Shtohen thirrjet ndaj Iranit për t’iu dhënë fund dënimeve me vdekje

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Drejta të Njeriut, Volker Turk, e ka kritikuar Iranin për “nivel të neveritshëm” të dënimeve me vdekje, dhe u ka bërë thirrje autoriteteve që t’i japin fund këtij lloji të dënimit.

Sipas tij, numri i të ekzekutuarve është “frikësues”.

Prej 1 janarit, Turk ka thënë se besohet që të paktën 209 persona janë ekzekutuar në Iran – shumica prej tyre për shkelje të lidhura me drogën, dhe numri më i lartë është në mesin e minoriteteve.

Numri i saktë i të ekzekutuarve nuk dihet, për shkak të “mungesës së transparencës qeveritare”, prandaj të dhënat “ka mundësi të jenë më të larta”.

“Si mesatare, mbi 10 persona janë ekzekutuar çdo javë në Iran, një prej shifrave më të larta në botë”, ka thënë Turk.

“Me këto shifra, Irani është duke ndjekur rrugën e vitit të kaluar, kur rreth 580 persona është raportuar të jenë ekzekutuar. Kjo është shkallë e neveritshme, sidomos kur e kemi parasysh konsensusin global për eliminim të dënimit me vdekje”, ka thënë ai.

Në katër ditët e fundit, Irani e ka pranuar se ka ekzekutuar dy burra - Yousef Mehrdad dhe Sadrollah Fazeli Zare – të cilët janë dënuar me vdekje, për shkak të, siç kanë thënë autoritetet, përdorim të rrjeteve sociale për të promovuar “ateizëm dhe deklarata fyese ndaj fesë islame", si dhe Habib Chaab, një disident suedezo-iranian, i cili është kidnapuar në një aeroport në Turqi, dhe është akuzuar për terrorizëm.

SHIKONI EDHE: Irani ekzekuton një burrë suedezo-iranian, nën akuzat për terrorizëm