Qindra produkte ushqimore në Maqedoninë e Veriut nga e premtja, 6 tetor, do të shtrenjtohen pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë për rritjen e normës së TVSH-së nga 5-10 për qind.
Rritja bazohet në ndryshimet e fundit në Ligjin e TVSH-së, dhe sipas Ministrisë së Financave, qindra produkte ushqimore janë etiketuar si “luks” andaj edhe do t’i nënshtrohen ngritjes së çmimeve deri dhjetë për qind.
Por, në “luks” janë përfshirë edhe ushqime të konsumit të përditshëm si disa prodhime të qumështit, orizi, vezët, peshku, disa lloje të miellit, reçelra, ajvari e të tjera.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyçi, tha të premten se vendimi mund të korrigjohet, por jo për të gjithë artikujt pasi, sipas tij, disa konsiderohen si “luks” ndërsa numëroi akulloret, patatinat, çamçakëzët, peshku salmon, ajkat e kosit.
Vendimi i Qeverisë u mor më pak se një muaj pas masës së miratuar për mbrojtjen e konsumatorëve nga rritja e çmimeve të produkteve bazike.
Më 20 shtator për 10 për qind u ulën çmimet e 50 produkteve ushqimore. Çmimet e tyre nuk mund të ndryshojnë deri më 30 nëntor.
Por, vendimi i ri për rritjen e Tatimit të Vlerës së Shtuar ka nxitur reagime të shumta në mesin e qytetarëve, andaj edhe Qeveria është detyruar që të paralajmërojë rishikimin e ndryshimeve ligjore në TVSH.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut ul çmimet e dhjetëra produkteve bazike“Ka reagime të caktuara për disa produkte dhe sapo t’i marrim listat e produkteve, për të cilat ka ankesa, në mbledhjen e radhës, ditën e martë, vendimi mund të revidohet. Pra, reagimet kryesore kanë të bëjnë me 10 deri 15 artikuj ushqimorë dhe nuk është e vërtetë se ka rritje të çmimit të mbi një mijë artikujve. Kemi të bëjmë me 358 kategori produktesh”, deklaroi Bytyçi.
Qytetarët e anketuar thonë se masat e Qeverisë jo vetëm që nuk kanë dhënë efekte, por e kanë përkeqësuar edhe me shumë situatën me çmimet duke u lënë hapësirë bizneseve për keqpërdorime pasi jo të gjithë i respektojnë vendimet e miratuara.
Ata kërkojnë që ulja e çmimeve të vlejë për të gjitha produktet, por edhe të hiqet dorë nga politika e ngrirjes së tyre pasi nuk ka dhënë efektin e duhur.
“Pa akullore dhe pa patatina mundemi, por jo edhe pa produktet bazike. Çmimet e tyre vazhdojnë të rriten pavarësisht masave, ndërkohë pagat nuk kanë shënuar rritje. Uljet për të cilat flet Qeveria janë të papërfillshme krahasuar me ngritjet e çmimeve në dy vjetët e fundit”, thotë Bllagica Llambevska, pensioniste.
SHIKONI EDHE: Pensionistët kërkojnë rritjen e pensionit minimalNjë tjetër banore e Shkupit thotë se rritja e çmimeve ka bërë që të kursejë edhe në ushqime.
“Mish blejmë një herë në muaj, edhe atë nga një copë vetëm sa për ta shijuar. Pavarësisht masave, të gjitha ushqimet mbeten me çmime të larta. Njeriu i sëmurë nuk mund të blejë as një litër qumësht, kosi gjithashtu shitet shumë shtrenjtë”, thotë Marija, pensioniste
“Nëse më herët blinin tre kilogramë mish, tani blejmë një kilogram. Gjithçka është shtrenjtuar dhe kursejmë sa të mundemi që të arrijnë t’i sigurojmë gjërat ushqimore. Me një këmishë mund të kalojmë një kohë të gjatë, por pa bukë nuk mundemi, andaj nuk blejmë as veshje e as gjëra tjera, paratë i shpenzojmë vetëm për ushqime”, thotë Stojan Ackovski, i papunë.
Masat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, për uljen e TVSH-së dhe më pas kthimin e saj, janë kritikuar nga njohësit e çështjeve të ekonomisë.
Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë dhe profesor në Universitetin e Tetovës, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë ka deklaruar se masat e këtilla të Qeverisë jo vetëm që nuk i mbrojnë konsumatorët, por i dëmtojnë edhe bizneset. Ai ka thënë se “nxitja e prodhimit vendor dhe lejimi i konkurrencës së lirë janë mundësitë e vetme për stabilizimin e çmimeve ushqimore”.