsullataCivilët pësojnë teksa Rusia lufton për ta ndalur ofensivën militante në SiriKu të çon porti me ujëra të ngrohta?
Tartusi ishte trampolinë për Rusinë për të shfaqur fuqinë e saj ushtarake, jo vetëm në Siri dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, por edhe në Afrikë dhe kudo tjetër. Pas vitit 2015, Rusia i përdori anijet e saj të Baltikut dhe Detit të Zi për ta furnizuar portin dhe për të transportuar armë të rënda dhe pajisje për ndërtim. Një kompani ndërtimi e lidhur me një biznesmen aleat me Kremlinin e fitoi një kontratë në vitin 2019 për ta menaxhuar dhe zgjeruar portin.
Kapaciteti i ankorimit të portit është deri në 11 anije, përfshirë anije bërthamore. Disa nëndetëse elektrike dhe me naftë kanë kaluar brenda dhe jashtë këtij objekti dhe janë përdorur për të hedhur raketa Kalibr ndaj objekteve siriane.
SHIKONI EDHE: Humbja e Sirisë, "shuplakë e fortë" për RusinëThellësia e ujit të portit gjithashtu mundësonte akomodimin e anijeve më të mëdha, përfshirë anijen e Marinës Detare të Rusisë, Admirali Kuznetsov, e cila u dërgua në Mesdheun lindor midis tetorit 2016 dhe janarit 2017.
Në ditët para pushtimit të Damaskut nga grupet e rebelëve sirianë, disa anije, shumica e të cilave kishin qenë të ankoruara në Tartus, u panë duke u drejtuar kah deti, duke nxitur thashetheme se po largoheshin. Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes, më 3 dhjetor, publikoi pamje të flotës së saj duke hedhur raketa. Ajo tha se kjo ishte stërvitje ushtarake.
"Ajo që Tartus nënkuptonte për Rusinë ishte mundësi për ta shfaqur fuqinë detare dhe ndikimin politik relativisht pa kundërshtim në Lindjen e Mesme dhe mundësi për të goditur më fort se sa mund të pritej nga ajo", shkroi Fredrik Van Lokeren, një ish-oficer i Marinës Belge, në një postim më 8 dhjetor.
Anijet ruse në Tartus mund të jenë përdorur për të ndihmuar operacionet e Rusisë në Detin e Zi, të cilat gjithashtu janë kufizuar shumë nga taktikat inovative të Ukrainës.
Megjithatë, anijet luftarake e kanë të ndaluar kalimin përmes ngushticës së Bosforit të Turqisë sipas traktateve ndërkombëtare.
Forca ajrore
Forcat ajrore ruse e kanë përdorur bazën ajrore Hmeimim, e cila ndodhet rreth 60 kilometra në veri të Tartusit. Përveç strehimit të helikopterëve dhe avionëve luftarakë, baza ka shërbyer edhe si destinacion për avionët e mëdhenj të mallrave që kanë bartur burra dhe materiale brenda dhe jashtë Sirisë.
Inxhinierët rusë zgjeruan bazën gjatë viteve 2016 dhe 2017, duke zgjatur pistat dhe duke rritur kapacitetin e parkimit.
Presidenti Vladimir Putin bëri një vizitë të paparalajmëruar në këtë bazë në dhjetor të vitit 2017, ku shpalli fitoren ndaj forcave rebele siriane, të cilat ai i quajti "terroriste".
"Nëse terroristët e ngrenë sërish kokën, ne do t’i godasim ata si kurrë ndonjëherë", tha ai në atë kohë.
Vizita e Putinit më 11 dhjetor 2017 në bazën ajrore Hmeimim u përdor për të shpallur fitoren ndaj "terroristëve".
Flota ajrore e Rusisë në Siri përfshiu më shumë se dy duzina avionë bombardues dhe sulmues Su-24 dhe Su-25, sipas një raporti gjysmëzyrtar të publikuar në vitin 2016, si dhe të paktën tetë avionë të avancuar bombardues Su-30 dhe 12 helikopterë sulmues Mi-24 dhe Ka-52.
SHIKONI EDHE: Rusia lëshon fluturake mbi SiriNga shtatori i vitit 2015 deri në janar të vitit 2018, forcat ruse kryen më shumë se 34.000 misione luftarake ajrore, sipas vlerësimeve të CSIS-it, gjatë të cilave Su-24 dhe Su-34 shërbyen si avionët kryesorë sulmues.
Forcat ruse vendosën gjithashtu raketa balistike me rreze të shkurtër, Iskander-M, si dhe sistemin e sofistikuar të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë, S-400, dhe sisteme mbrojtëse me rreze të shkurtër si Pantsir dhe Tor. Të gjitha këto mund të transportohen jashtë vendit vetëm përmes ajrit ose detit.
Në ditët e fundit, pamjet satelitore komerciale kanë treguar se disa avionë Ilyushin Il-76 – avionë të mëdhenj transportues – janë parkuar në pistat e Hmeimit, gjë që lë të kuptohet se mund të fillojë tërheqja.
Megjithatë, duke marrë parasysh sasinë e armatimeve dhe pajisjeve të vendosura në Siri dhe hezitimin e Moskës për t'i lënë ato në duart e rebelëve sirianë, do të nevojiteshin dhjetëra fluturime ose transportime detare për t'i larguar të gjitha. Kjo do të jetë e vështirë për t’u fshehur, tha Dara Massicott, eksperte mbi ushtrinë ruse në Carnegie Endowment for International Peace.
Nga Latakia në Donbas
Shpjegimi më i mirë për rrëzimin marramendës të Assadit dhe ushtrisë së tij është mungesa e mbështetjes nga dy aleatët më të fortë të Damaskut: Irani dhe Rusia.
SHIKONI EDHE: Irani thotë se do t’i mbajë “këshilltarët ushtarakë” në SiriSa i përket Rusisë, shpjegimi lidhet me luftën e vazhdueshme pushtuese të saj në Ukrainë, e cila ka mbushur 34 muaj dhe nuk po i shihet fundi.
Humbjet e Rusisë në këtë luftë e kanë kaluar shifrën prej 600.000, sipas vlerësimeve perëndimore, dhe ekonomia e saj punon me ritëm të shpejtë, pasi fabrikat e mbrojtjes po përpiqen ta mbajnë hapin me shkatërrimin masiv të armëve dhe pajisjeve nga Ukraina.
Kjo do të thotë se Rusia ka pak rezerva – njerëz dhe materiale – për ta mbështetur Assadin në Siri.
Në fund, Kremlini mund ta arrijë një marrëveshje me lidershipin rebel dhe ta ruajë qasjen në njërën apo në të dyja bazat në Siri. Por, nëse kjo nuk ndodh, aftësia e Rusisë për ta shfaqur fuqinë ushtarake ose ekonomike, do të kufizohet dukshëm.
Këto dy baza kanë qenë kanal kyç për furnizime ushtarake të hapura dhe të fshehta në Afrikën Veriore dhe Qendrore, si dhe burim të ardhurash të gjeneruara në disa vende, shpesh në rrethana të dyshimta.
Kjo përfshin vende si Libia, ku mercenarët dhe forcat e parregullta ruse luftuan krah një gjenerali renegat libian, Khalifa Haftar, gjatë një ofensive në vitin 2019 për ta marrë portin e Tripolit.
Rusia ka kryer operacione gjithashtu në rajone të tjera të trazuara afrikane, si Republika Qendrore Afrikane dhe Nigeri.
SHIKONI EDHE: Dështimi i përgjakshëm i Wagnerit në Mali shfaq të metat e strategjisë së RusisëKorrikun e kaluar, në Mali, një forcë mercenare ruse pësoi humbje të mëdha në një betejë me rebelët Tuareg.
Ekspertët thonë se Rusia mund t’i zhvendosë disa operacione ajrore në Libi, rreth 1.500 kilometra në jugperëndim të Mesdheut. Megjithatë, do të ishte më i vështirë fluturimi i avionëve të ngarkuar me armë të rënda nga Rusia për në Libi – edhe nëse Rusia arrin ta sigurojë të drejtën për të kaluar mbi hapësirën ajrore të Turqisë.
Blogerët ushtarakë rusë kanë shprehur shqetësime për humbjen e mundshme të bazave ruse në Siri.
"Prania ushtarake e Rusisë në rajonin e Lindjes së Mesme është e varur në fije peri", tha Rybar, bloger i lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes, në një postim në Telegram.
"Është pothuajse e pamundur të tërhiqen të gjitha mjetet nga bazat. Në rastin më të mirë, mund të evakuohet pjesa më e madhe e personelit, dokumentacioni dhe avionët funksionalë", tha një bloger i njohur, i quajtur FighterBomber, në një postim në Telegram para rënies së Assadit.
"Disa pajisje që ende funksionojnë mund të paketohen në anije ngarkimi të thata dhe anije zbarkuese, por sigurisht jo të gjitha. Pjesa tjetër e pronës do të mbetet në baza", shtoi ai.