Presidenca në pritje të raportit të KQZ-së për zgjedhjet në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është në pritje të raportit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që më pas të marrë vendim që të shtyjë ose jo zgjedhjet në katër komunat në veri.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

Zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri të Kosovës janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor.

SHIKONI EDHE: Zgjedhjet mbesin peng i vlerësimit të sigurisë

Debati lidhur me shtyrjen ose jo të zgjedhjeve në veri është nxitur pasi në komunat veriore në ditët e fundit ka pasur incidente me armë zjarri dhe granata dore, gjë që ka shtyrë Policinë e Kosovës të rrisë prezencën e saj atje.

Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut u shpallën pasi kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, dhanë dorëheqje në nëntor, në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale, të lëshuara nga Serbia.

Osmani deklaroi më 8 dhjetor se do të trajtojë çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve, nëse një kërkesë të tillë e bën KQZ-ja. Ajo po ashtu tha se do të marrë raporte vlerësuese për situatën e sigurisë në veri nga autoritetet kompetente.

“Brenda dy-tri ditësh do të qartësohet çështja e shtyrjes apo jo të zgjedhjeve në veri të Kosovës”, tha presidentja.

E para e shtetit tha se shtyrja e zgjedhjeve mund të bëhet vetëm pas konsultimeve me partitë politike.

SHIKONI EDHE: Osmani: Brenda ditësh do të qartësohet çështja e zgjedhjeve në veri

Zyrtarët zgjedhorë u penguan që të kryenin punën e tyre zyrtare më 6 dhjetor, për shkak se teksa ishin nën përcjelljen e Policisë në veri, zyrat zgjedhore komunale u dëmtuan “nga mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore”.

KQZ-ja të enjten ka miratuar një plan operacional për sigurinë e zgjedhjeve, që tha se do t’i dërgohet Policisë.

Për shkak të mungesës së sigurisë fizike, anëtarët e komisioneve komunale të zgjedhjeve në veri të Kosovës, tashmë kanë deklaruar se refuzojnë të shkojnë në vendet e tyre të punës.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve, për shkak të incidenteve të shënuara ditëve të fundit.

SHIKONI EDHE: Chollet: Zgjedhjet në veri duhet të shtyhen

Autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar si “sulme terroriste” incidentet në veri dhe kanë thënë se “bandat kriminale” që “financohen dhe dirigjohen” nga Serbia janë përgjegjëse për këto akte.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – në nëntor tërhoqi zyrtarët e saj nga institucionet në veri. Ajo po kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të 18 dhjetorit.

Pasi Policia nisi rritjen e prezencës së saj në veri të Kosovës, Lista Serbe deklaroi më 9 dhjetor se “bartës i rezistencës” në veri është nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq.

Radoiçiq kërkohet nga Kosova për “frikësimin e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor të njohur si “Brezovica”. Ai është në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar. Po ashtu, ai është futur nën sanksione nga Britania për shkak të korrupsionit.