Shukri Buja thotë se është ftuar "pa dëshirën" e tij nga Specialja në Hagë

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja.

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, njoftoi të dielën se ka udhëtuar për në Holandë për t’u paraqitur “pa dëshirën” e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Me ftesë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, sot pa dëshirën time, me ftesë të detyruar të paraqitjes, udhëtova për në Hagë”, shkroi Buja në Facebook.

Buja, ish-pjesëtar i Ushtrisë së atëhershme Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk tregoi se në çfarë cilësie u thirr nga Gjykata Speciale.

“UÇK ishte e shenjtë, ishte kundër pushtuesit, falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleateve në veçanti nga SHBA-të ne e gëzojmë lirinë sot. Lufta çlirimtare solli lirinë dhe pavarësinë që shumë po e gëzojnë sot, ndërsa bijtë më të mirë të këtij vendi u akuzuan dhe po mbahen padrejtësisht në burg”, shkroi ai.

Kjo nuk është hera e parë që Buja thirret për t’u paraqitur para Gjykatës Speciale në Hagë - e cila funksionon sipas ligjeve të Kosovës - pasi në korrik të vitit 2019 ai ishte intervistuar si i dyshuar.

Shukri Buja përmendet në aktakuzën e ndryshuar më 2022 të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-200.

Aktakuza pretendon se Shukri Buja ka qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” sikurse “Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.

Në aktakuzë thuhet se Buja, ish-komandant i UÇK-së për zonën e Nerodimës, “mori pjesë së bashku me Fatmir Limajn dhe me shumë pjesëtarë të UÇK-së në arrestimin dhe mbajtjen e njerëzve në Llapushnik” mes prillit dhe korrikut të vitit 1998.

Ndërkohë, në Dhomat e Specializuara është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

Deri më tani Dhomat e Specializuara kanë shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.