IS merr përgjegjësinë për sulmin jashtë Ambasadës ruse në Kabul

Dy persona të plagosur pas sulmit afër Ambasadës ruse në Kabul.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), ka marrë përgjegjësinë për sulmin me bombë vetëvrasëse afër Ambasadës ruse në Kabul.

Si pasojë e këtij sulmi kanë vdekur të paktën gjashtë persona, përfshirë dy punëtorë të Ambasadës.

Një militant i IS-it “ka hedhur veten në erë, në një ngjarje ku kanë marrë pjesë punëtorët rusë” afër Ambasadës në kryeqytetin afgan, ka thënë grupi ekstremist përmes një deklarate të publikuar më 5 shtator në Telegram.

Katër afganë janë vrarë po ashtu në këtë sulm, dhe 10 të tjerë janë plagosur, ka thënë zëdhënësi i policisë në Kabul, Khalid Zadran.

SHIKONI EDHE: Afganistani gjithnjë e më i rrezikuar nga IS-K

Ministria e Jashtme ruse ka thënë përmes një deklarate se sulmi ka ndodhur në orët e paradites në Kabul, afër Ambasadës ruse.

Në deklaratë nuk janë ofruar hollësi për viktimat, mirëpo mediat ruse kanë raportuar se një diplomat dhe një zyrtar i sigurisë janë plagosur.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka konsideruar incidentin si “akt terrorist”.

Duke folur para gazetarëve në Moskë, ai e ka përshkruar sulmin si “absolutisht të papranueshëm”.

Hetimet për këtë rast është thënë se janë duke vazhduar.

Rusia është një prej vendeve të pakta që ka të hapur Ambasadën në Kabul, prej kur talibanët kanë marrë pushtetin në gusht të vitit të kaluar.

Your browser doesn’t support HTML5

Një vit nga kthimi i talibanëve: Rënia e Kabulit në sytë e figurave kryesore

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Rusinë, nuk e njohin udhëheqësinë e talibanëve në Afganistan.

Militantët talibanë kanë marrë pushtetin pas largimit të koalicionit ndërkombëtar – të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara – prej Afganistanit dhe shpërbërjes së qeverisë parapake.