Colin Kahl, zyrtar i lartë në Pentagon, ka thënë se është e paqartë nëse talibanët kanë kapacitet për të luftuar grupin militant, Shteti Islamik (IS), edhe pse dihet se të dyja grupet janë “armike”.
Kahl, nënsekretar për politika të mbrojtjes, i ka thënë një komiteti të Kongresit më 26 tetor se, komuniteti amerikan i inteligjencës ka vërejtur se talibanët janë “tejet të motivuar” për të ndjekur degën e Shtetit Islamik në Afganistan (IS-K).
“Megjithatë, aftësia e tyre për ta bërë këtë gjë, mbetet të shihet”.
IS-K ka marrë përgjegjësinë për disa prej sulmeve më të rënda së fundmi në Afganistan, prej kur talibanët kanë marrë kontrollin në muajin gusht.
Aty përfshihen sulmet me bomba në xhamitë në provincat Kunduz dhe Kandahar, në të cilat kanë vdekur gati 150 persona muajin e kaluar.
SHIKONI EDHE: Sa i rrezikshëm është Shteti Islamik i Afganistanit?
Para se ushtria amerikane të përfundonte tërheqjen në fund të muajit gusht, ky grup ka marrë përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës në aeroportin e Kabulit, që ka lënë të vdekur 13 ushtarë amerikanë dhe 170 afganë, kryesisht civilë.
Në komentet e tij para Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura, Kahl ka vlerësuar se IS-K ka aktualisht “disa mijëra” luftëtarë në Afganistan, dhe ka thënë se grupi mund të ketë kapacitet për t’i sulmuar Shtetet e Bashkuara në më pak se gjashtë muaj.
Amir Khan Muttaqi, ushtrues detyre i ministrit të Jashtëm në Qeverinë e talibanëve, ka thënë se kërcënimi nga IS do të adresohet.
Ai ka thënë se Afganistani nuk do të bëhet bazë për të sulmuar shtetet tjera.