Shteti zëvendëson policët me qytetarë  

Your browser doesn’t support HTML5

Kur qytetarët zëvendësojnë policët

Në javët e fundit, shumë qytetarë të Kosovës, kanë filluar të fotografojnë dhe xhirojnë kundërvajtjet që hasin në komunikacion. Shumë shkelje në trafik, fotografohen dhe xhirohen nga qytetarët dhe më pas postohen në rrjetet sociale dhe në media.

Të njëjtat shfrytëzohen si dëshmi nga Policia e Kosovës, që pa dalë fare në terren, gjobit kundërvajtësit. Mirëpo me këtë veprim, sipas avokatit Armend Shkoza, policia është duke shkelur Ligjin për kundërvajtje.

“Qytetarët mund ta njoftojnë policinë, mirëpo verifikimin e gjendjes faktike duhet ta bëjnë drejtpërdrejtë policia dhe jo qytetarët. As drejtësia dhe as vënia e rendit dhe ligjit, nuk mund të jetë teke e individëve, por ajo duhet të jetë brenda suazës dhe normativës ligjore”, thotë Shkoza.

Avokati Shkoza thotë se Ligji për kundërvajtje e ka paraparë që kompetencë ekskluzive e policisë është mbledhja e provave apo inicimit të procedurave kundërvajtëse.

Anton Nrecaj, drejtor i programit edhe këshilltar ligjor në Qendrën për Ndihmë Juridike edhe Zhvillim Rajonal (CLARD), thotë për Radion Evropa e Lirë se shqiptimi i gjobave vetëm përmes fotografive është i padrejtë.

“Kjo bie ndesh me ligjin, kjo bie ndesh edhe me vetë respektimin dhe lirive të qytetarëve sepse ka qenë një thirrje që t’i shqiptohet dënimi jo personit i cili është duke vozitur veturën, por pronarit të veturës. Shqiptimi i gjobave në këtë mënyrë është i kundërligjshëm, dhe mbi bazën e kësaj, qytetarët (që bëjnë kundërvajtje) natyrisht që edhe kanë të drejtë të kërkojnë kompensimin e dëmit sepse policia po e keqpërdorë informacionin ose informatat private”, thotë Nrecaj.

Sipas tij, kjo tregon se Policia e Kosovës nuk është e aftë për të zbatuar detyrat në bazë të ligjit, sa i përket menaxhimit dhe kontrollimit të trafikut në vend.

Qytetarët: Policia ta kryejë vetë punën

Në media dhe në rrjetet sociale janë të shumta fotografitë që postohen nga qytetarët.

I madh është edhe numri i komenteve mbështetëse nga ana e qytetarëve, por ka edhe shumë të tjerë që janë kundër që qytetarët të fotografojnë shkeljet në trafik.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa prej tyre. Dardan Zymberi nga Ferizaj, thotë se ky bashkëpunim është dashur të fillojë shumë më herët, për të parandaluar aksidentet në trafik.

“Unë jam pro kësaj dhe është diçka shumë e mirë që po ndodh në Kosovë, është pritur moti të ndodhë kjo. Është shumë e mirë, njerëzit tash fillojnë të vetëdijesohen dhe të kenë kujdes më shumë”, thotë Zymberi.

Your browser doesn’t support HTML5

Kujdes në vozitje!

Mirëpo, Valon Dobratiqi dhe Ilir Alshiqi nga Prishtina, thonë policia duhet ta kryejë detyrën e saj e qytetarët t’i përmbahen rregullave.

“Më duket më shumë rekreacion i servuar nga portalet sesa metodë vetëdijesimi për qytetarët. Logjikisht, kundërvajtje është edhe përdorimi i telefonit gjatë vozitjes. Qytetarët gjatë vozitjes po e bëjnë për të xhiruar një bashkëkundërvajtës para tyre”, thotë Dobratiqi.

“Nuk kam fotografuar asnjëherë dhe nuk besoj që do ta bëja një veprim të tillë, sepse mendoj se kjo nuk është forma më e mire”, thotë Alshiqi.

Policia: Gjithçka është në përputhje me ligjet në fuqi

Në një përgjigje me shkrim, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me qëllim që të bëjë parandalimin, luftimin e krimit dhe për të shtuar sigurinë e përgjithshme dhe sidomos atë në komunikacionin rrugor, ajo bashkëpunon edhe me komunitetin.

“Ligji për kundërvajtje rregullon procedurën kundërvajtëse, andaj policia në rastet kur grumbullon informacione të mjaftueshme dhe prova bindëse se një kundërvajtje është kryer, sipas ligjit fillon procedurën kundërvajtëse kundër kryerësit të asaj kundërvajtjeje. Së këndejmi, sa herë që nga policia vërtetohet se ndokush ka kryer kundërvajtje, ndaj tij shqiptohet dënimi që e parasheh ligji për atë kundërvajtje”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Po ashtu në këtë përgjigje thuhet se “sikurse në çdo rast tjetër, edhe në këto raste, secili kundërvajtës ndaj të cilit është shqiptuar dënimi, ka të gjitha mundësitë ligjore që ta argumentojë të kundërtën përmes mjeteve të rregullta juridike”.

Sipas raportit të Policisë, vetëm në 24 orët e fundit (15 korrik) janë shqiptuar 1.729 tiketa në trafik shumë nga këto dënime janë bërë falë qytetarëve të kthyer në “policë”.