Rreth 45 mijë kërkesa për shtyrje të kredive

Fotografi ilustruese.

Bankat komerciale në Kosovë kanë pranuar rreth 45 mijë kërkesa, në vlerë 1.3 miliard eurove, për shtyrje të pagesave të kësteve të kredive, pas situatës së krijuar nga pandemia me koronavirus.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), së bashku me Shoqatën e Bankave, patën marrë vendim që bizneset dhe individët, të cilët kanë pasur rënie të të hyrave për shkak të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi t'iu mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars për një periudhë 3-mujore.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se vlera e tërësishme e 44,670 kërkesave për shtyrje të pagesës së kësteve deri më 31 mars 2020 është 1.3 miliard euro.

“Sa i përket aspektit në kontekst sektorial, bizneset përbëjnë shumicën e vlerës së kërkesave për shtyrje prej 30,3 për qind e portofolit kreditor apo 71,5 për qind e gjithsej vlerës së kërkesave. Sa u përket personave fizikë, gjithsej kërkesat ishin 12,1 për qind e portofolit kreditor, ku 39,5 për qind e tyre janë kërkesa të personave fizikë që janë punonjës në sektorin privat”, thotë Ahmeti.

SHIKONI EDHE: Si do të mund ta qetësojë Kosova tronditjen e pritshme ekonomike?

Të punësuarit në sektorin privat në Kosovë janë ata të cilët janë prekur më së shumti nga masat që Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë për parandalimin e përhapjes së virusit.

Mbyllja e detyrueshme e aktiviteteve ekonomike në sektorë të ndryshëm kishte bërë që punëmarrësit të detyrohen të pezullojnë nga puna shumë punëtorë.

Gjatë muajit prill, ndërkaq, bazuar në të dhënat preliminare të BQK-së, thuhet se nuk ka rritje të numrit të kërkesave për shtyrje të kredive.

Vlera totale e kredive në bankat komerciale sipas të dhënave të BQK-së, deri në fund të muajit shkurt 2020, ishte mbi 3 miliardë euro.

Sektori bankar i Kosovës, i qëndrueshëm

Mbështetur në raportimet e Bankës Qendrore të Kosovës konsiderohet se sektori financiar në vend vazhdon të ketë performancë të qëndrueshme, të jetë mirë i kapitalizuar, likuid, stabil dhe funksional në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e vendit.

Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë për Radion Evropa e Lirë se pandemia e koronavirusit ka pasur ndikim edhe në sektorin bankar, por në Kosovë ky sektor është i qëndrueshëm dhe mirë i kapitalizuar.

“Sa i përket programit për shtyrje të kredive, bankave sigurisht që iu ndikon në të hyrat e tyre për këtë periudhë, por falë likuiditetit të mjaftueshëm dhe kapitalit të mjaftueshëm që e kanë pasur edhe më herët para pandemisë, në këtë emergjencë bankat janë duke e përballuar mirë situatën ose shtyrjen e kredisë dhe po besoj që pas përfundimit të periudhës së shtyrjes së kredive, bankat do të vazhdojnë me funksionim të rregullt dhe klientët do të jenë në gjendje më të mirë për t’i kthyer kreditë”, thotë Balija.

SHIKONI EDHE: Nga një krizë virusi në një krizë ekonomike

Sektori bankar në Kosovë, karakterizohet me një prezencë të madhe të kapitalit të huaj, ku 87 për qind e aseteve totale menaxhohen nga bankat e huaja, kështu që kapitali i huaj dominon në tetë prej dhjetë bankave që operojnë aktualisht në Kosovë.

Efektet e plota, pas pandemisë

Sikurse të gjitha bizneset tjera, edhe sektori bankar është ndikuar nga pandemia, megjithatë Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, thotë se bankat komerciale kane luajtur një rol të rëndësishëm në lehtësimin e barrës së bizneseve dhe qytetarëve të vendit, në relacion me detyrimet e tyre kreditore ndaj sektorit bankar.

“Sa u përket efekteve të plota të pandemisë në sektorin bankar, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, ato do të shfaqen pas përfundimit të pandemisë përmes kredive joperformuese dhe ndikimit të tyre në performancën e sektorit bankar”, thotë Ahmeti.

SHIKONI EDHE: Kosova humb rreth 6 milionë euro në ditë për shkak të pandemisë

Me termet bankare, vonesat e kthimit të kredisë nga huamarrësi brenda afatit prej 90 ditëve, njihen si kredi problematike dhe konsiderohen si kredi joperformuese.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kreditë joperformuese të sektorit bankar para pandemisë kanë qenë në nivelin më të ulët historik. Në fund të vitit 2019, ato ishin vetëm 2 për qind, që ishte norma më e ulët në vendet e rajonit dhe më e ulët se në shumë vende të Bashkimit Evropian.

Në këtë gjendje, sipas BQK-së Kosova është në pozitë shumë të mirë për të përballuar rritjet eventuale të kredive joperformuese.