Pranverën e kaluar, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit, Gjermania është marrë si vend model për trajtimin e krizës. Ajo ka pasur shifra shumë më të ulëta të të infektuarve dhe viktimave, në krahasim me shumicën e vendeve në botë.
Në valën e dytë që ka nisur pas verës së vitit të kaluar, situata ka ndryshuar dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë në një rast se ajo “është jashtë kontrollit”.
Profesori Hajo Zeeb, nga Instituti gjerman Leibniz për Kërkime Parandaluese dhe Epidemiologji, numëron disa arsye për këtë - një prej tyre: hezitimi ndaj masave.
“Nuk e kemi kuptuar se vala e dytë ishte vërtet afër”, thotë Zeeb për Radion Evropa e Lirë.
Ai kritikon fushatën e ngadalshme të vaksinimit si në Gjermani, ashtu edhe në pjesën tjetër të Evropës.
Për vaksinën e diskutueshme AstraZeneca, thotë se nuk mund të këshillojë kundër përdorimit të saj.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Zeeb, Gjermania e ka menaxhuar mirë pandeminë në fillim dhe është cilësuar si vend model. Por, ajo nuk konsiderohet më si e tillë. Çfarë ka shkuar keq?
Hajo Zeeb: Është një situatë komplekse. Në fillim kemi bërë shumë teste. Kemi pasur vatra të lokalizuara që kanë mundur të kontrollohen më lehtë. Kemi pasur sistem funksional shëndetësor dhe i tillë vazhdon të jetë. Aty-këtu është i mbingarkuar, por kurrë nuk ka ndodhur që njerëzit të mos trajtohen. Por, pas verës së vitit të kaluar, e kemi marrë situatën si shumë të lehtë. Njerëzit kanë qenë më hezitues ndaj masave, ashtu si edhe politikanët. Nuk e kemi kuptuar se vala e dytë ishte vërtet afër.
Radio Evropa e Lirë: Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë në fund të janarit: “Ne po e humbasim kontrollin e kësaj gjëje”. Si është situata tani?
Hajo Zeeb: Ende e pavendosur, kam frikë. Merret një vendim politik, pastaj mbi të merret tjetri... Nuk është situatë e qartë. Shifrat e të infektuarve janë rritur dhe vazhdojnë të rriten. Përfundimisht nuk kemi kontroll. Edhe pse shumë vende janë të izoluara, kjo nuk është e mjaftueshme për të kontrolluar një koronavirus me mutacione. Tani po bëhen diskutime për ashpërsimin e izolimeve.
Radio Evropa e Lirë: Në fillim të marsit, Merkel po ashtu ka thënë se “pranvera e vitit 2021 do të jetë ndryshe nga pranvera e vitit 2020”. A ka ende shpresë për një pranverë më ndryshe?
Hajo Zeeb: Nuk jam i sigurt se mund të besojmë në këtë... vetëm nëse vaksinojmë më shumë njerëz se deri më tash.
Radio Evropa e Lirë: Do t’iu kthehemi vetëm pas pak vaksinave... Shumica e njerëzve që kanë vdekur në Gjermani në valën e fundit të koronavirusit, kanë qenë të moshuar në shtëpi të pleqve. Këto janë të dhëna nga autoritetet e juaja. A kanë qenë të shmangshme këto vdekje?
Hajo Zeeb: Mendoj se disa kanë qenë të shmangshme, me një kontroll më të madh. Disa edhe janë parandaluar, sepse stafi është mësuar me kohën se si t’i trajtojë, por sidomos në shtëpitë e pleqve, ku ka pasur norma të lartë të infektimit, mendoj se nuk kemi qenë shumë efektivë, për fat të keq. Andaj, disa nga këto vdekje patjetër që mund të ishin shmangur.
Radio Evropa e Lirë: Po fushata e vaksinimit si është duke shkuar në Gjermani?
Hajo Zeeb: Po shohim rritje të ngadalshme të dozave që do të arrijnë në qendrat e imunizimit në muajin prill. Deri më tash ka qenë pak zhgënjyese. Vaksinat kanë arritur vetëm te 11 për qind e popullsisë. Por, situatë e ngjashme është në shumicën e vendeve të Evropës.
SHIKONI EDHE: Gjermania ashpërson kontrollet në kufijRadio Evropa e Lirë: Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka paralajmëruar Evropën për fushatë tejet të ngadalshme vaksinimi...
Hajo Zeeb: Pajtohem plotësisht, është shumë e ngadalshme. Mendoj se numri i dozave që i është dhënë Evropës, është më i ulët se në SHBA apo Mbretëri të Bashkuar për shembull. Këto vende kanë vendosur të rezervojnë gjithçka për veten e tyre. Evropa ka prodhuar edhe për vende të tjera dhe kjo është një gjë e mirë. Por, mendoj se është dashur të rrisim kapacitetet e prodhimit, në mënyrë që të rritet edhe shpejtësia e vaksinimit. Ne kemi shumë qendra që do të mund të vaksinonin më shumë njerëz. Në qytetin tim është një e tillë, ku do të mund të vaksinoheshin 15.000 vetë në ditë, por vaksinohen 1.000 ose 2.000 në ditë, sepse aq doza ka. Megjithatë, situata po ndryshon tani.
Radio Evropa e Lirë: Sipas një sondazhi që ka publikuar në fillim të kësaj jave qendra britanike YouGov, gati dy të tretat e njerëzve në Gjermani dyshojnë në fushatën e vaksinimit. Cili është mendimi juaj për këtë?
Hajo Zeeb: Është e pritshme sepse ka pasur njoftime të llojit: “do të vaksinohemi shpejt”, “dozat do të arrijnë në mars, pastaj prill, tani fundi i prillit”. Ka arsye për të dyshuar në secilin njoftim që bëhet, sepse në të kaluarën ato nuk janë përmbushur. Për t’i luftuar këto dyshime duhet të furnizoheni me vaksina dhe të vaksinoni njerëz. Pastaj, edhe këto kritika do të zvogëlohen.
Your browser doesn’t support HTML5
Radio Evropa e Lirë: Ministri gjerman i Shëndetësisë ka thënë se pret që 20 për qind e popullsisë gjermane të vaksinohet deri në fund të prillit. A është i arritshëm ky synim, marrë parasysh se Gjermanisë i janë dashur tre muaj kohë për të vaksinuar 10 për qind të popullsisë?
Hajo Zeeb: Ky është një tjetër njoftim, ku duhet të bëjmë kujdes. Është e qartë se numri i të vaksinuarve po rritet, por nëse do të mund të vaksinojmë 10 milionë njerëz deri në fund të muajit... është pak sfiduese. Pritet të ketë disa miliona vaksinime në javët e ardhshme, por nëse do të arrijmë 20-përqindshin nuk jam i sigurt, por do t’i shkojmë afër.
Radio Evropa e Lirë: Sa njerëz mendoni se do të vaksinohen në Gjermani deri në verë?
Hajo Zeeb: Nëse dozat e premtuara nga kompanitë farmaceutike, sidomos Pfizer/BioNTech, arrijnë... dhe duket që po....atëherë në prill dhe maj do të kemi mjaft doza. Kam përshtypjen se në fund të qershorit, do t’i kemi 55-60 për qind të njerëzve të vaksinuar.
Radio Evropa e Lirë: A është kjo shifër e mjaftueshme për imunitetin e tufës?
Hajo Zeeb: Jo, nuk është, për shkak të mutacioneve të virusit. Ajo që shohim tani është se numri i vdekjeve po bie, ndonëse numri i të infektuarve është në një përqindje më të lartë. Për imunitetin e tufës, druaj se do të na duhet vaksinimi i 75-80 për qind të popullsisë.
SHIKONI EDHE: Rajonet gjermane kufizojnë përdorimin e AstraZeneca-sRadio Evropa e Lirë: Kemi parë lajme të ndryshme, vendime, paralajmërime për vaksinën e kompanisë anglo-suedeze AstraZeneca. Ju, çfarë mendoni për këtë vaksinë?
Hajo Zeeb: Vaksina AstraZeneca do të thosha se është një vaksinë e mirë. Ajo ka disa probleme me efektet anësore, për të cilat nuk jemi ende të sigurt. Madje, edhe Mbretëria e Bashkuar tani thotë se ato duhet të shihen me kujdes. Por, ne këtu në Gjermani kemi analizuar ekuilibrin e ekuacionit. Nëse shtyni vaksinimin duke mos përdorur AstraZenecan, ju humbni shumë njerëz që i ekspozohen koronavirusit. AstraZeneca duket se shkakton mpiksje gjaku sidomos te disa gra të moshës së mesme. Është një efekt i rrallë anësor dhe fatkeqësisht fatal në disa raste.
Por, vdekjet nga koronavirusi janë shumë më të mëdha se vdekjet nga efektet anësore të AstraZenecas. Kjo është shumë e qartë. Për ne në Gjermani, kufizimi i AstraZenecas vetëm për moshat mbi 60 vjeç, nuk është problem, pasi për të tjerët, ato vaksina mund të zëvendësohen me vaksina të tjera. Kjo është mirë dhe duhet të bëhet.
Radio Evropa e Lirë: Po, vendet që nuk kanë opsione të tilla? Nuk kanë me se t’i zëvendësojnë vaksinat AstraZenca?
Hajo Zeeb: Ato duhet ta marrin definitivisht. Unë nuk do të këshilloja kundër përdorimit të AstraZenecas. Ka disa barna, ka disa trajtime për personat që mund të kenë imunitet të dobët në sistemin e koagulimit të gjakut. Pra, ky problem i veçantë mund të trajtohet. Kjo mund të jetë zgjidhja nëse kjo vaksinë është e vetmja.
Your browser doesn’t support HTML5
Radio Evropa e Lirë: Por, si mund të më bindni mua që jam grua dhe jam nën 60 vjeçe?
Hajo Zeeb: Unë nuk dua t’ju bind, por do t’ju tregoj frekuencën e efekteve anësore, e cila është shumë e rrallë. Pastaj, ju duhet t’i shihni edhe gjasat që i keni për t’u sëmurë nga koronavirusi dhe këto gjëra duhet t’ju udhëzojnë në vendimin që do ta merrni. Por, përfundimisht, duhet të dini se efekti anësor i mpiksjes së gjakut është shumë i rrallë. Shansi juaj personal është 1 në 100 mijë. Ndërsa, kontraktimi i koronavirusit ka më shumë gjasa këto ditë. Pra, ju duhet të jeni në pozicion për të vendosur dhe nëse vendosni kundër kësaj vaksine, atëherë duhet t’ju ofrohet një tjetër.
Tani, padyshim se ka disa hezitime në lidhje me vaksinat, por në anën tjetër ka shumë arsye të mira për t’u vaksinuar: i ndihmoni vetes, e zvogëloni rrezikun për veten, e zvogëloni rrezikun për familjen, fqinjët, e sidomos për të moshuarit rreth jush. Ne gjithmonë kemi përdorur vaksina, me dekada e shekuj. Ato janë një parim i njohur në mjekësi dhe këto tani nuk janë ndryshe.
Radio Evropa e Lirë: Kur do t’i kthehemi normalitetit?
Hajo Zeeb: Nuk do t’i kthehemi normalitetit ashtu siç e kemi pasur. Do të kemi një jetë më ndryshe edhe në të ardhmen. Tashmë të gjithë e kemi përvojën e të jetuarit nën renë pandemike. Dhe, disa gjëra nuk mund të kthehen krejtësisht siç kanë qenë. Por, sidoqoftë, shpresoj dhe besoj se shumica e vendeve, si ne në Evropë, do t’i kthehen asaj normales deri në vitin e ardhshëm. Njerëzit do të mund të takohen, të shijojnë qytetet e tyre, të ndjekin ngjarje kulturore e të tjera.